10 korrik 2008
Pas daljes së parë publike në nëntor 2007, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë publikoi këto ditë raportin e ndërmjetët për vitin 2008. Ky raport iu paraqit gjatë muajit qershor edhe instancave të Bashkimit Europian në Bruksel.
Raporti është kontribut i një grupi ekspertësh që kanë monitoruar realizimin e angazhimeve të qeverisë shqiptare në procesin e integrimit europian gjatë periudhës tetor 2007 – 31 mars 2008. Monitorimi u fokusua në katër drejtime: demokracia dhe shteti i së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, çështjet e brendshme dhe kuadri institucional e kapacitetet administrative për menaxhimin e procesit të integrimit europian.
Për drejtimin e parë monitoruesit vërejnë se pavarësisht se ka pasur një frymë konsensusi në miratimin e 87 ligjeve dhe ratifikimin e konventave ndërkombëtare, qeveria nuk ka raportuar në Kuvend për raportin e KE-së më 6 nëntor 2007. Kjo periudhë karakterizohet nga inflacioni i ngritjes së grupeve hetimore parlamentare, vonesat në kryerjen e reformës zgjedhore ku më shqetësuese janë mosbërja e regjistrit kombëtar dhe e kartave të identitetit, performanca e dobët e administratës publike, standartet ende të ulta në sistemin e drejtësisë, mungesa e instrumentave të monitorimit në luftën kundër korrupsionit si dhe përplasjet e kompetencave mes organeve qëndrore dhe atyre lokale në procesin e decentralizimit.
Për drejtimin e dytë monitoruesit evidentojnë moszbatimin nga Shqipëria të vendimeve të Gjykatës Europiane, keqtrajtimin e të dyshuarve nga policia gjatë arrestimit, moszbatimin e aksesit në drejtësi dhe sidomos shkeljen e të drejtave të të dënuarve për ndjekjen e gjykimit në Gjykatën e Lartë, mungesa e sistemeve të mbrojtjes për personat në nevojë dhe atyre me aftësi të kufizuar, mospërditësimi i të dhënave statistikore për minoritetet dhe ngadalësimi i zbatimit të strategjisë për mbrojtjen e popullsisë rome.
Për sa i përket çështjeve të brendshme ekspertët e OSFA-s paraqesin progreset dhe problemet që kanë të bëjnë me politikën e vizave, azilin, migracionin, ripranimin, menaxhimin e integruar të kufijve, mbrojtjen e të dhënave personale, krimin e organizuar dhe trafiqet ilegale, luftën kundër drogës, parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër terrorizmit dhe efiskasitetin e punës së policisë.
Edhe kuadri institucional e kapacitetet administrative për menaxhimin e procesit të integrimit europian, sipas monitoruesve paraqitet problematik. Raportimet periodike të qeverisë shqiptare drejtuar KE-së përgatiten nga Ministria e Integrimit Evropian, nuk bëhen publike dhe nuk miratohen nga Këshilli i Ministrave apo ndonjë strukturë më e lartë ndërministrore. Gjithashtu rezulton se Kuvendi nuk ushtron një rol mbikëqyrës në këtë proces dhe se qeveria nuk ka paraqitur asnjë raport të tillë. Komiteti Teknik i Punës për Zbatimin e MSA – së është mbledhur vetëm një herë, Njësitë e Integrimit Evropian janë ngritur vetëm në Ministrinë e Bujqësisë, në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në atë të Mjedisit, ndërsa në gjashtë dikastere ka vetëm një specialist që merret me integrimin europian.
Në fund të tetorit parashikohet të dalë raporti përfundimtar për vitin 2008.
Kliko këtu për të lexuar të plotë raportin.
|