15 shkurt 2008
Rrjeti i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA) dhe Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) të mbështetur nga fondacioni Soros bënë prezantimin publik të dokumentit rekomandues për reformën zgjedhore. Ky dokument është produkt i një vargu diskutimesh të shoqërisë civile dhe ekspertëve të çështjeve zgjedhore, të qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Dokumenti jep rekomandime të veçanta për disa nga problematikat më të mprehta të reformës, mes të cilave sistemi dhe administrata zgjedhore, procesi i votimit dhe numërimit të votave, financimi i partive politike, ankimet dhe apelimet, mediat, vëzhguesit vendas e të huaj si dhe për referendumet.
Gjatë prezantimit publik të dokumentit “Praktika zgjedhore & zgjedhjet” u tërhoq vëmendja e politikës për ritmet e ngadalta të kësaj reforme. Shqetësimi për vonesat bëhet më veprues ngaqë brenda reformës zgjedhore ka elementë si regjistri kombëtar dhe pajisja me kartë identiteti që kërkojnë kohë të gjatë fizike për t’u realizuar.
Dokumenti me plotësimet e bëra në prezantimin publik u drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, Grupeve Parlamentare, Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Presidentit të Republikës, Partive Politike, Mediave, Përfaqësive Diplomatike dhe Organizatave Ndërkombëtare prezente në Shqipëri.
Kliko ketu per te lexuar raportin.
|