17 Qershor 2008
Lëvizja “MJAFT” publikoi rezultatet e monitorimit të veprimeve të qeverisë për rimëkëmbjen e Gërdecit. Ekspertët analizuan të dhënat e 170 intervistave me të mbijetuarit e tragjedisë. Raporti fokusohej në dy drejtime: perceptimi i të dëmtuarve për masat e marra nga qeveria dhe vlerësim i jashtëm për dëmet e shkaktuara në objektet fizike të banimi. Analiza e këtyre të dhënave të përmbledhura në këtë raport u publikua në mbi 400 faqe me statistika, shifra, konstatime dhe rivlerësime.
Pakënaqësitë e qytetarëve të Gërdecit, Marqinet 1, Marqinet 2 dhe Vorë u konfirmuan në terren përmes rivlerësimeve fizike të 100 shtëpive ku rezultoi se shpërndarja e dëmshpërblimeve është bërë pa metodologji, subjektive dhe me padrejtësi të konsiderueshme.
Sipas raportit nga rivlerësimi i pavarur i 60 godinave rezulton se 25 prej tyre kanë përfituar 19 milionë lekë ose 22% më shumë se dëmi real, ndërkohë që 27 të tjerave u janë mohuar 26 milionë lekë ose 30%. Gjithashtu, 65% e rasteve të shqyrtuara nuk e kanë përfituar akoma shumën e përcaktuar nga komisionet shtetërore.
Raporti thekson se nuk nuk është marrë asnjë masë për rikuperimin e traumave dhe dëmeve psiqike të fëmijëve, nuk ka asnjë plan për të ndihmuar në ripunësimin dhe përtëritjen ekonomike të familjeve të dëmtuara dhe nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të organeve shtetërore për nivelin e dëmit dhe banueshmërinë e territorit të prekur nga shpërthimi.
Kliko këtu për të lexuar të plotë raportin e parë. |