1 nëntor 2007
klikoni këtu për raportin e plotë të monitorimit në format PDF
Monitorimi një vjeçar i angazhimeve te qeverise shqiptare pas nënshkrimit të Marreveshjes se Stabilizim Asocimit (MSA) ka qenë objekt i një projekti të zhvilluar nga tre anëtarë të NOSA-s: Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Qendra Europiane, të mbështetur nga Fondacioni Soros. NOSA ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, ekonomike si dhe nismat e ndërmarra nga qeveria dhe aktorët e tjerë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga niveli i ri i marrëdhënieve me BE-në.
Monitoruesit arrijnë në përfundimin se në aspektin politik zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 si dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës në korrik të vitit 2007, u karakterizuan nga mungesa e konsensusit, konfrontimi politik dhe dobësi të infrastrukturës zgjedhore. Ata rekomandojnë krijimin e një Regjistri Themeltar Kombëtar të Zgjedhjeve dhe hartimin e një një plani që të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar.
Në aspektin ekonomik, monitoruesit vërejnë se Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë disa reforma për modernizimin e sistemit fiskal, reduktimin e ekonomisë informale, thjeshtëzimin e procedurave të regjistrimit të biznesit, reduktimin e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me gjithë synimin e mirë të reformave, disa ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë kanë qenë të diskutueshme në respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa lufta kundër korrupsionit në disa raste ka qenë e paefektshme.
Reformat në drejtësi, sipas monituruesve, kanë ecur ngadalë dhe nuk janë realizuar në afatet e parashikuara. Iniciativat për ndryshimin e Ligjit për KLD-në, Ligjit për Pushtetin Gjyqësor dhe Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që kanë qenë të shkëputura në kohë, por kanë rezultuar edhe të cunguara.
Edhe përparimi në fushën e minoriteteve mbetet i kufizuar duke qenë se nuk është ndërmarrë asnjë nismë për amendimin e ligjit për shtypin. Funksionimi i administratës publike bazuar mbi parimet dhe kriteret e përcaktuara nga ligji për shërbimin civil nuk ka shënuar hapa përpara. Procesi i decentralizimit ka ecur me ritme të ngadalta pasi angazhimi i deritanishëm i qeverisë është materializuar kryesisht në ndryshime ligjore që rregullojnë aspektet financiare të decentralizimit.
|