Prioriteti Strategjik i Programit është promovimi i mirëqeverisjes dhe reformave për integrimin në BE.
Fondacioni Shoqëria e Hapur vlerëson se sfida më e madhe afatgjatë në Shqipëri për mirëqeverisjen dhe integrimin në BE është mungesa e një kulture, praktike apo historiku të politikës konsensuale dhe konstruktive, si dhe ndjeshmërisë politike ndaj të mirës publike. Gjatë dy viteve të fundit, politika shqiptare është zhytur edhe më tej në sjelljen “fituesi merr gjithçka”, duke bërë që aktorët politikë të veprojnë mbi bazën e mosbesimit ekstrem, duke penguar kështu përparimin e përgjithshëm të vendit drejt mirëqeverisjes dhe integrimit në BE. Kjo është shpalosur mprehtësisht në disa fusha kyçe që mund të shihen si sfida afatmesme si nga pikëpamja e përmbajtjes së reformave ashtu dhe proceseve, dhe këtu përfshijmë reformën zgjedhore, funksionimin e Parlamentit, reformën e administratës publike, dhe procesin e integrimit më gjerë.
Fondacioni do të vijojë të kombinojë monitorimin, analizën dhe ndikimin e politikave publike dhe bashkërendimin e aktorëve të shoqërisë civile për të përmbushur objektivat e këtij programi. Në linjë me misionin e vet, OSFA do t’iu kushtojë më shumë vëmendje sistematike proceseve në të gjitha fushat e veprimtarisë. Më konkretisht, kjo do të nënkuptonte që monitorimet të vlerësojnë rregullisht se sa të hapura janë proceset e politikave në Shqipëri: p.sh. a u konsultua Plani i Veprimit Anti-Korrupsion me palët e interesuara? A janë të gjitha institucionet zbatuese dhe bashkërenduese të përfshira, në dijeni të tij dhe a kanë marrë pjesë në hartimin e tij? A është publik? A mund të merret lehtë? A mund të merret lehtë informacioni mbi zbatimin e tij? etj.
OSFA ka në plan të vazhdojë punën kryesisht në të njëjtat fusha, me përshtatje dhe përmirësime, si dhe t’iu përgjigjet sfidave kyçe që kanë lindur gjatë dy viteve të fundit.
Fushat specifike ku kombinimi i mësipërm është aplikuar me sukses / duhet vazhduar aplikimi janë:
Një tjetër lloj veprimtarie në këtë drejtim është nëpërmjet leksioneve dhe debateve të rregullta dhe të qëndrueshme të folësve/akademikëve dhe praktikuesve ndërkombëtarë të profilit të lartë, në fushat e qeverisjes, çështjeve parlamentare, politikave publike, negocimit dhe debatit, etj.
Shtyllat e programit:
I. Transparencë, llogaridhënie, përgjegjësi dhe reagueshmëri
Fondacioni ka ndërtuar një historik të mirë me monitorimet dhe kontributet për politikat në anti-korrupsion, financat publike, dhe administratën publike. Ka përmirësuar ekspertizën e brendshme dhe të jashtme në këto fusha. Transparenca dhe llogaridhënia mbeten synime të rëndësishme për dy vitet e ardhshme. Prandaj, gjatë 2012-2013, Fondacioni do të vijojë me veprimtaritë e mëposhtme:
Edhe përgjegjësia dhe reagueshmëria politike janë rishfaqur si sfida të rëndësishme. Nga përvoja e Fondacionit, të dhënat dhe evidencat konkrete kanë në vetvete një fuqi thelbësore për ta bërë klasën politike të japë llogari dhe për ta bërë të reagojë ndaj interesit të publikut. Fondacioni do të vijojë me monitorime dhe analiza për të prodhuar evidenca dhe të dhëna të besueshme mbi politikat.
Përveç veprimtarive të veta operacionale në këto fusha, Fondacioni do të mbështesë veprimtaritë e organizatave grant-marrëse që çojnë në gjenerim të dhënash të dobishme për politikat publike, të dhëna që çojnë në identifikimin e qartë të problemeve dhe shkallën e tyre; të dhëna të cilat ofrojnë themele të shëndosha dhe të besueshme për hartimin e rekomandimeve nga ana e aktorëve civil për ato politika dhe themele të shëndosha për vendim-marrje.
II. Kapacitete për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore
Fondacioni do të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve për NJQV-të, dhe kontributet në politika për të rinxitur procesin e decentralizimit. Pasuria e informacionit që po mblidhet do të shfrytëzohet për të gjeneruar debate për politikat mbi çështje të tilla si financat vendore, kompetencat e përbashkëta, administrimi i territorit, etj.
Duke ndërtuar mbi përvojën e vet me monitorimin e buxhetit të shtetit, Fondacioni ka në plan të monitorojë edhe nivelin vendor. Qëllimi është identifikimi i qartë i si dhe sa përkthehen fondet në shërbime, monitorimi i standardeve të hartimit të buxheteve vendore dhe proceset e shpenzimit të tyre, duke mbushur kështu hendekun e tanishëm në informacionin publik mbi financat publike.
III. Axhenda e integrimit në BE
OSFA do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e kërkesave të integrimit dhe do të forcojë përpjekjet për të rritur pjesëmarrjen e palëve të interesuara në axhendën e BE me qëllim që t’i shërbehet më mirë axhendës më të gjerë të tranzicionit. Përtej projektit të vet operacional për monitorimin e zbatimit të kërkesave të inegrimit (për 2012-ën, 12 Prioritetet), OSFA synon të shfrytëzojë periudhën e para-anëtarësimit si një kohë të artë për të ndikuar politikat, për të theksuar nevojën për debat kritik mbi integrimin, për platforma partiake drejt anëtarësimit, dhe platforma partiake drejt axhendës më të madhe të tranzicionit.
Synimi 1:
Forcimi i transparencës, llogaridhënies, përgjegjësisë dhe reagueshmërisë së institucioneve kundrejt publikut
Objektiva Specifike:
1.1 Përforcimi i transparencës dhe llogaridhënies për financat publike (operacionale)
1.2 Ushqimi i debatit mbi mirëqeverisjen me ekspertizë dhe të dhëna (operacionale dhe grantdhënie)
Synimi 2:
Kontribut për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE
Objektiva Specifike:
2.1 Monitorim i zbatimit të kërkesave të integrimit (operacional)
2.2 Rritje e pronësisë vendore të procesit të integrimit (grantdhënie, operacional, East-East)
Synimi 3:
Kontribut për forcimin e kompetencave të decentralizuara
Objektiva Specifike:
3.1 Rritja e kapaciteteve, transparencës dhe llogaridhënies së NJQV-ve (operacional dhe grantdhënie)
3.2 Rritje e debatit të palëve të interesuara dhe kontributet në politika në fushat kyçe të decentralizimit (operacional)
Shënim:
Operacional quhen aktivitetet e veta të Fondacionit – veprimtari që Fondacioni i ideon dhe zbaton vetë.