77% e qytetarëve dëshirojnë President jopartiak, 60% dëshirojnë të zgjidhet me marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të sondazhit të komisionuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur mbi perceptimin e publikut për zgjedhjen e Presidentit, institucionet, partitë, dhe rolin e komunitetit ndërkombëtar.
Të dhënat e sondazhit tregojnë se shumica dërrmuese e qytetarëve kërkojnë një President jopartiak dhe vetëm 23% e tyre do të dëshironin një figurë partiake. Të pyetur nëse Presidenti duhet të zgjidhet me marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, 60% e qytetarëve shprehen bindshëm po, ndërsa 32% shprehen „Jo medoemos, por kjo do të ishte më e mira“, dhe vetëm 8% shprehen bindshëm kundër një përzgjedhjeje konsensuale.
Shumica e qytetarëve e konsiderojnë zgjedhjen e Presidentit një çështje të rëndësishme, ku 23% shprehen se ajo nuk ka marrë rëndësinë e duhur, 38% shprehen se e ka marrë rëndësinë e duhur, dhe vetëm 39% mendojnë se ka marrë rëndësi të tepruar.
Qytetarëve u është kërkuar të japin nota nga 4 deri në 10, si në shkollë, për disa nga kandidatët e përfolur, nga të cilat Ismail Kadare ka marrë notën mesatare 7.3, Fatos nano ka marrë notën 7 dhe Jozefina Topalli ka marrë notën 5.8.
Me të njëjtën metodë, qytetarëve u është kërkuar të vlerësojnë edhe partitë politike, nga të cilat Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Aleanca Kuq e Zi kanë marrë notë mesatare të njëjtë – 6.4, Fryma e Re Demokratike ka marrë 5.9 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 5.4.
Për sa i përket skenarëve të aleancave mes partive kryesore, 57% e qytetarëve mendojnë se një aleancë mes PS dhe LSI për rrëzimin e qeverisë do të ishte diçka e keqe ose shumë e keqe, ndërsa 43% do ta vlerësonin si diçka të mirë ose shumë të mirë.
Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qytetarët paraqiten skeptikë. Të pyetur nëse kanë besim se zgjedhjet e parakohshme në 2012-ën dhe zgjedhjet e rregullta në 2013-ën do të ishin të lira dhe të ndershme, vetëm 39% besojnë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin të tilla, dhe 48% besojnë se zgjedhjet e vitit 2013 do të ishin të lira dhe të ndershme. Ndërsa të pyetur mbi funksionimin e demokracisë në vend, 69% e qytetarëve shprehen të pakënaqur ose fare të pakënaqur, ndërkohë që 28% shprehen të kënaqur dhe vetëm 4% shumë të kënaqur me funksionimin e demokracisë në vend.
Perceptimet mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar në vend nxjerrin në pah një kufi të rëndësishëm. Ndërkohë që 59% e qytetarëve do të dëshironin një rol edhe më aktiv, 65% e tyre shprehen kategorikisht kundër hipotezës së përzgjedhjes së Presidentit nga komuniteti ndërkombëtar.
Për metodologjinë dhe përmbledhjen e plotë të përfundimeve ne shqip, lutemi trokitni ketu.
Për metodologjinë dhe përmbledhjen e plotë të përfundimeve ne anglisht, lutemi trokitni ketu.