| |
25-26 Janar 2008
Nisur nga disa shqetësime të mprehta që ka shoqëria shqiptare, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, OSFA, në bashkërendim me Ministrinë e Punës dhe Ministrinë e Arsimit, ndërmorën kryerjen e projektit “Lobim dhe advokaci për hartimin e politikave dhe strategjive që mënjanojnë përjashtimin dhe inkurajojnë përfshirjen sociale”.
Veprimtaritë e projektit mbështetur nga OSFA dhe programi Lindje-Lindje, që shtrihen përgjatë një viti, synojnë sensibilizimin e qeverisë shqiptare, të dikastereve qëndrore dhe lokale, të shoqërisë civile, punëdhënësve, mediave e sindikatave për përmirësimin e gjendjes së shtresave të rrezikuara (kryesisht popullsia Rome), si dhe të japë rekomandime për më shumë efikasitet në këtë fushë.
Si fazë e parë e këtij projekti ishte organizimi në Tiranë i një seminari ballafaques dyditor ku ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Polonia e Çekosllovakia sollën problematika dhe përvoja të arritura në përfshirjen sociale. Pjesëmarrësit në seminar rekomanduan ndryshime në legjislacionin shqiptar për shtresat në nevojë, monitorim të strategjive nëpërmjet një rrjeti të shoqërisë civile si dhe ngritjen e një agjencie kombëtare.
Faza të tjera në zbatim të projektit do të jenë shkëmbim i përvojave më të mira në përfshirjen sociale në Slloveni dhe Irlandë, inicimi i një fushate sensibilizuese për luftën ndaj varfërisë, krijimi i një konsenusi kombëtar për veprime të përbashkëta të aktorëve përgjegjës si dhe draftimi i një dokumenti politik. Përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti janë komunitetet dhe individët e rrezikuar, përfaqësues të ministrive përgjegjëse dhe të pushtetit vendor, partitë politike, mediat, biznesia dhe shoqëria civile.
|
|