| |
26-27 qershor 2008
Qendra Europiane, anëtar i Rrjetit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA). me mbështetjen e fondacionit “Soros” zhvilloi në Shkodër seminarin dy ditor: “Si të aplikojmë për fondet e BE-së”, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga Prefektura dhe Këshilli i Qarkut, nga bashkia e Shkodrës, e Vaut të Dejës, e Koplikut dhe Pukës, nga komuna e Shkrelit, e Postribës, e Gurit të Zi dhe Qerretit në Pukë.
Pjesa e parë e seminarit u fokusua rreth përfitimeve të strukturave vendore dhe të shoqërisë civile nga fondet e programeve të BE-se në përgjithësi dhe ato ndërkufitare, tek të cilat mund të aplikohet si në Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë, ashtu edhe jashtë tij. Pjesëmarrja në programe të tilla si Itali - Adriatik, Itali – Shqipëri kanë shtruar nevojën për asistencë të vazhdueshme për të shkruar projekte, për t’i përfituar ato dhe dhe për t’i vënë në zbatim.
Pjesa e dytë e takimit u përqendrua në një nga programet e BE-se, “Framework Programme 7”, ku Shqipëria mund të aplikojë dhe ku ka edhe një angazhim qeveritar për të përfituar prej tij. Organizatorët shpjeguan se çfarë është ky program, çfarë parashikon ai, kushtet për të marrë pjesë, rregullat dhe skemat e financimit. Të pranishmëve iu shpërnda edhe një model formulari, të cilin duhej ta plotësonin vetë dhe më pas të ballafaqonin atë me standartet që kërkon programi europian. Pas Shkodrës seminare të tilla trajnuese do të zhvillohen edhe në prefekturat e Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Korçës. |
|