| |
26 shkurt, 2007
Një Memorandum bashkëpunimi për monitorimin qytetar të marrëdhënieve BE-Shqipëri u nënshkrua më datë 26 shkurt mes Ministrisë së Integrimit Europian dhe katër organizatave të shoqërisë civile: Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë-Soros, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare dhe Qendra Europiane. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të dyja palët shprehën angazhimin e tyre për nxitjen e monitorimit qytetar në procesin e integrimit europian të vendit. Zonja Arenca Trashani, Ministre e Integrimit, vlerësoi pjesëmarrjen e shoqërisë civile në këtë proces dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm. Zoti Çapajev Gjokutaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros, theksoi rëndësinë e monitorimit qytetar si një proces që do të rrisë performancën në qeverisje, transparencën në informin dhe rolin aktiv të të gjithë aktorëve të shoqërisë në progresin e marrëdhënieve BE-Shqipëri. Kjo pjesëmarrje është e parashikuar edhe në rekomandimet e Komisionit Europian për bashkëpunimin e strukturave shtetërore me ato jo-qeveritare.
Projekti i Monitorimit Qytetar ndërmerret nga këto katër organizata për forcuar përfaqësimin e shoqërisë civile në formulimin dhe implementimin e politikave integruese. Nëpërmjet tij synohet:
- rritja e përgjegjshmërisë së strukturave të Qeverisë,
- rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve,
- sigurohet një proces i hapur dhe transparent,
- identifikohen problemet dhe përcaktohen zgjidhjet e duhura.
Duke ofruar ekspertizë, objektivitet dhe paanshmëri, këto organizata do të ndjekin hap pas hapi masat e ndërmarra nga qeverija dhe do të bëjnë publike periodikisht të dhënat dhe rezultatet e vëzhgimit deri në botimin e raportit përfundimtar në fund të periudhës një vjeçare të monitorimit. Procesi monitorues do të përqendrohet në dy perspektiva kryesore të integrimit:
- Fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomiko-social të vendit (p.sh.: konkurrenca e lirë, politika fiskale, politika të caktuara për SMEs apo sektorë të tjerë ekonomikë);
- Fusha që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen/mirëfunksionimin e instrumenteve dhe strukturave me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe shoqëria civile (p.sh.: shteti ligjor, lëvizja e lirë e qytetarëve, të drejtat e njeriut/minoriteteve, politika ndaj medias & shoqërisë së informacionit etj.)
|
|