|
29 qershor 2007
Kryebashkiaku i Tiranës, Z. Edi Rama, prezantoi projektin “Bashkia e Tiranës drejt standrtesh Europiane” që parashikon ndryshime strukturore, rritjen e transparencës në qeverisjen vendore dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Projekti është mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros.
Megjithëse bashkia e kryeqytetit vlerësohet si modeli më i mirë i qeverisjes vendore për këto vitet e fundit, problematikat e reja të zhvillimit kërkonin një reformë rrënjësore për garantimin e standarteve më të larta, shërbime më cilësore për qytetarët dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje të rëndësishme.
Zbatimi i projektit të ri krijon struktura të reja të drejtimit të bashkisë, mes të cilave një drejtori e planifikimit strategjik, një drejtori e buxhetimit afatmesmë dhe një sektor i koordinimit me donatorët për garantimin e financimeve të huaja. Rritja e aftësisë menaxhuese të bashkisë krijon strukturën e re të administratorit të bashkisë, ndërsa rritja e pjesëmarjes së qytetarëve në vendimmarrje do të realizohet nëpërmjet bordit qytetar të posaçëm.
Fillimi i zbatimit të projektit do të rrisë eficencën e të zgjedhurve dhe të emëruarve kurse në rrafsh më të gjerë do të synojë rritjen e vetëdijes së qytetarëve për problemt publike, promovimin e vullnetarizmit dhe edukimin e fëmijëve me ndjenjën e bashkësisë. |