| |
30 janar, 2007
Transporti publik, cilësia dhe menaxhimi i tij, është një nga sfidat e përhershme për çdo qendër metropolitane. Në kushtet e zhvillimit intensiv të qytetit të Tiranës, u bë e domosdoshme që transporti publik, tashmë i decentralizuar, të bëhej objekt i disa fazash studimi. Ato do të evidentonin problematikat, ndjeshmërinë dhe zgjidhjet e mundshme për një shërbim publik efektiv. Në vijim të këtij procesi, Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) dhe Rrjeti për Shoqërinë e Hapur (NOSA), organizuan më 30 janar seminarin “Shërbimi i Transportit Publik në Rajonin e Tiranës”. U paraqitën gjetje dhe rezultate të nxjerra nga zbatimi i projektit mbi “Bashkëveprimi ndërkomunor në qeverisjen vendore dhe zhvillimi rajonal” dhe të dhëna nga pyetsorët me qytetarët e rajonin të Tiranës. Pjesëmarrësit, drejtues dhe specialistë nga Prefektura, Bashkia e Tiranës, Instituti i studimeve të transportit, shoqata mjedisore, etj., diskutuan mbi domosdoshmërinë e integrimit të shërbimeve publike në rajon, duke shmangur fragmentarizimin aktual. Ata vlerësuan njëzëri konceptimin dhe funksionimin e një Autoriteti Metropolitan për Tiranën, me qëllim vendosjen e standardeve të njëjtësuara në shërbim të qytetarit. Një nga përfitimet më të dukshme të kësaj do të ishte zbutja e trafikut të ngarkuar në kryeqytet dhe ulja deri në shkallën 25% e ndotjes mjedisore aktuale. Sipas studimit të CO-PLAN, me mbi 2000 të intervistuar, 60% e jopërdoruesve të transportit publik do t’i ktheheshin atij me dëshirë në rast përmirësimi. Po sipas këtij studimi, aktualisht, qytetarët humbasin 185 ditë pune në pritje të mjeteve publike dhe 1500 lekë në muaj secili për të qarkulluar me to.
Ky studim është pjesë e projekteve të NOSA-s në baskëpunim më Fondacionin e Shoqërisë së Hapur (OSFA) në kuadër të programit “Shteti ligjor dhe qeverisja e mirë”.
|
|