Agjensia e Akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri, (e ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 1999) është institucioni që vlerëson cilësinë e institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë shqiptar dhe mban përgjegjësi për këtë proces. Cilësia është një ndër kushtet parësore të procesit të reformimit të arsimit të lartë sipas standarteve të Bolonjës. OSFA e ka konsideruar shumë të rëndësishëm këtë proces. Ajo ideoi dhe ndërmori realizimin e këtij projekti për mbështetjen institucionale të Agjensisë.

Projekti ka një shtrirje dy vjeçare dhe parashikon fuqizimin e kapaciteteve të Agjensisë në mënyrë që ajo të jetë në gjendje të kryejë funksionin për të cilin është krijuar. Nëpërmjet këtij projekti sigurohet ekspertizë e huaj, shkëmbim përvojash me vende më të përparuara në këtë drejtim, pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, trainim i stafit dhe lobim për njohjen dhe pranimin e Agjensisë në qarqet akademike, si edhe garantimin e një pavarësie më të madhe institucionale e ligjore të saj.

Ndër aktivitetet e para të realizuara të Agjensisë mund të përmendim ngritjen e Grupit të Miqve të Agjensisë, (një organ informal me pjsëtare nga Universitetet dhe ekzekutivi që vepron si mbështetës i agjensisë në këto nivele), një vizitë e kryetarit të Këshillit Austriak të Akreditimit në Tiranë , përgatitjen e faqes së internetit të Agjensisë dhe fillimin e procedurave për anëtarësim në Rrjetin Europian të Agjensive te Sigurimit të Cilësisë ENQA.