Që me themelimin e OJF-ve të para Shqiptare më 1990, Shoqëria Civile ka luajtur një rol gjithnjë në rritje për zhvillimin e vendit. Veçanërisht vitet e fundit, ajo u bë një promotore e rëndësishme e jetës sociale, ekonomike dhe politike në vend: duke promovuar konsensusin publik dhe partneritetin vendor në proceset e reformave, duke ndërmarrë iniciativa në sfidat e zhvillimit dhe duke forcuar sektorë të shërbimit publik.

Megjithatë, përvoja e sektorit civil në Shqipëri mbetet e kufizuar dhe me disa mangësi. Shoqëria civile shqiptare vepron në një mjedis të dobët nga ana institucionale dhe e kapaciteteve. Ashtu sikundërse edhe në shoqëri të ngjashme, shoqëria shqiptare mbështetet në lidhje familjare ose klanore për të kompesuar dobësinë e institucioneve. 

OSFA ka identifikuar disa dobësi aktuale si : Kulturë e ulët vullnetarizmi; Nevojë për forcim dialogu në nivel kombëtar dhe vendor; Transparencë e pamjaftueshme në shërbimet publike; Nevoja për përmirësismin e statusit të minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.

Pikërisht duke patur parasysh këto dobësi, OSFA ka marrë përsipër të mbështesë ato projekte që synojnë të ofrojnë shërbime, të monitorojnë politikat dhe programet qeveritare, të ushtrojnë presion mbi qeverinë për të përshtatur politikat dhe implementimin e tyre në interest ë vendit; të ofrojnë advokaci dhe lobim për zhvillimin dhe veprimtarinë e shoqërisë civile.

Në përzgjedhjen e organizatave do të ndikojë kriteri i të qenit:

  1. Organizata të krijuara nga OSFA-ja;
  2. Organizata monitoruese dhe organizata që kanë kapacitet dhe aktivitet advokacie dhe lobimi;
  3. Organizata me bazë komuniteti që lehtësojnë komunikimin e dyanshëm mes qeverisjes qëndrore dhe vendore.

OSFA do të përdorë “Thirrjet për aplikim” sipas proceduarës së zakonshme të saj. Aplikimet i nënshtrohen shqyrtimit sipas parimeve dhe rregullave të saj. Vlerësimi kryhet nga Bordi Ekzekutiv i OSFA-së. Shuma e dhënë për projekt është 7500 dollarë.