Projekti "Kodi i etikës" është një iniciativë e ndërmarrë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, me përkrahjen profesionale dhe financimin e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur – Soros (OSFA), që synon forcimin e karakterit demokratik të universiteteve dhe shkollave të larta në vendin tonë.

Kodi i etikës është pjesë përbërëse e tërësisë së rregullave që zbatohen sot në çdo institucion, ku përcaktohen në mënyrë të posaçme standardet e sjelljes së punonjësve, të cilat mbështeten mbi një bazë ligjore dhe morale.

Krahas përmbushjes të të gjitha standardeve të sigurimit të cilësisë, duhet të sigurohen edhe standardet e etikës. Realizimi i këtyre standardeve kërkon të rrisë përgjegjshmërinë e stafit akademik, të administratës dhe të të zgjedhurve të tyre në universitete dhe shkollat e larta për uljen e veprimeve abuzive, përmirësimit të komunikimit të brendshëm, rritjen e kënaqësisë për punën dhe të besimit te drejtuesit kryesorë.

Realizimi i Kodit të Etikës u mbështet në një literaturë të gjerë dhe në modelet e disa universiteteve amerikane dhe europiane.

OSFA e mbështeti këtë iniciativë duke siguruar konsulencë dhe financim. Një ndihmesë të rëndësishme dha specialistja amerikane Marilyn Uyatt e kontaktuar për këtë çështje nga OSFA.