14 prill 2008
Përfaqësues të biznesit, të pushtetit vendor, të botës akademike dhe sidomos të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, u mblodhën në tryezën e përbashkët për promovimin e praktikave më të mira bashkëpunuese të biznesit me shoqërinë civile, organizuar nga Qendra për Nxitjen e Biznesit dhe Reformave Publike dhe të mbështetur nga fondacioni “Soros”.
Tryeza trajtoi gjerësisht nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve më të mira midis biznesit dhe shoqërisë civile. Praktika tregon se, ndërsa është i konsoliduar roli i shoqërisë civile në mjaft probleme dhe aspekte të jetës sociale, është akoma e vështirë gjendja e rrugëve të bashkëpunimit me bisnesin dhe angazhimin e tij më gjerë se sa aktiviteti komercial.
Marrëdhëniet biznes – shoqëri civile rezultojnë më shumë si forma të filantropisë të firmave në veprimtari të tilla si kultura, sporti, arsimi dhe jo si marrëdhënie me interes reciprok. Në tryezë u sollën shembuj të bashkëpunimit në projekte si ai i USAD-it “Fostering Ethical Behavior in the Albanian Business Community”, programet rajonale të titulluara “Biznesi me fytyrë humane”, si dhe disa projekte të UNDP-së.
|