22 prill 2008
Specialistë të ekonomisë, të misionit të FMN-së në Tiranë, të Ministrisë së Financave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave morën pjesë në tryezën e rrumbullaktë kushtuar monitorimit të buxhetit të shtetit të vitit 2008, pjesë e një projekti që realizohet nga një grup ekspertësh dhe mbështetet nga Fondacioni Soros. Pjesëmarrësit në tryezë, nëpërmjet publikimit të raportit të parë studimor, theksuan nevojën që ka sot vendi për të thelluar dialogun mes palëve të interesuara në proceset e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të buxhetit dhe sidomos në sektorët prioritarë.
Ekspertët dhanë konsiderata për realizimet e buxhetit gjatë vitit 2007, situatën makroekonomike, gjendjen e prodhimit industrial, performancën e biznesit në tërësi, nivelin e eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte të krahasuara me një vit më parë.
Tryeza e ekspertëve theksoi se problemet e energjisë elektrike dhe rritja e shpejtë e kreditimit shkaktuan probleme vitin që shkoi. Për vitin 2008, ekspertët rekomandojnë realizimin e fondeve të investimeve në një shtrirje gjithëvjetore dhe kërkuan që të mënjanoheshin ndryshimet e vazhdueshme të politikave fiskale dhe të legjislacionit fiskal. Projekti që shtrihet përgjatë një viti do të ketë të tjera dalje publike në muajt në vazhdim.
Kliko këtu për të lexuar të plotë raportin
|