5 nëntor 2007
Lëvizja “MJAFT” e mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, Soros, publikoi raportin e tretë të projektit “Unë votoj” që përfshin periudhën janar – korrik 2007. Gjatë zbatimit të projektit janë monitoruar prania e deputetëve në Kuvend, respektimi rregullores së tij dhe përputhja e premtimeve elektorale me nismat ligjvënëse në sesionin e katërt parlamentar.
Nisur nga ballafaqimi me premtimet elektorale, raporti nënëvizon se grupi parlamentar i PD-së ka përfshirë në axhendën e vet 23 nisma ligjore, grupi parlamentar PR-së ka diskutuar 30 nisma dhe opozita asnjë të tillë. Ndërsa për mënyrën se si kanë votuar deputetët me problemet që shqetësojnë qytetarët, rezulton se janë zhvilluar 45 nisma ligjore që përbën një përmirësim krahasuar me sesionin paraardhës.
Anagazhimi i deputetëve në seaancat dhe debatet parlamentare vazhdon të jetë një problem i ndjeshëm edhe gjatë këtij sesioni parlamentar. Raporti evidenton 19 parlamentarë që nuk kanë diskutuar asnjëherë për këtë periudhë monitorimi.
Raporti është kritik për ngritjen e komisionit hetimor “Sollaku 2”, për mënyrën e kryerjes së reformës në drejtësi dhe tërheq vëmendjen për faturën e shpenzimeve të deputetëve që rezulton nga më të lartat në Europë.
|