botime

Instituti për Studimeve Publike & Ligjore (ISPL) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar ne Maj 1999, me qendër në Tiranë. ISPL, një think tank par excellence, është e pozicionuar më së miri për përpunimin dhe lëvrimin e pikëpamjeve objektive në lidhje me politikat publike dhe ligjore.

Ideja e themeluesve të ISPL për të krijuar një organizatë që të kishte si qëllim qëndror të sajin mobilizimin e resurseve intelektuale dhe përdorimin e tyre në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe lobimin e politikave të mirëstudiuara publike, e ka origjinën në vitin e turbullt 1997, pas shembjes së skemave famëkeqe piramidale, dhe u konsolidua në vitin 1998.

Në atë kohë, themeluesit e ISPL, të gjithë me një background në hartimin e Kushtetutës së 1998 dhe ligjeve kryesore të miratuara në vazhdën e saj, u bindën se burimet njerëzore e profesionale mund të thithen më mirë e të menaxhohen më me efikasitet jashtë qeverisë, sidomos në fusha të tilla si lobimi për ndryshimin e ligjeve, ndërtimi i institucionve dhe analiza e politikave publike. Ideja e themelueseve të ISPL gjeti përkrahjen e East-West Management Institute (EWMI), një OJF amerikane me qendër në New York e cila ndihmoi në krijimin e ISPL-së bazuar në standartet amerikane të qeverisjes dhe menaxhimit në kuadrin e një projekti të USAID.

Në linjë me vendimin e themeluesve të saj, ISPL është ndërtuar për ndjekjen e një misioni me dy drejtime kryesore:

Programi Ligjor – garantimi i mbështetjes profesionale dhe të paanshme në proceset që shpien drejt reformimit të kuadrit legjislativ me qëllim përfundimtar përmirësimin e qeverisjes dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut në Shqipëri. ISPL synon arritjen e objektivit të sipërpërmendur përmes projekteve që konsistojnë në kërkime shkencore në fushë të së drejtës, lobim për akte të veçanta legjislative, procese gjyqësore strategjike, edukim ligjor dhe, kur është e mundur, ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve të qeverisjes përmes trainimeve, vlerësimeve etj;

Programi i Politikave Publike – gjenerimi dhe diseminimi i analizave dhe rekomandimeve të pavarura në lidhje me reformat, axhendat e qeverisë në përgjithësi dhe efektin e tyre mbi publikun e gjerë, asistencë për grupet e papërfaqësuara sa dhe si duhet në debatet publike duke artikuluar pozicionet e tyre, gjenerimi dhe lobimi i politikave alternative në fushë të qeverisjes së mirë dhe ndërtimit të institucioneve publike duke pasur si qëllim final përmirësimin e përformancës së institucioneve dhe zyrtarëve publikë.

 



Gjykimi i drejtë dhe të
Drejtat e Njeriut

 

 

Për më shumë vizitoni faqen tonë të Internetit:
www.ipls.org