Lëvizja MJAFT prezantoi më 10 tetor Raportin e Projektit “Unevotoj” për periudhën janar-korrik 2006, projekt i mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur - Soros. I nisur një vit më parë gjatë fushatës zgjedhore parlamentare ai synon monitorimin sistematik dhe analitik të Kuvendit të Shqipërisë dhe të pushtetit vendor. Rezultatet e monitorimit gjashtëmujor të Kuvendit janë bërë publike në formë elektronike dhe të shtypur. Gjatë prezantimit, Erion Veliaj, drejtor ekzekutiv i lëvizjes MJAFT, cilësoi ndër të tjera se për Lëvizjen Mjaft demokracia është e praktikueshme çdo ditë dhe jo një herë në katër vjet. Në raport, përveç monitorimit të seancave të parlamentit janë kryer dhe krahasime me programet elektorale të partive dhe nivelin e realizimit të tyre në kuadër të iniciativave ligjore, të ardhurat e deputetëve dhe evoluimi i tyre në kohë, prania e deputetëve, zbatimi i rregullores së parlamentit, etj. Ndër të dhënat kryesore veçojmë:
- PD ka arritur të përqasë me premtimet zgjedhore vetëm 22 nga 115 nismat ligjore;
- PS ka arritur 32 nisma por asnjëra e propozuar nga grupi parlamentar socialist;
- Parlamenti shqiptar është i vetmi në Evropë që i siguron secilit deputet nga një automjet dhe nga një shofer personal;
- Në parlamentin shqiptar ka tri herë më shumë ish-policë nga të diplomuar në shkenca politike;
- Gratë përbëjnë vetëm 7% të deputetëve në Kuvend, pra më pak se në çdo vend tjetër në Evropë.
Klikoni këtu për të shkarkuar një kopje të raportit në formatin PDF |