Më datë 20 mars 2006, u mbajt
një tryezë e rrumbullakët me temë "Politikat
antikorrupsion dhe respektimi i të drejtave të njeriut".
Organizatorë të tryezës ishin Komiteti Shqiptar
i Helsinkit, Grupi i të Drejtave të Njeriut, Qendra
Shqiptare e të Drejtave të Njeriut, Qendra e Studimeve
Parlamentare dhe Qendra për Nisma Ligjore Qytetare. Aktiviteti
ishte në bashkëpunim dhe i mbështetur nga Fondacioni
i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë
- Soros.
Tryeza diskutoi rreth disa iniciativave ligjore të
ndërmarra së fundi nga qeveria për të
luftuar korrupsionin. Politikat anti-korrupsion janë
inisiativa të domosdoshme të cilat mbështeten
nga shoqëria civile dhe shtetasit në përgjithësi.
Këto politika janë të rëndësishme
për zhvillimin e vendit, për konsolidimin e demokracisë
dhe për përmbushjen e aspiratave të Shqipërisë
për integrimin në Bashkimin Europian. Por duhet
patur gjithashtu parasysh se politikat qeveritare nuk mund
të cënojnë të drejtat dhe liritë
themelore të njeriut. Respektimi i të drejtave të
njeriut në përputhje me Kushtetutën përbën
një parakusht për suksesin e këtyre inisiativave.
Ky ishte edhe qendrimi i organizatorëve të tryezës,
të cilët prej disa muajsh vëzhguan dhe shqyrtuan
me vëmendje nismat ligjore qeveritare të ndërmarra
në kuadrin e politikave antikorrupsion. Ata i dërguan
sistematikisht relacione dhe raporte Kryetares së Kuvendit,
Komisionit të Ligjeve, etj. Pjesëmarrësit në
diskutim, përfaqësues të shoqërisë
civile, medias dhe qarqeve akademike – univesitare,
iu bashkuan tezës së organizatorëve se lufta
kundër korrupsionit përbën një përparësi
për vendin por duhet zhvilluar duke respektuar të
drejtat e njeriut dhe liritë civile në përgjithësi.
Objekt diskutimi dhe debati u bënë:
- Projektligji “Për bashkëpunimin e publikut
në luftën kundër korrupsionit”;
- Vendimet e Këshillit të Ministrave për
shmangien e nepotizmit në administratën publike,
tatimore dhe doganore konkretisht Vendimi i Këshillit
të Ministrave nr. 43, datë 27.I.2006 “Për
shmangien e nepotizmit dhe ndikimit të pushtetit në
rekrutimin dhe karrierën e personelit të administratës
tatimore”; Vendimi i Këshillit të Ministrave
nr. 44, datë 27.1.2006 “Për shmangien e
nepotizmit në administratën publike”; Vendimi
i Këshillit të Ministrave nr.48, datë 27.1.2006
“Për disa shtesa në vendimin nr.205, datë
13.IV.1999 të Këshillit të Ministrave “Për
miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor të
Republikës së Shqipërisë” të
ndryshuar.
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin
Nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin
e klasifikuar sekret shtetëror”.
- Moratoriumi mbi mjetet e lundrimit
Në fund u dol me një deklaratë të përbashkët.
Klikoni këtu për Deklaratën e takimit
Klikoni këtu për përmbledhjen e oponencave
të bëra nga zotërijntë Njazi Jaho, Sokol
Berberi dhe Ilir Aliaj.
|