24 Shkurt 2006
Lëvizja MJAFT, së bashku me shumë personalitete
të medias, gazetarë dhe pjesëtarë të
tjerë të shoqërisë civile në Shqipëri,
organizuan më 24 shkurt një tryezë të
rrumbullakët. Aty u shprehën shqetësimet mbi
ndryshimet që do të sjellë projekt-ligji për
ndryshimin e ligjit "Për Radion dhe Televizionin
Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë"
në funksionimin e KKRT dhe RTSH. Projekt-ligji, i hartuar
pa përfshirjen e grupeve të interesit dhe aktorëve
në fushën e medias dhe shoqërisë civile,
rezultoi se rrezikon të krijojë një KKRT dhe
një Këshill Drejtues të RTSH të pabalancuar
dhe politikisht të varur.
Për këto arsye, MJAFT së bashku me institucionet
mediatike, gazetarë dhe shoqërinë civile në
Shqipëri i bëri thirrje Qeverisë, Kuvendit
të Shqipërisë dhe Komisioneve Parlamentare
që aprovimi i këtij projekt-ligji të pezullohet.
Ata kërkuan që ndërkohë të fillojë
procesi i konsultimit me grupet e interesit dhe shqyrtimi
i alternativave të funksionimit të këtyre institucioneve
të rëndësishme për demokracinë në
Shqipëri.
|