28 Shkurt 2006
Lëvizja MJAFT organizoi një debat publik me pjesëmarrjen
e aktorëve më të spikatur të shoqërisë
civile në mbrojtje të ambjentit. Ky debat është
pjesë e serisë së dabateve publike të
ndërmarra nga MJAFT në kuadër të strategjisë
së NOSA-s për Shoqërinë Civile. Debatet
Publike sigurojnë një forum ku mund të diskutohen
çështje të rëndësishme për
komunitetet dhe grupe të ndryshme interesi. Në këto
forume, pjesëmarrësit prezantojnë këndvështrimet
e tyre si dhe të argumentojnë në favor apo
kundër një çështjeje të caktuar
duke ndikuar kështu në:
- ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve;
- pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në
çështjet komunitare;
- ngushtimin e hendekut mes qeveritarëve dhe të
qeverisurve.
Në debatin e 28 shkurtit mbi përmirësimin
e situatës Mjedisore në Shqipëri u diskutua
rreth problemeve ekzistuese dhe veprimeve që mund të
ndërmerren me bashkëpunimin e palëve në
përmirësimin e situatës mjedisore në Shqipëri.
Përvec angazhimit për bashkëpunim dhe aksione
të përbashkëta, një nga rezultatet e menjëhershme
të kësaj debati ishte një letër e hapur
e përbashkët drejtuar institucioneve kryesore Shqiptare.
Në këtë letër u shprehën
tre kërkesa kryesore:
- Ndalimi i qindra ndërtimeve pa leje nisur kohët
e fundit me shpresën e përfshirjes në klauzolën
e Ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin
e ndërtimeve pa leje”;
- Rishikimi i Projekt-ligjit të ri “Për
disa ndryshime në ligjin për kthimin kompensimin
e pronave“ i cili parashikon heqjen apo ngushtimin
drastik të pengesave në kthimin tek ish-pronarët
të pronave që gjenden në zona të mbrojtura
dhe në zona që janë pasuri e veçantë
kulturore dhe historike për vendin tonë.
- Sigurimi i pjesëmarrjes së qytetarëve
dhe gjithë shoqërisë civile në procesin
e vendim-marrjes për çështje që kanë
lidhje me mjedisin dhe zonat e mbrojtura, detyrim që
rrjedh edhe nga Konventa e Aarhusit, ratifikuar nga vendi
ynë në vitin 2000.
|