3 shkurt 2007
Lëvizja MJAFT! njoftoi më 3 shkurt aktivizimin e faqes së internetit Unë Votoj për Zgjedhjet Vendore 2007. Kjo është një bazë të dhënash elektronike për monitorimin e fushatës, premtimeve dhe punës së kandidatëve në konkurim për zgjedhjet vendore 2007. Ashtu si me faqen e internetit për zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, Unë votoj për zgjedhjet vendore 2007 do të vëzhgojë nga afër fushatat zgjedhore të kandidatëve për kryetarë bashkie, do të sjellë të dhëna biografike, financimin e fushatave, dhe do të ndjekë mbajtjen e premtimeve pas përfundimit të zgjedhjeve. Gjithashtu parashikohet që, UnëVotoj, të monitorojë punimet e këshillave bashkiake të 13 bashkive, të botojë raporte semestrale në lidhje me premtimet parazgjedhore, zbatimin e procedurave të punimeve të këshillave bashkiake, të sjellë informacion mbi asetet e kryetarëve të bashkive.
Rëndësia e këtij projekti të mundësuar nga Fondacioni të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë-Soros (OSFA) në kuadrin e Rrjetit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA) qëndron në informimin e plotë dhe në edukimin e qytetarëve për t’u bërë realisht pjesë e çdo procesi demokratik.
Kjo bazë të dhënash mund të lexohet lehtësisht në adresën:
http://www.unevotoj.com/zgjedhjetvendore/index.php
|