21 tetor 2006
Procesi i statusit final të Kosovës, i pritur të përfundojë brenda vitit 2006, është vënë përsëri në fokus gjatë një konference ndërkombëtare më 21 tetor në Tiranë. Konferenca “Statuti final i Kosovës dhe Siguria në Ballkan”, e organizuar nga Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (ISN), mblodhi së bashku studiues, politikanë, akademikë nga Ballkani, Shtetet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Bashkimi Europian, Grupi i Kontaktit dhe homologët e tyre shqiptarë. I ftuar ishte edhe Ministri Shqiptar i Punëve të Jashtme, Zoti Besnik Mustafaj. Ai theksoi veçanërisht mosshtyrjen e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, dhe rëndësinë e një procesi aktiv negocimi.
Të vetëdijshëm se progresi i negociatave dhe modalitetet e statusit final do të ndikojnë të ardhmen e Kosovës dhe sigurinë në rajon, pjesëmarrësit diskutuan rreth disa prej sfidave të ardhshme në këtë proces. Diskutimet u përqëndruan në tri këndvështrime: a) pikëpamjet e aktorëve ballkanikë për statusin final të Kosovës; b) pikëpamjet e komunitetit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës; c) Problematikat e qeverisjes demokratike dhe ekonomisë së tregut pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
|