botime
Mjaft!, është një lëvizje gjithëpërfshirëse e cila ka përqafuar një program të larmishëm që vendos në qëndër të punës shoqërinë civile dhe të gjithë komponentët e saj. Vizioni i MJAFT është të arrihet një Shqipëri me qeverisje të pastër, me qytetarë aktive, me komunitete të forta dhe me një imazh pozitiv në botë.

Lëvizja MJAFT beson se demokracia, qeverisja e mirë dhe shoqëria e përparuar mund të ndërtohen kur pjesëmarrja dhe kërkesa qytetare janë të strukturuara. Si rrjedhim, misioni i saj është rritja e qytetarisë aktive, forcimi i komuniteteve, ngritja e qeverisjes së përgjegjshme, si dhe përmirësimi i imazhit shqiptar në botë nëpërmjet: i) nxitjes së pjesëmarrjes qytetare në procesin e vendim-marrjes duke ndikuar dhe kontrolluar politikat në nivel lokal dhe kombëtar; ii) promovimi i vullnetarizmit, dhe përmirësimi i bashkëpunimit brenda komuniteteve; iii) rehabilitimi i kuptimit të mirëfilltë të protestës.

Fillimisht, MJAFT ishte parashikuar të ishte pikërisht ajo fjalë e folur, reaguese si elementi kryesor i një fushate katër-mujore (mesi i marsit- mesi i korrikut, 2003) që preku 2.5 deri në 3 milionë shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut. Fushata MJAFT u kthye në një nga fushatat më të suksesshme, më të medha, më të përkrahura dhe më ndërgjegjësuese që ka parë ndonjëherë Shqipëria.

Në muajt që vijuan pas përfundimit të fushatës MJAFT, Lidhja Rinore Ballkanike e Shqipërisë (BYL-A), Shoqata e Kombëtare e Debatit Shqiptar (ANDA), si dhe shumë grupe dhe individë që morën pjesë në fushatë, njohën domosdoshmërinë e vazhdimit të punës së MJAFT- këtë herë jo vetëm si fushatë Marredhëniesh me Publikun, por mbi të gjitha, si një Lëvizje, që në mënyrë të vazhduar nxit aktivizmin qytetar, zhvillimin kombëtar dhe imazhin e mirë të Shqipërisë kudo në botë. Aktualisht, MJAFT është Lëvizja më e madhe në Shqipëri, me 7 000 anëtarë, më shumë se 1000 vullnetarë, me Klube Qytetare në qytetet e Beratit, Durrësit, Kukësit, Fierit, Lezhës, Lushnjës, Përmetit, Peshkopisë, Pogradecit, Pukës, Rrëshenit, and Sarandës, si dhe Klube Studentorë në të gjashtë qytetet universitare të Elbasanit, Korcës, Vlorës, Gjirokastër, Shkodrës dhe Tiranës. Klubet MJAFT janë një iniciativë e cila zgjeroi me sukses ekpseriencën e Lëvizjes MJAFT në nivel lokal duke krijuar grupe qytetare në qytetet përkatëse të cilët advokojnë dhe lobojnë për cështje të rëndësishme për komunitetet e tyre.

 



Promovimi i Debatit Politik

Monitorimi i premtimeve elektorale





Për më shumë vizitoni faqen tonë të Internetit:
www.mjaft.org