29 Mars 2007
“Vlerësimi i ndikimit të legjislacionit në procesin të shqyrtimit të projektligjeve” u parashtrua më 29 mars nga Qendra e Studimeve Parlamentare, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Bashkëkohore, mbështetur nga Fondacioni i Shoqëria së Hapur për Shqipërinë-Soros (OSFA).
Organizatorët paraqiten një raport mbi monitorimin e performancës legjislative të komisioneve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Ata sollën gjithashtu një vështrim të procedurave të vlerësimit legjislativ në vend duke i krahasuar me praktikat e parlamenteve të vendeve të tjera.
Gjatë zbatimit të projektit, për një periudhë katër mujore, shtator - dhjetor 2006, u monitoruan disa nga mbledhjet e komisioneve parlamentare. Monitoruesit vëzhguan kohën që i kushtohej diskutimit të projektligjeve të ndryshme, pjesëmarrjen e deputetëve dhe përcjelljen e tyre në Kuvend. U vunë re shpërpjestime të mëdha në praktikat e diskutimit të projektligjeve, pjesëmarrje e ulët e deputetëve në diskutimin e tyre, dhe në disa raste, edhe mungesa e ekspertizës të përfaqësuesve të dikastereve.
Tryeza rekomandoi të respektoheshin procedurat gjatë shqyrtimit të një projektligji në Kuvend, rritjen e pjesëmarrjes së deputetëve etj. Pjesëmarrësit këshillojnë gjithashtu kryerjen e seancave dëgjimore në prani edhe të grupeve të interesit, mediave dhe shoqërisë civile; rritjen e ekspertizës për shqyrtimin e projektligjeve etj. |