Ky projekt është ndërmarrë nga Co-PLAN
në kuadër të fushës prioritare të
“Qeverisjes së mirë” të NOSA-s.
Ai synon shqyrtimin e formave dhe hapësirave për
bashkëveprim të mirë ndërkomunor midis
njësive të pushtetit vendor. Qëllimi i tij
është përmirësimi i shërbimeve publike
gjatë reformave të decentralizimit.
Projekti ka filluar në Janar të
vitit 2006 me analizën e reformave për decentralizmin
e vendit dhe delegimit të kompetencave drejt qeverive
vendore. Gjatë muajve mars-prill janë kryer intervista
të ndryshme me institucione dhe organizata të përfshira
në këtë proces, si Ministria e Brendshme, Minisitria
e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit,
USAID, PNUD, GTZ, SNV, Shoqata e Ujësjelles-Kanalizimeve
dhe perfaqësues të pushtetit lokal (bashki/komune/qark).
Për fazën pasuese të projektit
u përzgjodh për analizë shërbimi i transportit
publik në rajonin e Tiranës. Transporti publik është
një shërbim tashmë i decentralizuar që
ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin rajonal.
Në këtë fazë u konsultuan ekspertë
të ndryshëm nga bashkitë, komunat dhe qarku
i Tiranës, si dhe ekspertë të ministrive. Gjithashtu,
u përgatit metodologjia e përgjithshme e studimit
për analizën e këtij shërbimi. Më
19 korrik 2006, u zhvillua takimi i grupit këshillimor
për projektin “Analizë e Shërbimit të
Transportit Publik në Rajonin e Tiranës”.
Takimi pati një pjesëmarrje të gjerë me
përfaqësues nga Ministria e Transportit, përfaqësues
të Bashkisë së Tiranës, kryetarë
të komunave, drejtues të shoqatave të bashkive
dhe komunave, etj.
Projekti për transportin publik
në rajonin e Tiranës synon kryerjen e kërkimeve
në terren për të njohur gjendjen e transportit
në këtë rajon, kuadrin ligjor, aktorët
institucionalë, etj. Rekomandimet e studimit janë
objekt i lobimit që do të bëjë NOSA pranë
institucioneve përgjegjëse.
|