botime

Tirana dhe Brukseli pas nënshkrimit të MSA-së


1 nëntor 2007

Artikulli i mësipërm si dhe disa nga gjetjet e monitorimit të detyrimeve shqiptare pas nënshkrimit të MSA-së gjetën pasqyrim në shtypin e përditshëm (Shekulli, Panorama, Albania, Telegraf dhe Tirana Times) si dhe në BBC, Reuters, AFP, AP, Dojçe Velle etj.

Tre anëtarë të Rrjetit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA): Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Qendra Europiane, të mbështetur nga Fondacioni Soros,  ndërmorën nismën për monitorimin e angazhimeve shqiptare pas nënshkrimit të MSA-së me Brukselin dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Ndërmjeme (Janar 2007) në fushën ekonomike. Monitorimi përfshin periudhën qershor 2006 - shtator 2007 dhe bazohet në pesë dokumente: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit; partneriteti europian; raporti vjetor i KE-së për Shqipërinë (2006); plani kombëtar për zbatimin e MSA-së, miratuar nga Këshilli i Ministrave i RSH-së në korrik 2006 si përgjigje për dokumentin e partneritetit europian dhe rekomandimet e përbashkëta të takimeve konsultative të Task Force. Monitorimi ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, ekonomike si dhe nismat e ndërmarra nga qeveria dhe aktorët e tjerë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga niveli i ri i marrëdhënieve me BE-në. Objekt monitorimi janë bërë: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe standartet europiane. Monitorimi është mbështetur në informacionet zyrtare të institucioneve shtetërorë dhe joshtetërorë, në intervista, tryeza të përbashkëta me ekspertë lokalë si dhe në shtypin e përditshëm.

Zhvillimet politike

Ndonëse janë shënuar hapa përpara, demokracia në Shqipëri ende vijon të mbetet një demokraci e brishtë dhe jo aq funksionuese. Dy momente të rëndësishme gjatë periudhës së monitorimit: zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 si dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës në korrik të vitit 2007, u karakterizuan nga mungesa e konsensusit, konfrontimi politik dhe dobësi në infrastrukturën zgjedhore. Në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, vendi u fut pa patur një regjistër të plotë dhe të saktë të zgjedhësve, të mbështetur në adresat përkatëse si edhe pa dokumente identiteti, detyrime që duhet të realizoheshin nga qeveria shqiptare. Zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 nxorën në pah nevojën urgjente për reformimin e sistemit dhe infrastrukturës zgjedhore. Për këtë është i domosdoshëm krijimi i një Regjistri Themeltar Kombëtar të Zgjedhjeve të plotë, të saktë dhe të kompjuterizuar, të mbështetur në një sistem adresash gjithashtu të përpiktë dhe të kontrollueshëm dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me kartë identiteti me përmbajtje të elementeve të sigurisë së lartë, por duke garantuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e të dhënave personale. Monitoruesit vërejnë se nuk ka një plan pune që të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar dhe kjo mund të çojë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 zgjedhësit të mos pajisen me dokumente identifikimi, që të përsëriten situatat e tensionuara midis krahëve të ndryshëm politikë dhe të mos shënohet përparim në arritjen e standardeve të kërkuara në fushën e zgjedhjeve.
Edhe zgjedhja e kreut të shtetit, sipas monitorimit të NOSA-s, u shoqërua me një situatë të tendosur politike, me trysni dhe debate të shumta ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Megjithëse procesi i zgjedhjes së Presidentit u krye duke respektuar Kushtetutën, procesi nuk zbuti konfliktualitetin mes palëve dhe, pas gjasash, mund të shërbejë si burim konfliktesh të ardhshme.

Reformat në ekonomi

Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë disa reforma për modernizimin e sistemit fiskal, reduktimin e ekonomisë informale, thjeshtëzimin e procedurave të regjistrimit të biznesit, reduktimin e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por mbeten ende të pazgjidhura çështje të pronësisë. Megjithë synimin e mirë të reformave, disa ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë kanë qenë të diskutueshme në respektimin e të drejtave të njeriut dhe disa herë kanë vënë në dyshim respektimin e ligjit dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Ndonëse lufta kundër korrupsionit konsiderohet jetike për zhvillimin e vendit, mjetet që janë “zgjedhur” për ta arritur këtë qëllim në disa raste kanë qenë të paefektshme. Gjykata Kushtetuese i ka deklaruar si antikushtetuese disa nga këto nisma.

Reformat në drejtësi

Reformat në drejtësi janë vendimtare për zhvillimin e vendit si garanci për zbatimin korrekt të MSA-së dhe si një shtysë për procesin e integrimit europian. Këto reforma, megjithë nevojën që imponon stadi i ri në të cilën ndodhet vendi, kanë ecur ngadalë dhe nuk janë realizuar në afatet e parashikuara. Iniciativat për ndryshimin e Ligjit për KLD-në, Ligjit për Pushtetin Gjyqësor dhe Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që kanë qenë të shkëputura në kohë, por kanë rezultuar edhe të cunguara. Njëheri këto nisma janë karakterizuar nga procese të izoluara, ku aktorët kryesorë ose asistenca teknike, qoftë e vendit apo evropiane dhe ndërkombëtare është përfshirë në faza të vonshme të procesit, duke dëmtuar synimin e iniciativave, por edhe cilësinë e rezultatit të pritshëm.
Tregues i mungesës së një procesi transparent e gjithëpërfshirës është edhe fakti që ende sot e kësaj dite Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor nuk ka kaluar për miratim në seancën plenare të Kuvendit. Reformat në pushtetin gjyqësor, për vetë rëndësinë që paraqesin, duhet të vijnë si rezultat i një konsensusi të gjerë politik, siç përcakton Kushtetuta dhe pas një konsultimi të gjerë me juristët dhe misionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në këtë fushë. Problematikat që duhen adresuar kanë të bëjnë me karrierën e gjyqtarit, pavarësinë dhe mbrojtjen kushtetuese, emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve, ndarjen më të qartë të kompetencave midis inspektorateve të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë, riorganizimit të gjykatave, përcaktimin e statusit të administratës gjyqësore. Gjendja në vendet e paraburgimit, sidomos atyre në varësi të Ministrisë së Brendshme vazhdon të mbetet e rëndë duke mos shënuar përmirësim në raport me vitin që shkoi. Ndonëse kalimi i sistemit të paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë duhej të përfundonte në prill të vitit 2004, pjesa më e madhe e vendeve të paraburgimit vazhduan të qëndrojnë de facto në varësi të Ministrisë së Brendshme deri në shkurt të vitit 2007. Transferimi i të gjitha vendeve të paraburgimit nga ambientet e komisariateve në burgje dhe institucionet e paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe marrja në administrim e tyre përfundoi në 1 korrik të vitit 2007. Reforma në fushën e përmbarimit nuk ka shënuar përparim. Gjatë periudhës së monitorimit ishte parashikuar miratimi i një sërë nismash të rëndësishme ligjore të cilat nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë ende të jenë në proces diskutimi. Këto nisma ligjore kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor dhe synojnë rritjen e numrit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, forcimin e imazhit publik të shërbimit përmbarimor në Shqipëri, rritjen e efektivitetit, transparencës, profesionalizmit dhe të buxhetit financiar të këtij shërbimi.

Përparimi me minoritetet

Përparimi në fushën e minoriteteve mbetet i kufizuar duke qenë se nuk është ndërmarrë asnjë nismë për amendimin e ligjit për shtypin, me qëllim që të rriteshin garancitë ligjore për lehtësimin e aksesit të minoriteteve në media, në përputhje me Konventën kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Ende nuk është realizuar gjithashtu amendimi i Kodit Zgjedhor për plotësimin e tij me dispozita përkatëse që të lejojnë përdorimin e gjuhës së minoriteteve gjatë fushatave elektorale në zonat ku ato banojnë.

Administra publike dhe decentralizimi

Funksionimi i administratës publike bazuar mbi parimet dhe kriteret e përcaktuara nga ligji për shërbimin civil nuk ka shënuar përparim. Nismat legjislative të parashikuara në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, nuk janë realizuar. Masat administrative dhe infrastrukturore të planifikuara mbeten të paplotësuara si pasojë e moszbatimit të legjislacionit në fuqi që rregullon statusin e nëpunësit civil në Shqipëri. Treguesit e zbatueshmërisë së vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil dhe gjykatave për nëpunësit civilë vazhdojnë të jenë mjaft të ulët. Instituti i Trajnimit të Administratës Publike ka vazhduar aktivitetet normale të trainimit të administratës publike si pasojë e mbulimit me fonde të caktuara posaçërisht për to.
Procesi i decentralizimit ka ecur me ritme të ngadalta pasi angazhimi i deritanishëm i qeverisë është materializuar kryesisht në ndryshime ligjore që rregullojnë aspektet financiare të decentralizimit. Përveç ngadalësisë në përgatitjen dhe miratimin e ligjeve, thellimin e procesit të decentralizimit e pengojnë edhe faktorë politikë të tillë si marrëdhëniet midis qeverisë qendrore të kontrolluar nga njëra parti dhe njësive kryesore të qeverisjes vendore që kontrollohen kryesisht nga opozita.


 

Tirana dhe Brukseli pas nënshkrimit të MSA-s

Shoqëria civile kundërshton amendimin e ligjit për të drejtën e informimit

Intervistë me z. Çapajev Gjokutaj, drejtor ekzekutiv i fondacionit Soros



 
 
 

 

home