10 prill 2006
Më 10 prill u zhvillua nga Rrjeti i Shoqërisë
së Hapur për Shqipërinë – NOSA takimi
me temë “Autonomia institucionale dhe financiare
e shkollave të larta”.
Ky takim organizohej në kuadër të
debatit që ka përfshirë strukturat universitare
dhe publikun pas iniciativës për ndryshimin e ligjit
të arsimit të lartë nga ana e MASH dhe aktorë
të tjerë qeverisës.
Takimi synonte të krijonte hapësirën e nevojshme
për grupet e ndryshme të interesit në këtë
debat, të siguronte mundësinë e shprehjes dhe
përqasjes së mendimit. Gjatë këtij takimi
NOSA identifikoi nevojat për ekspertizë që
kanë komunitetet brenda universiteteve.
Çështjet kryesore që u parashtruan
lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë
me Autonominë e Universiteteve. Ato prekën:
- aspekte të strukturave vendim-marrëse të
shkollave të larta,
- aspekte të strukturave zgjedhore përkundrejt
atyre mikste ose të emëruara,
- çështjen e autonomisë financiare si
një e drejtë thelbësore e shkollës së
lartë, si dhe
- çështjen e shpërndarjes së kompetencave.
Në rend të ditës ishin ligjëratat
e zotërinjve Artan Fuga dhe Hysen Çela. Pjesëmarrës
të tjerë në diskutim qenë përfaqësues
të debatit të sotëm universitar, akademik dhe
mediatik për autonominë universitare. Sipas zotit
Artan Fugës, shkaku kryesor i krizës së sotme
nuk është përzgjedhja e modelit aktual të
qeverisjes universitare, por keqzbatimi i tij dhe mungesa
e kuadrit të duhur ligjor për ta mbështetur
atë. Ndarja e pushteteve dhe prania e përfaqësuesit
aktiv të shtetit në universitetin shqiptar janë
dy prej propozimeve më të rëndësishme.
Zoti Hysen Çela e parashtroi autonomine financiare
të universitetit si një barazpeshim mes lirisë
për të administruar të ardhurat financiare
dhe përgjegjshmërisë në raport me këtë
liri. Ngritja e këshillave financiare ose e një
bordi thjeshtë financiar qenë dy prej propoziomeve
të tij. Gjatë takimit pati diskutime që niseshin
nga këndvështrime të ndryshme për vlefshmërinë
e modelit qeverisës dhe financiar të universitetit.
Debatuesit sollën gjithashtu edhe përvojat e tyre
në këto çështje.
Drejtori i Programit “Mbështetja
e arsimit të lartë” i Institutit të Shoqërisë
së Hapur, Budapest, i pranishëm në këtë
takim, zoti Rhett Bowlin, u shpreh i gatshëm të
ndihmojë me ekspertizë për thellimin e debatit
në qarqet universitare në mënyrë që
të arrihet në një draft sa më funksional.
|