18 tetor 2007
Perceptimi i publikut shqiptar për integrimin europian ka qenë në qendër të sondazhit periodik “Shqipëria dhe BE, përfytyrime dhe realitete”, organizuar edhe këtë vit nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (ISHSN) me mbështetjen e Rrjetit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA), të ambasadës së Mbretërisë së Spanjës dhe të fondacionit “F. Ebert”.
Rezultatet e sondazhit të zhvilluar në qershor 2007 në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë, Durrës, Krujë, Kavajë e Lezhë me mbi 1000 persona të të gjitha kategorive, tregojnë se mbështetja për futjen e Shqipërisë në BE është nga më të lartat në rajon, me rreth 93,8%. Gjithashtu nga të anketuarit BE-ja konsiderohet si partner i parë strategjik dhe pas saj renditet SHBA-ja.
Sipas sondazhit 82.8 për qind e te intervistuarve mendojnë se Shqipëria nuk është gati për t’u integruar dhe 14.4 përqind thonë se janë bërë pak përparime në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit të ligjit.
Në diskutimin e organizuar me këtë rast morën pjesë intelektualë, përfaqësues të administratës, të shoqërisë civile dhe gazetarë. Ishin të pranishëm edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kryetari i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, kryetari i komisionit parlamentar për integrimin europian, Ilir Meta, etj.
|