Në vitin 2003 u miratua nga Këshilli i Ministrave strategjia “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Romë”, e cila vendosi objektiva dhe parashikoi aktivitete konkrete  në disa fusha si:

  • Arsimi dhe edukimi
  • Trashëgimia kulturore dhe familja
  • Ekonomia, punësimi, ulja e varfërisë dhe mbrojtja sociale
  • Shëndetësia dhe infrastruktura
  • Rendi publik, drejtësia, administrata civile

Në vitin 2005 OSFA ndërmori një projekt për të monitoruar zbatimin e kësaj strategjie. Përmes një studimi të realizuar nga ekspertë dhe financim të OSFA-së, dhe me ekspertizë nga Komiteti i Helsinikit dhe CRCA-ja, u bë vlerësimi i punës së bërë për periudhën 2003-2005 duke mbajtur parasysh objektivat e strategjisë sipas sektorëve, aktivitetet e planifikura, punën e bërë nga institucionet e ngarkuara për zbatimin e strategjisë, fondet e përdorura dhe të vëna në dispozicion për këtë strategji, respektimin e afateve kohore dhe përmbushjen e objektivave nga pikëpamja sasiore (bazuar në treguesit e monitorimit të strategjisë).

Raporti i grupit të punës u publikua në qershor 2006. Qëllimi i këtij vlerësimi është të sensibilizojë opinionin për arritjet dhe dobësitë që janë vënë re në zbatimin e kësaj strategjie, të bëjë rekomandime që do të ndihmojnë në integrimin më të mirë të këtij komuniteti me komunitetet e tjera, do të përshpejtonin përfshirjen sociale dhe do të përmirësonin statusin ekonomik të Romëve në të gjithë vendin.

Pas publikimit të raportit OSFA ka nisur organizimin e një  fushate informuese për shkallën e zbatimit të objektivave të strategjisë kombëtare për Romët. Në zona të ndryshme të vendit do të zhvillohen takime me tematikë të specializuar me grupet e interesura. Këto grupe do të nxiten që të rrisin kapacitetet e bashkëpunimit mes tyre për të ndjekur në vazhdimësi zbatimin e strategjisë në të gjitha fushat.