Xhorxh Soros

Xhorxh Soros lindi më 12 gusht 1930 në Budapest. Më 1947 emigron në Angli dhe diplomohet në Shkollën Ekonomike të Londrës më 1952. Pas 4 vjetësh, më 1956 largohet për në SHBA dhe fillon veprimtarinë financiare në bursat e Londrës dhe Nju Jorkut. Më 1969 krijon Fondin e Investimeve (Quantum Fund), një firmë private menaxhimi e cila jep konsulencë për investimet dhe e ka prezantuar Xhorxh Sorosin si një nga financierët më të suksesshëm në botë.

E fillon aktivitetin bamirës më 1979, kur krijon në Nju Jork Fondin e Shoqërisë së Hapur dhe nis themelimin e Fondacioneve Lokale të Shoqërisë së Hapur fillimisht në Hungari (1984) pastaj në Bashkimin Sovjetik (1987). Sot rrjeti i fondacioneve shtrihet në mëse 30 vende duke përfshirë edhe Mongolinë, Haitin, Guatemalën, Afrikën e Jugut dhe SHBA. Këto fondacione ndihmojnë në ndërtimin e infrastrukturës dhe institucioneve të një Shoqërie të Hapur nëpërmjet mbështetjes së një sërë programesh rajonale dhe lokale në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, medias, botimeve, etj.

Përveç shumë artikujve mbi financat dhe ndryshimet politike e ekonomike në Europën Qendrore e Lindore, Xhorxh Soros është autor edhe i një vargu librash si: Alkimia e Financave(1987), Hapja e Sistemit Sovjetik(1990), Duke Garantuar Demokracinë(1991) dhe Sorosi për Sorosin: Të zotërosh situatat (1995), Kriza e Kapitalizmit Global(1999). Filozofia e tij mbështetet në konceptin e Karl Poperit për Shoqërinë e Hapur, koncept që e njohu dhe e bëri të vetin që kur ishte student.

Xhorxh Soros mban mjaft tituj nderi e çmime të dhëna nga qendra akademike të mirënjohura si New School for Social Research (New York) dhe Universiteti i Oksfordit më 1980, nga Universiteti Ekonomik i Budapesit dhe Universiteti i Yales në SHBA më 1991. Më 1995, Universiteti i Bolonjës i akordoi çmimin më të lartë të tij, Doktor Honoris Causa, për nxitjen e Shoqërisë së Hapur nëpër botë. Në shtator të vitit 1999, Presidenti i Republikës së Shqiperisë Rexhep Mejdani, i akordoi Xhorxh Sorosit për kontributin e tij në nxitjen e vlerave të shoqërisë së hapur në Shqipëri urdhërin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".