Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Që në fillesat e veprimtarisë së OSFA-së në Shqipëri, në vitin 1992 nisi edhe mbështetja për përmirësimin e qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Duke filluar nga vit 1996 e në vijim, mbështetja për administratën publike mori trajtat e një programi të mirëfilltë. Në hartimin e strategjisë, OSFA mori parasysh pamjaftueshmërinë e traditës demokratike të institucioneve shqiptare, të trashëguar nga sistemi totalitar. Pas krizës së vitit 1997, doli edhe më shumë në pah nevoja për ngritjen dhe forcimin e institucioneve publike si dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare në to.
Në vitin 1998 Programi i Administatës Publike zgjeron prioritetet duke synuar përmirësimin e legjislacionit në fushën e administratës publike, rritjen e kapaciteteve institucionale të administratës qendore e vendore, ngritjen e kapaciteteve të shoqatave të sapokrijuara të pushtetit vendor, zgjidhjen e problemeve të komunitetit, pavarësisht ngjyrave politike. Njëkohësisht, programi mbështeti hapjen e administratës publike ndaj qytetarëve shqiptarë duke e sjellë atë më afër tyre nëpërmjet forcimit të komunikimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proçeset e vendimarrjes.
Gjatë vitit 2000 e më pas, qëllim madhor i programit të administratës publike bëhet konsolidimi i qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve; rritja e përgjegjshmërisë dhe e transparencës në raport me publikun, përmirësimi i shërbimeve publike etj. Për të realizuar këto objektiva u punua në disa linja si: rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje në nivel baze, rritja e transparencës duke nxitur marrjen e informacionit nga qytetarët, mbështetja e procesit të decentralizimit, etj.
Ndër projektet më të sukseshme të Programit të Administratës Publike përmendim:

Programi Master në Administratën Publike
Ngritja e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike
Zyrat e informimit të qytetarëve pranë bashkive
Informatizimi i bashkive
Forcimi i kapaciteteve në pushtetin vendor
Forcimi i organizatave me bazë komunitare në nivel bashkie e komune
Ndihma për zhvillimin e organizatave të shoqërisë civile të tipit “Think-Tank”
Rritja e kapaciteteve të zyrave të zhvillimit
Përmirësimi i sistemit të mbledhjes së taksave në bashki

 

 

 

Programi Master në Administratën Publike

Në koordinim edhe me Programin e Fellowshipit, Programi i Administratës Publike parashikoi themelimin e studimeve pasuniversitare të nivelit Mastër dhe të diplomës ndërkombëtare në manaxhimin e ndërmarrjeve. Në vitin 2001, OSFA vendosi të ndërhyjë më tej e në mënyrë të strukturuar për të përgatitur specialistë të kualifikuar dhe të pajisur me të rejat bashkëkohore në nivelin Master, për të drejtuar dhe punuar në institucionet publike shqiptare. Viti 1997 dëshmoi se sa pak ishte bërë ende për të krijuar një numër njerëzish që shërbënin në administratën publike, që përveç entuziazmit të qenë të pajisur me nivelin e duhur të profesionalizmit, për të përballuar sfidat e zhvillimit.
Qëllimi i programit Master është të përgatiten individë të aftë për të zhvilluar dhe menaxhuar institucionet publike të një shteti demokratik në mënyrë transparente dhe efiçiente. Masteri i Administrimit Publik është ngritur pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin Ekonomik, për të përgatitur administratorë të aftë për sektorët publikë. Partnerët e fondacionit “Soros” në këtë program kanë qenë “USAID” dhe Universiteti “Lincoln” i Nebraskës, SHBA. Ndërsa kursi pasuniversitar për menaxhimin e ndërmarrjeve është ngritur në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ky kurs, si një bashkëpunim tripalësh mes Universitetit të Tiranës, OSFA-së dhe Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme, ofron njohuri të përparuara në menaxhim dhe diplomë të pranuar në nivel ndërkombëtar.


Ngritja e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike

Roli i ITPA-s është të ngrejë kapacitetet profesionale të administratës publike shqiptare duke trajnuar specialistë dhe drejtues të institucioneve publike. Mandati i tij përfshin nivelin qendror dhe atë vendor si dhe fusha të specializuara të veprimtarisë së administratës. Veprimtaria ka filluar në vitet 2000 dhe institutit i është dashur të përballet me përgatitjen e një game të gjerë trajnimesh për punonjësit e shërbimit civil. Ndër të tjera, ai kryen edhe vlerësimin e nevojave për trajnim të punonjësve të institucioneve publike dhe, në përputhje me gjetjet, harton programin e trajnimeve duke qenë një instrument kyç për aftësimin e administratës publike shqiptare në përputhje me standardet e kërkuara për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian.
Projekti ka siguruar mbështetje për ngritjen dhe konsolidimin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike nëpërmjet trajnimit të stafit të institutit, trajnerëve që përdor instituti, përgatitjes së kurrikulave për temat e ndryshme të trajnimit, përgatitjes dhe botimit të materialeve mësimore, mbështetjes për bibliotekën me fonde librash dhe trajnimin e personelit përkatës, futjen e internetit dhe krijimin e një faqeje të institutit në internet. Ndonëse nuk ka qenë e vetmja, mbështetja e OSFA-s ka shërbyer si një fillesë e mbarë dhe shtysë edhe për donatorë të tjerë për të vazhduar mbështetjen institucionale ndaj ITPA-s. Megjithëse ITPA-ja ka ende shumë për të bërë për të përmbushur nevojat e gjera për forcim kapacitetesh të administratës publike, ai tashmë mund të quhet një institucion pak a shumë i konsoliduar, me programe institucionale dhe plane pune të qarta.

Zyrat e informimit të qytetarëve pranë bashkive

Fillimisht qëndrat e informimit të qytetarëve janë ngritur në bashkëpunim me Programin e Administratës Publike në Shqipëri, të financuar nga “USAID”. Pikënisje ishte nevoja për të kontribuar në hapjen e bashkive ndaj komunitetit, për të futur përvoja dhe praktika të reja që do të mundësonin zbatimin e reformave në fushën e decentralizimit. Ngadalësia e vërejtur në proçesin e decentralizimit kishte krijuar mangësi në realizimin e transparencës ndaj publikut, cilësinë e shërbimeve që ofroheshin dhe mënyrën e përdorimit të fondeve. Për të nxitur një administratë publike të përgjegjshme dhe transparente, Fondacioni “Soros” i dha një mbështetje të fuqishme krijimit të qendrave apo zyrave të informimit të qytetarëve në shumë bashki të interesuara. Në qendrat e informimit të qytetarëve pranë bashkive u ngritën struktura që lehtësojnë komunikimin dypalësh bashki-qytetarë. Qasja e OSFA-s në këtë fushë ka qenë e larmishme. Programi ka mbështetur gjithsej 14 bashki ose 21.5% të numrit të përgjithshëm të bashkive për të ngritur dhe vënë në funksionim projekte të kësaj natyre. Modelet e krijura janë zyra të thjeshta informimi në Kuçovë, Gramsh, Rrëshen, Lezhë, Përmet, Këlcyrë; qendra të specializuara si qendra për shërbime sociale dhe informacion në bashkinë e Elbasanit apo zyra për lehtësimin e proçedurave të liçensimit në Kuçovë dhe Berat; qendra të integruara informimi në Durrës, Shkodër, Pogradec, Korçë, Sarandë. Projektet janë zbatuar në zona të ndryshme të vendit dhe bashkitë kanë përfituar nga shkëmbimi i përvojave mes tyre.
Projektet e kësaj natyre kanë patur për qëllim t’i shërbëjnë si qytetarëve për zgjidhjen më të shpejtë dhe efektive të problemeve të tyre individuale apo kolektive, po kështu edhe vetë bashkive e punonjësve të tyre për të dhënë një shërbim më të shpejtë e të kulturuar, e për ta bërë ketë sa më të organizuar e praktik. Konkretisht, qendrat apo zyrat ofrojnë informacion bazë mbi veprimtarinë e zyrave të ndryshme në bashki, mbi veprimtarinë dhe vendimet e këshillit bashkiak, realizojnë komunikim me të mirë me mediat vendore, komunitetin e biznesit dhe komunitetin në tërësi, si dhe tërheqin mendimet e komunitetit për probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ndryshme që jep bashkia.

Informatizimi i bashkive

Paralelisht dhe në përforcim të proçesit të rritjes së transparencës ndaj publikut u ndërmor informatizimi i dy prej bashkive më të mëdha në vend, asaj të Tiranës dhe asaj të Shkodrës. Qëllimi kryesor i këtyre projekteve ka qënë forcimi i kapaciteteve menaxhuese të bashkive dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Projektet përfshinin të gjithë sektorët e rëndësishëm të bashkive: sektorët e financës dhe ndihmës ekonomike, seksionin e shërbimeve publike dhe urbanistikës, arshivën dhe protokollin, zyrën juridike, krijimin e faqeve të internetit të bashkive, etj. Ato parashikonin kompjuterizimin dhe informatizimin e bashkive. Futja e teknologjive të reja të informacionit dhe ndërtimi i bazave të të dhënave për secilën nga bashkitë, të realizuara nëpërmjet këtij projekti, jo vetëm që kanë krijuar dhe rritur kapacitetet e bashkive për informim dhe shërbim më të mirë ndaj qytetareve, por edhe kanë nxitur punonjësit e bashkive për t’iu përshtatur sa më shpejt kërkesave të kohës për funksionimin e një administratë efiçiente dhe profesionale. Projekte të ngjashme, OSFA ka zbatuar në periudhën 2004-2005 edhe në bashkitë Sarandë, Pogradec dhe Elbasan.
Krahas projekteve të informatizimit të plotë, Fondacioni “Soros” ka inicuar dhe projekte më të vogla informatizimi duke synuar në përmirësimin e shërbimeve në sektorë të veçantë të bashkive. Një nga projektet e zbatuara ka qenë ai i informatizimit të zyrave të gjendjes civile në bashkitë Gjirokastër, Pogradec dhe Njësinë Bashkiake nr. 11, Tiranë. Përmes këtyre projekteve është bërë i mundur informatizimi i plotë i regjistrave të gjendjeve civile në këto bashki me synim përmirësimin e shërbimit dhe krijimin e një modeli për menaxhim më të mirë të këtyre regjistrave. Modelet e krijuara janë marrë në konsideratë nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit në kuadër të projektit të madh që mendohet të nisë qeveria qendrore për informatizimin e regjistrit të shtetasve.

Forcimi i kapaciteteve në pushtetin vendor

Procesi i decentralizimit në Shqipëri u shoqërua gjithashtu me transferimin e përgjegjësive nga pushteti qendror tek pushteti vendor. Një nga vështirësitë e këtij proçesi ishte mungesa e njohurive dhe e burimeve njerëzore të kualifikura. Shqipëria është një vend që numëron 308 komuna, 65 bashki dhe 12 qarqe. Zbatimi i Strategjisë së Decentralizimit u shoqërua me rritjen e nevojës për kualifikimin e burimeve njerëzore. Në këtë periudhë në Shqipëri nuk ishin krijuar akoma kapacitetet lokale që mund të jepnin trajnime. Në vitin 1999 OSFA, në bashkëpunim me donatorë të tjerë si “PNUD”, Banka Botërore, etj. filloi një projekt të madh trajnimi për të zgjedhurit vendorë, në bashkëpunim me fondacionin polak për pushtetin vendor. Në këtë program u trajnuan për një periudhë 2 javore, të ndarë në grupe 250 përfaqësues komunash, bashkish, qarqesh, punonjës të Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe një grup me përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë trajinimeve janë përcjellë njohuritë e nevojshme të zgjedhurve vendorë (kryetarë bashkish, komunash, këshillash bashkiake apo komunale) mbi mënyrën e drejtimit në pushtetin vendor. Krahas këtij projekti, në vitin 2001 janë inicuar dhe 3 projekte të tjera të trajnimit të përfaqësuesve të pushtetit vendor në modulet: zbatimi i ligjit të shërbimit civil, trajnimi i enteve prokuruese dhe informimi i qytetarëve si element i qeverisjes demokratike. Projektet u inician nga OSFA dhe u zbatuan në bashkëpunin me institucione shtetërore si Departamenti i Administratës Publike, Agjensia e Prokurimit Publik apo aktorë të tjerë në këtë fushe si VNG, ekspertë lokale, etj. Në projektet e trajnimit u përfshinë pjesa më e madhe e bashkive të Shqipërisë.
Gjatë viteve 2001-2005 u ndërmorën një seri trajnimesh masive në bashkëpunim organizata e donatorë të ndryshëm. Me Organizatën Hollandeze për Zhvillim, SNV, trajnimi përfshiu kryetarët e komunave, punonjësit e komunave dhe anëtarët e këshillave mbi bazë qarqesh. Cikli i trajnimeve përfshinte tre module: hartimi i planeve strategjike të zhvillimit, manaxhimi i burimeve njerëzore, komunikimi efektiv. Një program tjetër trajnimi i nisur vetëm për komunat ishte “Proçesi i buxhetimit modern”. Në këtë program u përfshinë 250 komuna të qarqeve Vlorë, Fier, Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat, Elbasan dhe Korçë. Në vitin 2004 u inicua dhe u përgatit një kurrikul e re me projektin “Menaxhimi i pronave publike”. Qëllimi kryesor i projektit ishte të jepte trajnime për stafet e bashkive dhe qarqeve për të zbatuar reformën e re për transferimin e pronave tek pushteti vendor. Në projekt u përfshinë 65 bashki dhe 12 qarqe. Në vitin 2005, për t’iu përgjigjur nevojave të pushtetit vendor për të përmirësuar veprimtarine e tij në shërbim të grupeve në nevoje, u iniciua një kurrikulum i ri trajnimi “Program trajnimi për punonjësit socialë që merren me personat me aftësi të kufizuar”. Qëllimi i këtij programi ishte të jepte njohuri ligjore dhe praktike për trajtimin e këtyre grupeve të veçanta drejtpërdrejtë tek personat që punonin me këto grupe.

Forcimi i organizatave me bazë komunitare në nivel bashkie e komune

Ky projekt përbën një nga bashkëpunimet institucionale të OSFA-s me partnerë të tjerë të angazhuar në përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri. Në vitin 2002 u bashkëfinancua programi i qeverisjes lokale të “PNUD”-it me titull “Mbështetja e organizatave me bazë komunitare në komuna e bashki”, për të planifikuar, caktuar prioritete dhe zbatuar projekte të vogla për zhvillimin e komunitetit. Duke qenë pjesë e një programi më madhor për forcimin e qeverisjes vendore, ky projekt synonte të nxiste demokratizimin dhe forcimin e organizatave me bazë komunitare si pika hyrjeje për hartimin dhe realizimin e projekteve të vogla, që pakësojnë varfërinë dhe rrisin sigurinë njerëzore në zonat përkatëse. Burimet e ofruara nga OSFA, nëpërmjet projektit, janë përdorur për të rritur aftësinë e grupeve të qytetarëve dhe fshatarëve, sidomos atyre të varfër, për të shprehur dhe mbrojtur nevojat dhe interesat e tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në proçeset e qeverisjes vendore.
Projekti pati shtrirje në qarqet: Kukës, Fier e Gjirokastër. Janë dhënë grante për zbatimin e projekteve nga këto grupe në bashkëpunim me pushtetin vendor përkatës dhe me vetë komunitetin, sipas planeve të miratuara nga të gjitha palët. Projektet e zbatuara kanë përmirësuar infrastrukturën vendore më të domosdoshme për banorët si dhe kanë ngritur nivelin e shërbimeve publike si arsimi e shëndetësia, etj. Miratimi i tyre është bërë nëpërmjet komiteteve të përzgjedhjes së projekteve, si një ushtrim praktik i aftësisë për të shprehur dhe mbrojtur zërin e komuniteteve. Një nga rezultatet e projektit ka qenë forcimi i qeverisjes demokratike vendore, ulja e varfërisë lokale. Projekti i kushtoi vëmendje të veçantë problemeve dhe nevojave të grave si dhe respektimit në përgjithësi të barazisë gjinore. Në plan afatgjatë, një nga ndikimet e projektit është ndërgjegjësimi i komuniteteve për të mirat e ndryshimit social, të arritura me anë të përpjekjeve dhe pjesëmarrjes së vetë qytetarëve dhe bashkëpunimit institucional. Gjithashtu u forcua besimi dhe mirëkuptimi reciprok mbi nevojavet dhe problematikat në komunitet. Projekti u mësoi palëve një metodë pune për zgjidhjen e problemeve me bazë bashkëpunimin dhe aktivizmin qytetar për ndryshime.

Ndihma për zhvillimin e OJF-ve të tipit “Think-Tank”

Në përputhje të plotë me filozofinë e tij të një shoqërie të hapur, OSFA ka ndikuar edhe në fuqizimin e organizatave civile me veprimtari në fushën e qeverisjes. Duke njohur rolin që luajnë këto organizma në gjenerimin e ekspertizës vendase dhe zgjidhjeve alternative për çështjet e mbarëvajtjes së demokracisë, qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit, OSFA i ka kushtuar një vemendje konstante rritjes së kapaciteteve të tyre institucionale dhe profesionale. Veçanërisht në një vend me demokraci të re si Shqipëria, ekzistenca dhe veprimtaria e organizatave që përpunojnë mendime dhe sugjerime alternative ndaj qeverisë për çështje me rëndësi madhore të zhvillimit, është e domosdoshme. Duke bërë një oponencë konstruktive të politikave shtetërore në bashkëpunim me mediat dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, por edhe me vetë strukturat qeveritare, këto organizata kanë fituar një reputacion të merituar si një aktor aktiv i demokracisë dhe debatit publik në vend.
Mbështetja për “Think-Tank”-et ka marrë trajta të ndryshme, në përputhje me rolin dhe perspektivën e organizatave të ndryshme. Për organizata relativisht me përvojë si Instituti i Studimeve Bashkëkohore, mbështetja ka qenë e tipit institucional, duke i krijuar këtij institucioni, nëpërmjet financimit të kostove të përditshme, kushte për t’u përqendruar në rritjen institucionale të njohurive dhe përvojës së fituar, si dhe pavarësisë dhe guximit profesional. Kjo lloj mbështetjeje ka qenë afatgjatë në natyrën e saj duke dhënë rezultate të dukshme në dhjetra studime dhe raporte cilësore të prodhuara nga ISB-ja, kryesisht për aspekte të ndryshme të qeverisjes në nivel të përgjithshëm dhe sektorial. Kohët e fundit, ISB-ja është bërë një nga aktorët nxitës të proçesit të decentralizimit, duke ofruar alternativa realiste dhe duke sjellë shpesh sëbashku në një tryezë aktorë të ndryshëm. 
Shumë OJF kanë marrë fonde për projektet e tyre studimore me një gamë të gjere temash me interes të mprehtë. Shumë prej ekspertëve të tyre janë mbështetur financiarisht për të ndjekur seminare dhe konferenca ndërkombëtare, që i kanë bërë ata pjesë të debateve ndërkombëtare për çështje me rëndësi për Shqipërinë, si dhe kanë zgjeruar horizontet e tyre. Edhe Programi i Felloëship-it ka dhënë një ndihmesë të ngjashme, duke financuar punën dhe qendrimin afatgjatë në organizata “Think-Tank” shqiptare të të rinjve të arsimuar dhe specializuar jashtë shtetit, krahas ekspertëve të atashuar në institucionet shtetërore. Tashmë, në diskutimet publike për çështjet e zhvillimit të vendit, vihet re prania e një numri organizatash aktive të shoqërisë civile si dhe thithja si këshilltarë në administratën publike sidomos qendrore, të një numri profesionistësh që më parë kanë punuar dhe janë trajnuar në “Think-Tank”-et e sektorëve përkatës. OSFA ka meritën e institucionalizimit të një bashkëpunimi dhe zhvillimi afatgjatë të organizatave të tilla, që tashmë përbëjnë një pasuri që po ndihmon aktivisht në zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike.

Rritja e kapaciteteve të zyrave të zhvillimit

Aktualisht, pushteti vendor është përfshirë gjithnjë e më tepër në iniciativa për gjetjen e burimeve të nevojshme dhe shfrytëzimin e potencialeve njerëzore, të cilat mund të përdoren për të rritur dhe përmirësuar nivelin e shërbimeve për komunitetin. Pranë bashkive janë krijuar zyrat e koordinim-zhvillimit, të cilat duhet të punojnë për hartimin e planeve perspektive të zhvillimit, duke përfshirë në këtë proçes të gjithë aktorët vendorë (pushteti vendor, komuniteti i biznesit, shoqëria civile, komuniteti). Mungesa e njohurive dhe e personeleve të trajnuara, në disa bashki, kishte sjellë ngadalësimin e këtij proçesi dhe shpesh herë pamundësinë për ta filluar atë. Për të nxitur punën e pushtetit vendor në këtë drejtim, OSFA mbështeti disa bashki me synim rritjen e kapacitetet e tyre. Qëllimi kryesor i projekteve ishte përmirësimi i punës për hartimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social për qytetin, me përfshirjen e të gjithë aktorëve të rëndësishëm vendorë.
Projektet e kësaj natyre kishin si synim të përmirësonin kushtet dhe organizimin e punës brenda këtyre departamenteve, përmes asistencës për të hartuar përshkrimet e punës, zhvillimit të platformave të kooperimit dhe mbështetjes me pajisje pune; dhënies së njohurive për personelet e bashkive dhe komisionet e këshillave bashkiake mbi metodologjinë e hartimit të politikave të zhvillimit, njohjen me përvojën e bashkive që kanë zbatuar projekte të ngjashme si dhe përmes përfshirjes dhe informimit më të mirë për grupet qytetare, OJF-të dhe komunitetin e biznesit brenda njësisë vendore. OSFA ka mbështetur me projekte të kësaj natyre kryesisht bashki të vogla dhe të pandihmuara nga projekte të tjera si bashkia Burrel, Bajram Curri, Laç, Pukë, Vlorë dhe Rubik. Kështu në bashkinë e Rubikut është përkrahur rritja e pjesëmarrjes qytetare në hartimin e planit strategjik të zhvillimit ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve qeverisëse të bashkisë, nëpërmjet zhvillimit të një sistemi të ri të manaxhimit të taksave dhe tarifave vendore. Në këtë mënyrë, është krijuar një infrastrukture për bashkëpunimin e bashkisë dhe komunitetit për hartimin e politikave, që mbështesin bizneset private, dhe rritjen e mundësive për punësim dhe të ardhurave në buxhetin e bashkisë.

Përmirësimi i sistemit të mbledhjes së taksave në bashki

Projekte të tilla janë zbatuar në bashkitë Kuçovë e Krujë, duke forcuar kapacitetet institucionale të zyrave të tatim-taksave në këto dy bashki, trajnimin e ekspertëve vendorë në manaxhimin e taksave lokale, informimin më të mirë të grupeve qytetare, organizatave jo-qeveritare dhe komunitetit të biznesit brenda juridiksionit të njësive vendore dhe duke arritur një shkallë sa më të lartë vetëqeverisjeje në nivel vendor. Bashkëfinancimi është bërë me programin hollandez “COMPASS” dhe nga vetë bashkitë përfituese. Trajnimet përkatëse kanë patur një nivel të lartë teknik, duke sjellë krahas metodologjisë së zbatuar në Shqipëri edhe përvojë ndërkombëtare bashkëkohore nga ekspertë të bashkive hollandeze.
Një projekt i ngjashëm është zbatuar me bashkitë Lushnjë, Kavajë dhe Ersekë, ku problemi është parë në një kuadër më të gjerë, si gjenerim dhe manaxhim i fondeve publike. Përveç taksave, është punuar edhe për përmirësimin e punës për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të bashkisë, duke informatizuar zyrën e financës dhe trajnuar punonjësit e saj. Bashkitë kanë përfituar një sistem pajisjesh kompjuterike, lidhjen e tyre në rrjet, softëare të dedikuara për bashkitë lidhur me administrimin e taksave, manaxhimin e buxhetit dhe të burimeve njerëzore, listë-pagesat dhe kontabilitetin, si dhe hedhjen e gjithë të dhënave përkatëse.