Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

 
 
 
 
 
   
 

Në planet strategjike të OSFA-s, Programi i Drejtësisë përfshin një plan veprimi të gjerë në disa nivele njëherësh. Si fillim, gjatë vitit 1997, me rishfaqjen e dukurisë së vetëgjyqësisë dhe të një klime të përgjithshme konflikuale në shoqërinë shqipare, OSFA nisi të mbështesë çështjet e zgjidhjes së konflikteve dhe të edukimit qytetar me parimet e dialogut. Krahas kësaj, nisi mbështetja edhe për çështjet e konsolidimit të shtetit, institucioneve publike e shtetit të së drejtës dhe përmirësimi i fragmentimit dhe disintegrimit social. Programi i Drejtësisë, veçanërisht për vitet 2000-2005, parashikoi si një nga qëllimet e tij të rëndësishme “Aksesin në drejtësi”. Ky qëllim dhe objektivat e tij përkatëse kishin si tregues kryesor hapjen dhe forcimin e klinikave të ndihmës ligjore, rritjen e numrit të klientëve në këto qendra, rritjen e bashkëpunimit me kanalet televizive dhe radiot për realizimin e emisioneve të veçanta mbi ligjin, botimin e teksteve “street laë”, rritjen e interesit nga aktorët dhe donatorët e tjerë. “Aksesi në drejtësi” u përcaktua si një nga shtyllat e Programit të Drejtësisë të OSFA-s. Kjo ndërhyrje do të zbatohej, kryesisht, përmes punës për krijimin dhe forcimin institucional të qëndrave të ndihmës ligjore, mbështetjes së operatorëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, të Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Ndërmjetësimit, si dhe përmes mbështetjes së projekteve të veçanta që do të kishin të bënin me “Aksesin në drejtësi”.   
Duke njohur rolin e klinikave ligjore në vendet në zhvillim në rritjen dhe përmirësimin e “Aksesit në drejtësi” dhe në luftën kundër varfërisë, Programi i Drejtësisë i OSFA-s ka synuar që klinikat ligjore të bëheshin një mjet i rëndësishëm në zbatimin e reformës ligjore për përmirësimin e aksesit në drejtësi, luftës ndaj korrupsionit dhe në zbatimin e strategjisë së përgjithshme për uljen e varfërisë në Shqipëri. Këto zhvillime kërkonin një rivlerësim të strategjive dhe të veprimtarive konkrete të shoqërisë civile, veçanërisht, të organizatave të të drejtave të njeriut si Komiteti i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut. Në mënyrë të veçantë, në planin strategjik të OSFA-s ishte përcaktuar mbështetja për Fondacionin Zgjidhja e Konflikteve dhe e Ndërmjetësimit, duke synuar uljen e numrit të vetëgjyqësisë. Do të jepej ndihmë ligjore dhe sociale për individët dhe grupet sociale në konflikt. Ndërhyrja e OSFA-s u bazua kryesisht në këtë plan strategjik por edhe duke mbajtur një qëndrim elastik ndaj tij për shkak të nevojave dhe prirjeve të reja të publikut shqiptar të vëna re nga vetë klinikat e krijuara dhe mbështetura nga OSFA, nga FZKM, Komiteti i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, si dhe në raport të ngushtë me politikat e integrimit europian të vendit.
Projektet më të sukseshme sipas fushave përkatëse, janë:

A. Ndihma ligjore

Klinikat ligjore
Rrjetit i klinikave ligjore
Klinikat ligjore dhe programet qeveritare
Ndihmesë në zbatimin e strategjisë për zhvillimin e komunitetit rom në Shqipëri
Shërbimet ligjore falas

B. Të drejtat e njeriut

Edukimi ligjor i të rinjve në komunitet
Ngritja dhe forcimi i rrjetit të korrespondentëve në rrethe
Së bashku për një shoqëri më demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut
Operatorët e të drejtave të njeriu

C. Zgjidhja e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve

Mbështetje për forcim institucional dhe krijim kapacitetesh të qendrës së FZKM-së
Programi i edukimit për paqe dhe zgjidhja e konflikteve në grupmoshat shkollore

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ndihma ligjore/Klinikat ligjore

Përdorimi dhe përfitimi nga të drejtat dhe liritë e parashikuara me ligj nuk është i njëjtë për të gjithë individët dhe shtresat shoqërore. Në varësi të shkallës së arsimimit dhe kushteve shoqërore, shërbimi ligjor në Shqipërinë e tranzicionit nuk u përgjigjej dot të gjitha shtresave dhe individëve. Këtë boshllëk do të duhej ta mbulonin sipas përvojës perëndimore klinikat ligjore. Këto klinika, që nisën të krijohen gjatë vitit 1999, të ndërtuara me mbështetjen e Programit të Drejtësisë të OSFA-së, janë pjesë e skemës joqeveritare të ndihmës ligjore në Shqipëri. Ato do të vepronin në ato fusha ku kishte mangësi të shërbimit të avokatisë si psh: për raste që kanë të bëjnë me sistemet e përfitimit të ndihmës sociale, çështje të së drejtës familjare (raste divorcesh, detyrimi ushqimor, etj), të së drejtës së punës, etj. Shërbimet ligjore falas, tashmë u krijojnë mundësi njerëzve dhe grupeve në nevojë, të përdorin në mënyrë të organizuar legjislacionin dhe ndihmën e strukturave të shtetit për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Që në fillimet e këtij projekti OSFA synoi që shërbimet ligjore në Shqipëri të zhvillohen të pavarura nga shteti. Financimi i tyre, krahas financimit të konsiderueshëm kryesor të OSFA, ka qënë tërësisht nga donatorë të huaj. Nëpërmjet krijimit, forcimit institucional dhe ndërtimit të kapaciteteve të këtyre klinikave ligjore, Programi i Drejtësisë i OSFA-së ka ndikuar drejtpërsëdrejti në:
- rritjen e cilësisë së gjykimit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në çështjet civile, në zbatimin real të së drejtës për një proces të rregullt;
- ndërtimin e një klinike alternative të ndihmës ligjore për çështjet penale në Shqipëri e cila u krijua dhe u mbështet nga Programi i Drejtësisë i OSFA-së dhe njihet si klinika e ligjit.
Po kështu, OSFA ka mbështetur klinikat ligjore që krahas shërbimit ligjor të ofrojnë edhe shërbim paraligjor duke mundësuar kështu aksesin e individëve dhe grupeve në nevojë edhe në organet e administratës shtetërore.   
Llojet e shërbimeve të janë të shumëllojshme si: këshilla ligjore të thjeshta, përpilimi i dokumenteve të ndryshme (si kërkesë-padi, etj), përfaqësime në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor dhe në Gjykatën Kushtetuese, duke siguruar kështu një premisë të rëndësishme për akses efektiv.
Programi i Drejtësisë i OSFA-së, në bashkëpunim me klinikat ligjore, ka punuar për lidhjen formale midis ndihmës ligjore dhe shërbimeve ligjore private, për ndërgjegjësimin e komunitetit të juristëve, veçanërisht të gjyqtarëve dhe avokatëve privatë për rëndësinë e klinikave ligjore. Kohët e fundit, shërbimet ligjore falas kanë tërhequr edhe shërbime vullnetare nga avokatët apo zyrat private të avokatisë. Gjithashtu, pjesëmarrja e Dhomës Kombëtare të Avokatisë në përpjekjet e klinikave ligjore për përfshirje në ligj të detyrimit të avokatëve për ofrim të ndihmës ligjore mund të cilësohet si një ndër arritjet e sukseshme të mbështetura nga OSFA. Klinikat ligjore të ngritura dhe mbështetura nga OSFA gjatë viteve 2000 – 2005 kanë qënë: Shërbimi Ligjor Falas, Tiranë (TLAS), Klinika e Ligjit, Klinika e të Miturve, Projekti i Ndihmës Ligjore, Vlorë, etj.

Ndihma ligjore /Rrjeti i klinikave ligjore

Në shkurt të vitit 2002, me nismën dhe mbështetjen e Programit të Drejtësisë të OSFA-s u organizua Konferenca e Parë Kombëtare e Ndihmës Ligjore. Në të morën pjesë përfaqësues të të gjitha klinikave të ndihmës ligjore në Shqipëri, përfaqësues të komunitetit ligjor dhe komunitetit të donatorëve, etj. Kjo konferencë, veç paraqitjes së punës dhe problematikave që ndeshte ndihma ligjore, shërbeu për përvijimin e disa nismave të reja me rëndësi për të ardhmen e këtij shërbimi. Një nga përfundimet e rëndësishme të Konferencës së Parë Kombëtare të Ndihmës Ligjore ishte formalizimi i Rrjetit të Klinikave Ligjore. Formimi i këtij rrjeti krijoi mundësinë për përmirësim të bashkëveprimit me misione, vizione dhe objektiva pothuaj të përbashkëta. Si rrjedhojë, do të forcohej ndikimi dhe veprimi i komunitetit të klinikave ligjore. Mënyra se si kanë vepruar këto klinika, në kuadër të rrjetit, është një zbatim i parimit të çmuar të Angeles Arrien: “Njerëzit të cilët kanë një drejtim të përbashkët dhe synime të përbashkëta, mund t’i arrijnë ato shumë më shpejt bashkërisht se sa po të vepronin të veçuar”.
Për më shumë se pesë vjet, në gjirin e avokatisë në Shqipëri, nga Programi i Drejtësisë i OSFA-s është përkrahur një grup avokatësh, të cilët punojnë për njerëzit në nevojë. Janë bërë përpjekje që ky grup të rritet për të krijuar kapacitetet e nevojshme që të përdoren si burim nga operatorët e ndihmës ligjore. Gjithashtu, avokatia e ushtruar në ndihmë të njerëzve në nevojë, përveçse përçon vlera të veçanta profesionale, ndikon në cilësinë e përgjithshme të aksesit ndaj drejtësisë. Gjatë viteve 2000-2005 janë bërë pjesë e këtij programi mbi 30 studentë të Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Shkencave Sociale. Vlen të përmendet puna e bërë nga Klinika e Ligjit e Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), për krijimin e kontigjenteve të juristëve të rinj që do të përfshiheshin në shërbimin e ndihmës ligjore.        
Programi i Drejtësisë ka ndikuar në krijimin e modeleve të ofrimit të ndihmës ligjore në Shqipëri. Ai ka dhënë mbështetjen e duhur që përvoja dhe kapacitetet e klinikave të para ligjore të përcillen, nëpërmjet konsulencës dhe trainimit të personelit, për klinikat më të vonshme të krijuara dhe mbështetura nga OSFA. Përmendim këtu ndihmën e dhënë nëpërmjet shërbimit të konsulencës dhe trainimit nga Shërbimi Ligjor Falas, Tiranë (TLAS) në vitin 2002 për projektin e Ndihmës Ligjore, Vlorë. 

Ndihma ligjore /Klinikat ligjore dhe komuniteti rom në Shqipëri

Midis grupeve që kanë përfituar nga ndihma dhe shërbimet e klinikave ligjore, Bashkësia Rome ze një vend të rëndësishëm. Që në fillim të veprimtarisë së tyre, klinikat ligjore të mbështetura nga Programi i Drejtësisë kanë patur një kujdes të veçantë për plotësimin e nevojave ligjore të këtij komuniteti. Duke qenë se problemi i mosregjistrimit të lindjeve të fëmijëve romë ishte evidentuar qartë nga Strategjia Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom në Shqipëri, klinikat ligjore nisën punën për të dhënë ndihmesën e tyre edhe në këtë çështje
Klientët dhe individët romë që kanë përfituar nga zbatimi i shërbimeve të mirëfillta ligjore të ofruara nga klinikat ligjore arrijnë në më shumë se 500 veta. Psh vetëm në një prej klinikave ligjore, në Shërbimin Ligjor Falas, Tiranë (TLAS), janë mbaruar procedurat gjyqësore dhe administrative për regjistrimin e lindjeve për më shumë se 150 individë romë. Nga puna e klinikave ligjore, ky komunitet ka përfituar të gjithë radhën e shërbimeve ligjore. Po kështu, nëpërmjet organizimit të seminareve, janë ndërgjegjësuar përfaqësues të shoqatave rome mbi të drejtat dhe detyrat e tyre, për rëndësinë e forcimit dhe mirëfunksionimit ligjor të shoqatave. Më tej, klinikat ligjore kanë bërë edhe regjistrimin ligjor të shoqatave me anëtarë nga komuniteti rom.
Ndërhyrja e klinikave ligjore të mbështetura nga Programi i Drejtësisë dhe veçanërisht, e Klinikës së të Miturve dhe Shërbimit Ligjor Falas Tiranë (TLAS) për regjistrimin e komunitetit rom ka qenë shumë e rëndësishme. Mosregjistimi për këtë komunitet, por jo vetëm për ta, thellon më tej dallimin në integrimin social e politik të këtij komuniteti. Por, si një ndër pasojat më të rënda, veçohet mundësia që personat e paregjistruar të jenë potencial trafikimi i patreguar askund. Mbështetja e OSFA-s ka bërë të mundur zbutjen e këtyre pasojave, së paku, për personat e regjistruar drejtpërdrejt nga klinikat ligjore.   
Ndërgjegjësimi i komunitetit rom mbi pasojat që sjell mosregjistrimi i lindjeve ka qënë një nga prioritetet e klinikave ligjore. Kështu, krahas aktiviteteve me anëtarët e disa shoqatave rome, klinikat ligjore kanë zhvilluar edhe aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut të tipit “street laë” në zonat periferike të Tiranës, Fushë-Krujës, Lushnjës, etj, zona ku ka përqëndrime të mëdha romësh.

Ndihma ligjore /Shërbimet ligjore falas

Shërbimet ligjore falas kanë ndikuar në përmirësimin dhe në rritjen e kulturës demokratike të qytetarëve si në ndërgjegjësimin e strukturave shtetërore për probleme të rëndësishme të individëve dhe grupeve në nevojë e pa përkrahje. Nëpërmjet shërbimeve ligjore falas, qytetarët janë informuar dhe mësuar si të mbrojnë të drejtat e tyre ligjore, si të komunikojnë me strukturat shtetërore dhe si të përdorin legjislacionin me mjete demokratike dhe institucionale, në interes të tyre. Shërbimet ligjore falas, nëpërmjet botimeve të shumëllojshme të tyre, të cilat janë përgatitur për grupet e synuara përkatëse, dhe nëpërmjet veprimtarive të tipit “street laë” kanë dhënë informacion mbi të drejtat ligjore të shtetasve dhe i kanë ndërgjegjësuar ata se legjislacioni është për të gjithë dhe duhet të jetë i zbatueshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Një tregues i qartë i rolit të shërbimeve ligjore falas në ndërgjegjësimin e shtetasve për zgjidhjen e problemeve të tyre me mjetet që u jep shteti dhe ligji është ulja e rasteve të vetëgjyqësisë në këto kategori në nevojë, si rrjedhim i mundësisë së përdorimit të shërbimeve ligjore falas. (Ky përfundim është nxjerrë nga informacionet e marra nga pyetësorët e përgatitur, shpërndarë dhe përpunuar nga klinikat ligjore dhe të plotësuara nga klientët e klinikave ligjore). Po kështu, nëpërmjet botimeve, të cilat bazohen në të dhëna statistikore të mbledhura nga puna e përditshme e qendrave të shërbimeve ligjore falas, janë ndërgjegjësuar edhe shumë struktura shtetërore dhe joshtetërore jo vetëm për shumë probleme ligjore të grupeve dhe individëve në nevojë por, edhe për nevojën e shërbimeve ligjore për njerëzit në nevojë.
Ndihma ligjore e ofruar nga klinikat ligjore ka dhënë kontribut edhe në fuqizimin e grupeve në nevojë dhe pa përkrahje duke mundësuar organizimin dhe regjistrimin ligjor të tyre në shoqata të veçanta. Kështu, gjatë viteve 2000-2005, vetëm Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë (TLAS) ka regjistruar mbi 20 shoqata të individëve dhe grupeve në nevojë. Ndihma ligjore ka ndihmuar në ndërtimin e besimit se shoqëria nuk i ka lënë pas dore njerëzit në nevojë dhe pa përkrahje, por i respekton ata si qënie njerëzore me të drejta dhe liri universale. Ofrimi i ndihmës ligjore nga klinikat ligjore në këto vite ka patur ndikimin e saj për vetë gjykatën, shtetin dhe për komunitetin e juristëve.

Të drejtat e njeriut/Edukimi ligjor i të rinjve në komunitet

Ky projekt synonte vëzhgimin e cilësisë së të drejtat e të rinjve, rastet e shkeljeve të tyre, si dhe nevojat për informim ligjor. Në qendër të vëmendjes qenë të rinjtë e grupmoshës 14-18 vjeç. Objektivat e projektit përqëndroheshin në njohjen e gjendjes së respektimit të të drejtave të të rinjve dhe nevojave të tyre për informim, informimin e të rinjve rreth ligjit dhe mundësive që u ofron atyre shteti dhe shoqëria për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre, orientimin e tyre në zgjidhjen e situatave të ndryshme konfliktuale. Për realizimi e objektivave u zhvilluan veprimtari të llojeve të ndryshme, si anketim rreth shkeljes së të drejtave të të rinjve, programe të edukimit ligjor në radio “Tirana” dhe organizime të seminarëve edukuese në shkollat periferike të Tiranës.
Anketimi u krye në 27 shkolla të mesme të përgjithshme, profesionale, publike dhe private në qytetin dhe zonat përreth Tiranës. U zhvilluan 1509 anketa dhe përfundimet e tij u publikuan në një botim të veçantë i cili u vu në dispozicion të publikut.
Programi i edukimit ligjor në radio “Tirana” përbëhej nga një cikël prej 6 emisionesh të cilat u realizuan në periudhën shtator-nëntor 2001. Emisionet u realizuan me juristë dhe mësues të shkollave të mesme të Tiranës. Të rinjtë kanë qënë të pranishëm në emisione nëpërmjet intervistave, diskutimeve, si dhe pyetjeve të drejtpërdrejta në studio.
Seminaret në shkollat periferike të Tiranës u realizuan në 10 të tilla me përfaqësues të qeverive të nxënësve dhe të ftuarit e tyre. Nëpërmjet orëve të demonstruara u nxit krijimi i strukturave pilot të vetveprimit të nxënësve, në tërësi, dhe të qeverive të nxënësve, në veçanti. Këto struktura pilot, tashmë, përbëjnë bërthamën komunitare për edukimin ligjor në komunitetet ku ata jetojnë dhe mësojnë.             
 
Të drejtat e njeriut/Ngritja dhe forcimi i rrjetit të korrespondentëve në rrethe

Në një vend demokratik, të drejtat dhe liritë e njeriut janë çështje e të gjithë qytetarëve së bashku. Për ta kryer në mënyrë sa më funksionale këtë mbrojtje vetë shoqëria gjeneron mjetet dhe organizmat që do ta ndihmojnë në këtë mision. Pikërisht, ngritja dhe forcimi i rrjetit të korrespondentëve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shërbeu për thellimin e këtij procesi në të gjithë vendin dhe jo vetëm në kryeqytet. Projekti u zhvillua nga janari 2002 deri në dhjetor 2005. Rrjeti u ndërtua me korrespondentë në shtatë rrethe të vendit, si Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë, Shkodër, Kukës dhe Gjirokastër. Korrespondentët u përgatitën nëpërmjet trainimeve të zhvilluara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Vëzhgimet, hetimi i letrave dhe ankesave të qytetarëve nga rrjeti i korrespondentëve është kryer, kryesisht, në rrethet ku shtrihet rrjeti, por jo vetëm aty. Shpesh herë, vënia në dukje e shkeljeve të të drejtave të njeriut, ka qënë nismë e vetë qytetarëve të cilët kanë informuar korrespondentët dhe, këta të fundit, janë vënë në veprim të vërtetimit të këtyre shkeljeve. 
 Rrjeti i korrespondentëve ka ndërmarrë disa misione vëzhgimi në fushën e të drejtave të qytetarëve. Disa nga problemet e ngritura nga korrespondentët kanë qenë: respektimi i të drejtave të qytetarëve në kontakt me organet e rendit, respektimi i të drejtave të qytetarëve në kontakt me institucionet e shërbimit shëndetësor parësor dhe atij dytësor nëpër rrethe, respektimi i të drejtave të punëtorëve të punësuar në firmat private, respektimi i të drejtave të emigrantëve shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, respektimi i të drejtave të njeriut nga mediat, veçanërisht, nga ato vendore. Me rezultatet e misioneve të vëzhgimit janë hartuar raportet përkatëse, të cilat së bashku me rekomandimet, janë vënë në dijeni të publikut dhe, veçanërisht, të organeve të cilët kanë qënë objekt vëzhgimi nga korrespondentët. 
Disa nga arritjet dhe të rejat që ka sjellë veprimtaria e këtij rrjeti janë:
- Qytetarët e thjeshtë, nëpërmjet korrespondentëve të KSHSH-së, kanë ngritur zërin në rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut; kontakti me KSHSH-në ka qënë më i lehtë dhe këtë e dëshmon fakti që numri i qytetarëve në rrethe që kanë kontakuar korrespondentët e KSHSH-së ka qënë gjithnjë në rritje.
- Qytetarët e thjeshtë kanë marrë infomacion mbi të drejtat e tyre dhe rrugët që duhet të ndiqen në rast se këto të drejta shkelen; kjo është realizuar nëpërmjet bisedave të drejtpërdrejta me qytetarët, publikimeve të KSHSH-së, si edhe nëpërmjet emisioneve të ndryshme në radiot dhe kanalet televizive lokale.
-  Është kontribuar për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në rrethet ku kanë qenë të pranishëm korrespondentët e rrjetit duke reaguar publikisht në median e shkruar dhe atë elektronike; korrespondentët u kanë bërë presion organeve përgjegjëse shtetërore për të vënë në vend shkeljet e vërtëtuara.
-  Nëpërmjet korrespondentëve të rrjetit, janë krijuar lidhje të ngushta me organet e qeverisjes vendore dhe qendrore për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe është bërë ndërgjegjësim më i mirë i tyre mbi problemet dhe shqetësimet e qytetarëve në lidhje me respektimin e të drejtave të tyre nga administrata publike.               

Të drejtat e njeriut/Së bashku për një shoqëri më demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut

Falë punës së rrjetit të korrespondentëve të KSHH-së është ndikuar konkretisht në përmirësimin e Kodit Zgjedhor, zbatimin e tij dhe respektimin e së drejtës së votës. Kjo ndihmesë u dha edhe nëpërmjet projektit të mbështetut nga OSFA me titull “Së bashku për një shoqëri më demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut”. Objektivat e këtij projekti mund të përmblidhen në:
-  kontribut në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të qytetarëve në nivel vendor;
- rritja e forcës së reagimit qytetar ndaj shkeljeve të kryera nga organet shtetërore vendore për një respektim më të mirë të të drejtave të shtetasve dhe për forcim të shtetit të së drejtës.   
Në bashkëpunim me korrespondentët dhe vëzhguesit, u monitoruan organet që administronin procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor në Tiranë, Durrës, Pogradec dhe 7 rrethet ku veprojnë korrespondentët e KSHH-së: Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Korçë dhe Gjirokastër. Në këtë proces, rrjeti i korrespondentëve dha kontribut të vlefshëm pasi koordinoi punën e vëzhguesve lokalë në rrethet përkatëse, si dhe mbuloi pothuajse të gjitha zonat që ishin në rrethin e tyre gjatë vëzhgimit të procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor. 
Veprimtaritë kryesore të kryera gjatë zbatimit të këtij projekti kanë qënë: vëzhgime të shpërndara dhe të planifikuara mbi respektimin e të drejtave të njeriut, verifikime të letrave dhe ankesave, trajnimi i korrespondentëve mbi vëzhgimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, monitorimi i organeve që menaxhojnë procesin parazgjedhor dhe zgjedhor në Tiranë, Durrës, Pogradec dhe 7 rrethet ku veprojnë korrespondentët e KSHH-së: Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Korçë e Gjirokastër, vëzhgimi i përgatitjeve për zgjedhjet e ardhme në nivel lokal, vëzhgimi i fushatës parazgjedhore, vëzhgimi i ditës së votimit dhe numërimit të votave, trajtimi i letrave dhe ankesave të qytetarëve shqiptarë, rivendosja e të drejtave të shkelura, reagime publike dhe forma të tjera reagimi, programme ndërgjegjësimi në mediat lokale. Si një nga arritjet e rëndësishme të zbatimit të këtij projekti mund të shënohet rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të qytetarëve të thjeshtë në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë procesit zgjedhor.                          
 
Të drejtat e njeriut/Operatorët e të Drejtave të Njeriut

Një tjetër strukturë që ka në fokus të drejtat e njeriut është edhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (GSHDNJ). Për kryerjen me sukses të misionit të tij, ky grup aktivizon edhe operatorët e tij, të cilët trajnohen dhe aktivizohen në mbrojtje të zbatimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Operatorët e të Drejtave të Njeriut, të ndihmuar dhe mbështetur nga Programi i Drejtësisë i OSFA-s, pavarësisht nga tranzicioni dhe vështirësitë, kanë ndihmuar aktivisht në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut. Statusi i tyre si vëzhgues, reagues dhe ndërgjegjësues ka dhënë ndikimin e tij në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Operatorët e të Drejtave të Njeriut, kanë realizuar misionin e tyre nëpërmjet përdorimit të metodave të ndryshme të punës, si vëzhgime aktive, evidentim të shkeljeve dhe reagim aktiv ndaj tyre pranë institucioneve përgjegjëse, oponenca dhe lobimeve për ndryshime të projekt-ligjeve, ndërgjegjësim të publikut për të drejtat e tij, etj.         
Këta operatorë, jo vetëm kanë kritikuar por, edhe kanë ndihmuar në përmirësimin e funksionimit të institucioneve, ndërgjegjësimin e publikut për të rritur rolin e tij në demokratizimin e institucioneve dhe forcimin e demokracisë në vend dhe në rajon. Ata kanë funksionuar si një oponencë konstruktive duke reaguar dhe ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut.


Zgjidhja e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve/Mbështetje për forcim institucional dhe krijim kapacitetesh të vetë qendrës FZKM    

Tranzicioni në një shoqëri demokratike dhe në ekonominë e tregut të lirë, solli një sërë problemesh të reja ligjore për shtetasit shqiptarë. Në kushtet e mosfunksionimit të shtetit, këto probleme u bënë bazë konfliktesh. Shpesh individët në konflikt nuk iu drejtuan gjykatës dhe veprimi me vetëgjyqësi u rrit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, referimi tek tradita shqiptare tregonte se alternativa e ndërmjetësimit dhe pajtimit ishte e zbatueshme dhe e suksesshme edhe në komunitetin shqiptar. Tashmë ishte themeluar edhe Fondacioni i Zgjidhjes së Konflikteve dhe Mediacionit (FZKM) që synonte zvogëlimin e vetëgjyqësisë. Fillimi i mbështetjes së Programit të Drejtësisë të OSFA-s për qendrat e ndërmjetësimit daton në vitin 2000 dhe kishte për qëllim mbështetjen e 8 qendrave të ndërmjetësimit për forcimin e alternativës ndërmjetësuese në menaxhimin e konflikteve në nivel komuniteti në vitet 2000-2005. Objektivat e kësaj mbështjetje përfshinin forcimin e alternativës ndërmjetësuese nëpërmjet ofrimit të ndihmës juridike dhe sociale individëve dhe grupeve sociale në zonat e përfshira në projekt, identifikimin e situatave konfliktuese ndërmjet palëve në nivel komuniteti duke vlerësuar me kujdes konfliktet e pranishme që në fazat fillestare e duke synuar drejt zgjidhjes së tyre, si dhe forcimin e rrjetit të mediatorëve në nivel komuniteti për evidentimin dhe zgjidhjen e konflikteve. FZKM-ja, gjatë viteve të mbështetjes nga Programi i Drejtësisë i OSFA-s, ka forcuar infrastrukturën funksionale për kryerjen e shërbimit të ndërmjetësimit në dy nivele: qendrat e ndërmjetësimit dhe rrjeti i ndërmjetësve.
Fillimisht, u mbështetën 4 qendrat e ndërmjetësimit në Tiranë, Berat, Vlorë dhe Shkodër. Në vitin 2002, kjo mbështetje iu ofrua edhe qendrës së ndërmjetësimit të Gjirokastrës dhe, më vonë, qendrës së Matit dhe Korçës dhe, në vitin 2004, mbështetja iu ofrua edhe qendrës së ndërmjetësimit në Dibër. Në vitin 2005, në sajë të mbështetjes së OSFA-s, ishin aktive tetë qendra ndërmjetësimi në rrethet Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër, Mat, Dibër, Gjirokastër dhe Korçë. Shtrirja gjeografike e ndërmjetësimit përfshinte edhe funksionimin e rrjetit të ndërmjetësve në tetë rrethe të tjera të vendit: Lezhë, Pukë, Durrës, Kavajë, Mirditë, Gramsh, Pogradec, Elbasan. Gjatë viteve të mbështetjes nga Programi i Drejtësisë i OSFA-s, FZKM-ja ka punuar për ndërgjegjësimin e opinionit publik në drejtim të futjes së alternativës së zgjidhjeve të konflikteve nga vetë komuniteti dhe ka eksperimentuar zgjidhjen e konflikteve në komunitet. Vetëm në vitin 2004, numri i konflikteve të zgjidhura nga të gjithë strukturat e FZKM-së arriti në 2587 konflikte të natyrave të ndryshme. Veprimtaria e detajuar e qendrave të ndërmjetësimit të mbështetura nga Programi i Drejtësisë i Fondacioni “Soros” përfshinte: evidentimin dhe zgjidhjen e konflikteve, seminare trajnuese, ndërgjegjësimi i komunitetit dhe institucioneve shtetërore mbi alternativën ndërmjetësuese, zgjerimi i aktivitetit ndërmjetësues, publikimi i punës dhe aktiviteteve të qendrave të ndërmjetësimit.

Zgjidhja e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve/Programi i edukimit për paqe dhe zgjidhja e konflikteve në grupmoshat shkollore

Një nga projektetet e suksesshme të mbështetur nga OSFA në zgjidhjen me ndërmjetësim të konflikteve, ka qenë "Programi i edukimit për paqe dhe zgjidhja e konflikteve në grupmoshat shkollore". Ky projekt ka patur mbështetje nga OSFA për periudhën kohore 1997-2003. Objektivat kryesore të projektit kanë qenë: promovimi i kulturës së paqes dhe dialogut mes të rinjve të shkollave të mesme; krijimi i grupeve ndërmjetësuese në 22 shkolla të ndryshme të vendit për zgjidhjen nga vetë të rinjtë të konflikteve në mjediset shkollore; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta si takime, konkurse, etj, me të rinjtë për forcimin e bashkëpunimit mes shkollave të ndryshme të përfshira në projekt dhe përhapja e alternativës së ndërmjetësimit edhe në shkolla të tjera të vendit që nuk janë përfshirë në projekt duke bërë binjakëzimin me 21 shkolla të tjera.
Për realizimin e këtyre objektivave u ndërmorën disa lloje veprimtarish si: krijimi dhe funksionimi i grupeve të ndërmjetësimit mbi bazë shkolle, zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim promovimin e kulturës së paqes dhe tolerancës në grupmoshat shkollore, zgjidhja e konflikteve në mjediset shkollore nga vetë nxënësit, ndërgjegjësimi i të rinjve për alternativën ndërmjetësuese nëpërmjet shpërndarjes së materialeve mbi ndërmjetësimin, botimeve të ndryshme, etj, dërgimi i grupeve të ndryshme në kampet verore në Norvegji për shkëmbimin e eksperiencës mes vendeve të ndryshme mbi paqen dhe tolerancën në grupmoshat shkollore, shtrirja e këtij projekti edhe në Universitetin e Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës nëpërmjet organizimit të disa ëorkshop-eve, si dhe aktivitete të ndryshme për rritjen e kapaciteve të grupeve trajnuese të mësuesve në shkollat e përfshira në projekt. 
Zbatimi i këtij projekti shënoi disa arritje të rëndësishme nga të cilat mund të veçohen si më kryesoret: në 22 shkolla të mesme të vendit në rrethet Malësi e Madhe, Shkodër, Mirditë, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Sarandë u ngritën dhe funksionuan grupe ndërmjetësimi, të cilët zgjidhnin konflikte të grupmoshave shkollore në mjediset brenda dhe jashtë shkollave; janë zgjidhur konflikte të natyrave të ndryshme me ndërmjetësimin e vetë nxënësve. Janë kryer gjithashtu disa studime si mbi shkaqet dhe llojet e konflikteve të pranishme në shkollat e mesme, mbi larmishmërinë e zgjidhjes së konflikteve në universitete; mbi monitorimin e teksteve të shkollave 8-vjeçare dhe të mesme mbi trajtimin e temave të konflikteve dhe monitorimin e tetë gazetave për mënyrën se sa dhe si i trajtojnë konfliktet. Më tej, gjatë zbatimit të projektit, është arritur botimi i disa teksteve ndihmës si: "Adoleshentët, të konfliktuar apo?", "Manual trajnues për ndërmjetësit", "Për ndërmjetësimin", si dhe është dhënë kontribut për përfshirje të alternativës së ndërmjetësimit në tekstet mësimore, si "Sociologjia", "Qytetaria 1", "Edukimi qytetar demokratik në Shqipëri".