Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Programi Fellowship nisi të zbatohej në vitin 1998. Nën traumat e tranzicionit dhe pasigurisë së punësimit, inteligjencia shqiptare i qe drejtuar masivisht emigracionit. Shumë studentë që kryenin studimet në universitete jashtë vendit nuk ktheheshin më në atdhe, për shkak të papunësisë dhe shpërfilljes nga institucionet publike. Kjo “ikje e trurit”, përveç pasojave shoqërore, vijoi me një varfërim të potencialit intelektual që, në kushte të tjera, do të jepte ndihmesën e vet në forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjen e vendit. Administrata qendrore dhe lokale shfaqte mungesë të theksuar të rendimentit dhe efektiviteti në detyrat e saj përballë qytetarëve dhe shtetit, mungesë të traditës administrative të pandërprerë, mungesë të një shkollimi administrativ të mirëfilltë, punësime politike etj. 
OSFA, për vite me radhë kishte mbështetur financiarisht të rinj shqiptarë për të studiuar në të gjithë botën. Pikërisht në një kontekst të tillë dhe për shkak të institucioneve të dobta politike në Shqipëri, OSFA mendoi të inkurajonte këtë grup të rinjsh për të kërkuar punësim brenda administratës publike. Përparësi iu dha agjencive qeveritare që merren me përthithjen e ndihmës së huaj, me forcimin e shtetit ligjor dhe qeverisjen e mirë etj.
Programi vazhdoi nga viti 1998 deri në maj të vitit 2004 dhe trajtoi rreth 150 ekspertë të rinj të kthyer pas studimeve jashtë vendit. Linjat mbi të cilat zhvillohej programi synuan:
- T’u ofrohej fellowship-eve, për një afat 3 vjeçar një pagë shtesë për të punuar në institucione qendrore të administratës publike;
- Hapja e një klubi që do të shërbente për shoqërizimin e fellow-ve dhe do t’u ofronte atyre shërbime informimi si internet, shtypi ndërkombëtar etj; konkursese “Albania think again!” për ese të botuara në revista periodike apo on-line etj.
Në pikëpamje të përfshirjes, ky program u shtri në administratën qendrore dhe atë lokale, me ndikim të konsiderueshëm edhe në institucionet politike shqiptare.
Ndikimet më të sukseshme të këtij programi sipas fushave, janë:

Programi Fellowship dhe zbatimi i tij në administratën qendrore
Programi Fellowship dhe zbatimi i tij në administratën lokale
Ndikimi i programit Fellowship në institucionet politike shqiptare

 

 

 

 

Programi Fellowship dhe zbatimi i tij në administratën qendrore

Programi Fellowship shërbeu si katalizator ndryshimi, duke shkaktuar një reaksion zinxhir në të gjitha nivelet e administratës publike. Ky program bashkonte rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të Shërbimit Civil me përmirësimin e kapaciteteve absorbuese dhe ecjen përpara të reformave drejt proçeseve integruese.
Përfituesit e këtij programi ishin shtetasit shqiptarë të cilët kishin kaluar një periudhë kohore jashtë Shqipërisë, kishin një diplomë të huaj (universiteti, masteri, ose doktorature) nga universitete prestigjioze. Ata ishin në poste të caktuara të administratës publike, në pozicione të lidhura ngushtë me formulimin e politikave dhe zbatimin e reformave në sektorin ku ata punonin. Fushat kryesore ku u shtri ky projekt ishin:
politikat ligjore dhe formulimi i ligjeve, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat ekonomike, politikat menaxhuese, mbrojtja e mjedisit, qeverisja lokale, zhvillimi i komunitetit dhe kultura.
Programi u konceptua i zbatueshëm në disa nivele njëherësh:  a) OSFA do të mbështeste një numër personash në vit apo në disa vjet; b) shteti do të hapte një numër vendesh pune në sektorë të caktuar; c) rroga e tyre do të qe relativisht e lartë dhe për një shtrirje të caktuar kohore; d) vendet e punës do të ishin të garantuara pavarësisht rotacionit politik apo të drejtuesit të zyrës, etj. “Albania Think Again”, është titulli i një sërë punimesh të projektuara për të siguruar hapësirë për intelektualët, mendimtarët, studiuesit etj, por gjithashtu edhe për të huajt, të cilët kishin një interes për çështjen shqiptare apo rajonale, në mënyrë që të publikonin esetë dhe studimet e tyre që ndikonin përparimin e vendit dhe në proçeset integruese.

Programi Fellowship dhe zbatimi i tij në administratën lokale

Mungesa e efektivitetit që përfshiu administratën shqiptare gjatë tranzicionit ishte shumë e dukshme në sektorët e lidhur me publikun. Situata në pushtetin lokal vuante nga një numër nevojash legjislative, administrative, politike, morale, trajnuese etj, që nuk mund të pretendohej të zgjidheshin të gjitha nga OSFA. Ajo thjesht mund të jepte një kontribut modest duke përpunuar një strategji që të inkurajonte përzgjedhjen në qeverisjen lokale të njerëzve të rinj, të orientuar drejt progresit dhe që kishin trajnime profesionale bashkëkohore. Me këtë program OSFA donte të arrinte dy objektiva: të bënte të ditur se në sektorët kryesorë të qeverisjes lokale duhej staf i kualifikuar; të ndikonte në punësimin e këtyre personave të rinj në administratën lokale, duke sjellë ide dhe energji të reja.
Aplikantët e Programit Fellowship për administratën lokale ishin të paktë. Ishte e vështirë për të rinjtë që kishin studiuar jashtë vendit të punësoheshin në administratën lokale për disa arsye: për pagat më të ulta që jepeshin nga qeverisja lokale, pushteti i kufizuar i saj që vinte nga centralizimi i theksuar i kompetencave shtetërore, jeta e varfër intelektuale, liria e vogël individuale, konservatorizmi dhe bindjet morale të forta të provincës.
Pra ndryshe nga kandidatët e fellowship-it në administratën qendrore, në qendër të programit në administratën lokale ishin njerëz të rinj të diplomuar në Universitetin e Tiranës, të cilët kishin rezultate akademike të larta dhe që ishin të punësuar në qeverisjen lokale sipas proçedurave të Shërbimit Civil, me një përvojë 2-3 vjeçare në të njëjtën punë ose në punë të tjera të cilat ishin të së njëjtës përgjegjësi. Gjithashtu këta duhet të ishin shtetas shqiptarë nën moshën 30 vjeç dhe që të ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës pas vitit 1997. Fushat prioritare në bashki ishin financat, të ardhurat nga taksat, planifikimi i qytetit, departamentet ligjore, departamenti i punëve publike, politik-bërja, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zhvillimi i komunitetit.


 
Ndikimi i programit Fellowship në institucionet politike shqiptare

Një nga ndikimet më të rëndësishme të Programit Fellowship është fakti se ndihmoi në plotësimin e atyre posteve që kishin të bënin me proçeset integruese të vendit. Synimi kryesor i reformës institucionale të administratës publike qe në thelb afrimi i Shqipërisë me parimet dhe standardet e Bashkimit Europian. Madje ndikimi i Programit Fellowship u ndje edhe në struktura të tjera politike jashtë administratës publike apo OJF-ve, si për shembull partitë politike, të cilat u bënë më të hapura ndaj të rinjve të shkolluar jashtë.
Ndoshta shembulli më interesant është ngritja e strukturës së Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) brenda Partisë Demokratike. KOP-i përbëhej nga dhjetra ekspertë të shquar të fushave të ndryshme, të shkolluar dhe të trajnuar në universitetet më të mira të botës dhe me përvojë të gjatë në institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Vetëpërcaktimi që KOP-i i bëri vetes, gjatë prezantimit të tij para zgjedhjeve elektorale të 3 korrikut 2005 ishte ai i një materializimi “të aleancës së profesionistëve, botës akademike, shoqërisë civile shqiptare dhe Partisë Demokratike për një qeverisje të përgjegjshme dhe efikase në shërbimin të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Një aspekt tjetër i ngjashëm me Programin Fellowship ishte edhe përcaktimi nga KOP-i i fushave ku do të ndërhyhej, fusha të cilat përfshinin arsimin dhe shëndetësinë, reformën e sistemit tatimor dhe luftën kundër korrupsionit, transportin dhe energjinë, bujqësinë dhe turizmin, drejtësinë dhe ekonominë etj.