Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

 
 
 
 
 
   
 

Hapja e shoqërisë shqiptare dhe demokratizimi i saj krijuan kushtet për më shumë liri e barazi për gruan. Por, pavarësisht nga zhvillimi i shpejtë ekonomik e social i vendit si dhe progresi  në çështjet gjinore, gratë vazhdojnë të jenë pjesë e grupeve vulnerabël të shoqërisë. Për shkak të mendësive diskriminuese, përparimi i tyre në karrierën profesionale është i vështirë. Ato shumë rrallë kanë pozicione drejtuese dhe pjesëmarrja e tyre në politikë dhe vendimarrje është ende mjaft e ulët. Agresiviteti i politikës në Shqipëri, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, i detyron shumë femra të mos përfshihen në këtë proces. Gjatë tranzicionit ato u bënë shpesh objekt dhe viktima të trafikimit njerëzor. Rehabilitimi i tyre është një fushë ku aktualisht kontribuon vetëm sektori jo qeveritar dhe mbështetja e strukturave shtetërore mbetet shumë e vogël.
Në këto kushte OSFA hartoi dhe ndërmori zbatimin e një strategjie fleksibël për mbështetjen e problematikës gjinore, duke përditësuar prioritetet e saj në përputhje me evolucionin e çështjeve gjinore në Shqipëri. Programi i Gruas i OSFA-s ka filluar të zbatohet në vitin 1994. Gjatë tri viteve të para financimet u përqëndruan në objektiva të drejtpërdrejta për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për OJF-të e fushës gjinore; nxitjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë; shtimin e kujdesit për shëndetin e grave dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të publikut mbi të drejtat dhe barazinë gjinore. Më pas, mbështetja u zgjerua në objektiva të tillë si: ndërgjegjësimi i publikut për eliminimin e dhunës në familje; mbështetje për gratë në nevojë; lufta kundër trafikimit të grave dhe vajzave dhe rehabilitimi i grave dhe vajzave të trafikuara dhe rritja e shkallës së arsimimit të grave. Në këtë periudhë iu dha rëndësi, gjithashtu, një shpërndarjeje gjeografike më të gjerë të veprimtarive të financuara nga OSFA. Duke filluar nga viti 2005, u përcaktua si qëllim strategjik i Programit të Gruas forcimi i kompetencës së grave në jetën e gjithanshme të vendit. Programi u fokusua në katër tematika kryesore: dhuna në familje, gruaja në drejtim, fuqizimi ekonomik dhe integrimi gjinor. Një nga treguesit më të mirë të mbështetjes së OSFA-s lidhet me ngritjen dhe funksionimin e një numri qendrash të përfshira në çështjet e barazisë gjinore. Sot këto qendra kanë fituar pavarësinë dhe kapacitete të mjaftueshme njerëzore për të zbatuar me sukses misionin e tyre. Ndër më të suksesshmet përmendim:

Qendra e Gruas
Shoqata “Refleksione”
Strehëza e Viktimave të Dhunës
Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare
Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”
Unioni “Gjinia dhe zhvillimi”
Qendra e Këshillimit për Gratë 

 

 

 

Qendra e Gruas

Qendra e Gruas është themeluar në vitin 1995 si kontribut i shoqatës “Refleksione” dhe vepron në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitin 2004 është regjistruar zyrtarisht si “Qendra e Aleancës Gjiniore për Zhvillim”. Ajo ka një staf të trajnuar posaçërisht për çështjet gjinore dhe kapacitete të konsiderueshme në fushën e trajnimeve mbi përkatësinë gjinore dhe falë efektivitetit të saj siguron financime të vazhdueshme për të rritur veprimin e saj në jetën e e vendit. Qendra e Gruas synon krijimin e mundësive të barabarta midis gjinive nëpërmjet informimit, studimeve, advokacisë, lobimit dhe trajnimeve. Ajo ka ndikuar në forcimin e kapaciteteve të OJF-ve të grave për të trajtuar aspekte të ndryshme që lidhen me barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas; ka ngritur dhe ka vënë me sukses në përdorim “Qendrën e Dokumentacionit dhe Informacionit” për problemet gjinore, e cila, deri tani, ofron rreth 11000 artikuj të medias të monitoruara, një koleksion librash, koleksionin e revistave në shqip dhe gjuhë të huaj, informacion mbi shoqatat në fushën gjinore, statistika gjinore etj. Qendra nxit dhe organizon koordinimin e të gjitha shoqatave të grave, duke krijuar dhe mbështetur rrjetin e tyre. Ka botuar një seri manualesh, studimesh, librash të përkthyer, të fokusuar në çështjet gjinore.


Shoqata “Refleksione”

Shoqata “Refleksione” është themeluar në vitin 1992 dhe vepron në Tiranë dhe në të gjithë vendin, në varësi të projekteve. Me veprimtarinë e saj ajo synon mbrojtjen e të drejtave të grave ndaj të gjitha formave të dhunës dhe të diskriminimit; nxit integrimin e tyre në jetën sociale e politike si dhe pjesmarrjen e grave në vendimmarrje; mbështet gratë në aspektet ligjore, të shëndetit, etj. Falë punës së shoqatës “Refleksione” është shtuar informacioni dhe mundësitë e grave për formim profesional, punësim e vetëpunësim, veçanërisht në Tiranë, Shkodër e Pogradec, ku janë ngritur edhe Qendra të Punësimit  të Grave. Këto janë qendra të qëndrueshme shërbimesh sociale tashmë të pavarura, ku realizohen shërbime të drejtpërdrejta për gratë në kushte ekonomike të vështira. Është zbatuar një strategji mjaft e suksesshme spin-off, duke transformuar projektet në qendra të pavarura e të qëndrueshme. Të tilla janë Qendra e Gruas, Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza dhe Strehëza. “Refleksione” është konfirmuar në shkallë vendi si një strukturë lehtësuese për zgjidhje afatgjata për integrimin e gruas në tregun e punës, që ndihmon fuqizimin ekonomik e social të grave.

Strehëza e viktimave të dhunës

Strehëza ështe krijuar në nëntor te vitit 1998. Ajo ka një staf të trajnuar posaçërisht për çështjet gjinore dhe kapacitete të konsiderueshme në fushën e trajnimeve mbi përkatësinë gjinore. Ajo e zhvillon aktivitetin në kushte të panjohura për publikun e gjerë dhe mjediset e mirëpajisura nuk i ka në pronësi por i vendos në shërbim të grave në nevojë imediate. Ajo ndihmon dhe mbështet gratë dhe vajzat, viktima të dhunës gjinore (fizike, emocionale, seksuale, ekonomike) brenda dhe jashtë familjes, si dhe fëmijët e nënave të dhunuara, të cilët në shumicën e rasteve janë të traumatizuar nga dhuna e përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Grave, vajzave dhe fëmijëve të dhunuar u është ofruar strehim, mbështetje emocionale dhe këshillim, referime në shërbime të specializuara dhe trajtime të tjera të veçanta. Është punuar për ndërgjegjësimin e tyre, për të kuptuar të drejtat, vlerat dhe aftësitë e tyre, rikthimin në jetën aktive, kualifikimin profesional, duke krijuar mundësi punësimi. Është krijuar gjithashtu një rrjet për të evidentuar dhe trajtuar rastet e dhunës. Janë ofruar mbështetje profesionale dhe trainime për qendra dhe instuticione të tjera që dëshirojnë të ofrojnë të njëjtat shërbime në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Nëpërmjet “Strehëzës…” është kontribuar për të përmirësuar situatën ekonomike, sociale dhe ligjore të gruas përmes fushatave lobuese në mediat elektronike dhe të shkruara dhe veprimtarive kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare

Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare është themeluar në vitin 1991 dhe shtrihet në të gjithë vendin. Ai mbështet zhvillimin ekonomik e social të gruas shqiptare, ofron mbrojtje për të drejtat e grave, nxit pjesëmarrjen e gruas në të gjitha nivelet e institucioneve politikëbërëse dhe lufton për përfshirjen sociale të grave të diskriminuara për shkak te trafikimit dhe varfërisë. Me mbështetjen e veprimtarive të shumta lobuese, janë realizuar përmirësime të legjislacionit që kanë lidhje me fushën gjinore dhe është rikonsideruar dimensioni gjinor në dokumente të politikave dhe strategjive shtetërore. Janë ngritur dhe funksionojnë qendra shërbimi për gra e vajza ne Berat, Sarandë, Tirane, Elbasan, Peshkopi dhe Shkodër, ku jepen këshilla, advokohet, jepet mbështetje për probleme ligjore, të shëndetit etj. Janë ngritur dhe funksionojnë tri ndërmarrje sociale, përkatësisht ne Vlorë, Tiranë dhe Durrës, ku punojnë 70 gra, si dhe tri serra në zonën rurale të Tiranës dhe Fierit. Është ngritur dhe funksionon nje qendër botimesh, që lehtëson publikimin e librave, studimeve e materialeve të tjera që kanë lidhje me çështjet gjinore. Është arritur një pjesëmarrje mjaft aktive në rrjetin e organizatave të grave, si dhe në rrjete rajonale, që veprojnë në fushën e barazisë gjinore.

Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”

Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” është themeluar në vitin 1993 dhe vepron në të gjithë vendin. Ajo është aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, nxit politikat shtetërore mbështetëse ndaj grave, jep shërbime dhe mbështetje sociale për gratë dhe fëmijët. Me ndihmën e kësaj shoqata janë nxitur dhe mbështetur gratë dhe vajzat për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe është lobuar për rritjen e rolit të grave në shoqëri e në vendimmarrje. Janë ofruar shërbime sociale e këshillimi dhe trajnime të ndryshme për gra e vajza të papuna dhe të dhunuara në familje, për integrimin e tyre psiko-social dhe ekonomik. Është ngritur Klubi i Grave dhe Qendra e Trainimit për kompjuter për gra e vajza të papuna, janë organizuar fushata të suksesshme ndërgjegjësuese dhe edukuese në zonat problematike të trafikimit. Shoqata ka dhënë kontributin e saj edhe për ngritje kapacitetesh lobimi tek ato organizata të shoqërisë civile që kanë synuar të ndikojnë në politikat publike pro çështjeve gjinore.

Unioni “Gjinia dhe Zhvillimi”

Unioni “Gjinia dhe Zhvillimi” synon nxitjen e barazisë gjinore në të gjitha nivelet. Gjatë aktivitetit të tij është krijuar një përvojë mjaft e konsoliduar për zhvillimin e kapaciteteve të shoqërisë civile dhe institucioneve publike për barazinë gjinore dhe rritjen e rolit të gruas në zhvillimin politik e shoqëror te vendit. Gjithashtu është kontribuar në fushatat e ndryshme zgjedhore, veçanërisht pas vitit 2000, për rritjen e shkallës së përfaqësimit të grave në strukturat e zgjedhura të pushtetit qendror dhe vendor. Nëpërmjet trajnimeve të anëtarëve të forumeve drejtuese, janë forcuar kapacitetet e grave të përfshira në forumet politike të partive parlamentare, si dhe janë përmirësuar statutet e partive politike për sanksionimin e pjesëmarrjes së grave në to. Pjesëmarrja aktive në rrjetin e organizatave të grave, si dhe në rrjete rajonale, që veprojne në fushën e barazisë gjinore është rritur ndjeshëm.

Qendra e Këshillimit për Gratë  

Kjo qendër ka hedhur bazat e saj gjatë vitit 2001 dhe vepron në Tiranë, Pogradec, Berat e Shkodër. Ajo është e përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, në dhënien e asistencës për viktimit e dhunës, në negocimin e zgjidhjeve të konflikteve. Janë ofruar 5 ditë në javë këshillime në telefon dhe ballë për ballë për një numër të madh grash e vajzash të dhunuara. Janë organizuar fushata ndërgjegjësimi për të luftuar dhunën, duke përdoruar spote televizive, postera, tryeza tematike, debati etj. Është duke u ngritur një qendër informacioni dhe sensibilizimi publik për çështjet gjinore, si dhe për problemet e të rinjve dhe të planifikimit familjar. Qendra ka një pjesëmarrje aktive në rrjetin shqiptar kundër dhunës gjinore e trafikimit.