Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Industria e librit në Shqipëri, pas 50 vjetësh centralizimi shtetëror, kaloi sërish në sipërmarrje të lirë, duke u bërë faktor i rëndësishëm për themelet e një shoqërie të hapur. Hapja e shtëpive të pavarura botuese u lejua me ligj që në vitin 1991. Rënia e sistemit monist dhe kalimi i butë në pluralizmin politik, mund të përkthehet edhe si një rënie e censurës politike për t’u zëvendësuar me një tjetër “censurë”, atë ekonomike.
Ndihma e OSFA-së u përqëndrua në zbutjen e kësaj pengesë të re. Krijimi i një programi të veçantë për librin theksoi vlerësimin e librit shqip si një veprimtari me interes të lartë publik. Ky programi ndikoi në nxitjen e botimit të veprave të autorëve bashkëkohorë, përmirësoi prodhimin kombëtar të librit, nxiti qarkullimin e lirë të tij në të gjithë territorin kombëtar, ndikoi në krijimin ose përsosjen e shprehive të leximit. Programi i Librit mbështeti sektorin kombëtar të botimeve duke përfshirë sistemin e bibliotekave dhe të kulturës së leximit. Gjithashtu siguroi dhe mbështeti pjesëmarrjen e botuesëve shqiptarë në veprimtaritë promovuese brenda dhe jashtë vendit.
Programi i Informacionit, i themeluar në vitin 2000, është rezultat i integrimit në një program të vetëm të programit të Bibliotekave (që nga viti 1993) dhe atij të Internetit (që nga viti 1997). Por Programi i Informacionit u fokusua edhe në lloje të tjera mediash. Përveç botimeve të librave nisën të mbështeteshin edhe radiot private, stacionet televizive, kinemaja (veçanërisht në prodhimin e dokumentarëve), periodikët dhe revistat. Një ndihmë e veçantë në këtë fushë ka dhënë programi i Internetit. Arsyeja për këtë ndërhyrje ka qenë rëndësia e zhvillimit të një rrjeti linjash digjitale shërbimi dhe publikimesh. Falë këtij programi të OSFA-së, shtresa të ndryshme shoqërore dhe intelektuale në Shqipëri u afruan me teknologjinë digjitale. Ndër ndihmesat më të dukshme sot të Programit të Librit dhe të Informacionit, përmendim:

Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit
Kolana “Mendimi shqiptar”
Libra për një shoqëri të hapur
Revistat
Interneti dhe Bibliotekat
Strategjia kombëtare e teknologjisë së informacionit

 

Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit

Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit u themelua si fondacion i pavarur në janar të vitit 2001. Deri atëherë ajo funksiononte si një nga programet e sukseshme të OSFA-s. Pavarësisht shkëputjes, OSFA mbeti një ndër donatorët kryesorë të saj. SHLK-ja ofroi informacion, ekspertizë, shërbime dhe vazhdon të mundësojë përkthimin dhe botimin në shqip të një sërë veprash përfaqësuese të qytetërimit perëndimor, sidomos në shkencat shoqërore.
Në bashkëpunim me shtëpitë e tjera botuese në Shqipëri, SHLK-ja ka mundësuar botimin e kolanës «Bota shqiptare», në kuadër të së cilës janë botuar autorë dhe vepra të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare si dhe vepra albanaologjike. Programi i botimeve shërbeu edhe si një shkollë e vertetë përkthimi për përkthyesit shqiptarë duke vazhduar traditën e mëparshme. Trajnimet për përkthyesit dhe çmimi “Jusuf Vrioni” për përkthyesin më të mirë, kanë vlerësuar edhe një herë përkthyes të njohur si E. Tupja, Z. Simoni, Xh. Lloshi, B. Shehu etj.
Duke vërejtur vëllimin e madh të titujve të botuar në shqip dhe mungesën e një informacioni këshillues dhe të përditësuar mbi këto botime, SHLK-ja hapi një faqe elektronike informativo-kulturore të quajtur “Babel”, me adresën - www.babel.com.al ose udhërrëfyesi i librit shqip. “Babel…” ka informacion për shumicën e botimeve të reja në gjuhën shqipe, rekomandime për librat që meritojnë vëmendje, informacion për ngjarjet që lidhen me librin dhe debatet në hapësirën kulturore shqiptare, informacion për librin në botë dhe debatin intelektual ndërkombëtar. Një dritare e veçantë i është kushtuar Ballkanit dhe Mesdheut. 
Kjo qendër ka patur rol të rëndësishëm për publikun e specializuar shqiptar edhe në aspektin e komunikimit dhe debatit professional. Falë SHLK-së janë sjellë në Shqipëri dhe janë vendosur në qendër të vëmendjes publike autorë librash të përkthyer rishtaz në shqip, si Gabriel Partosh, George Castelan, Salleo, etj. E njëjta gjë është bërë duke ftuar autorë të shquar shqiptarë, si Ismail Kadare apo Fatos Kongoli, rreth veprës të së cilëve janë zhvilluar “kafetë letrare” me biseda dhe komente leximi. 

Kolana “Mendimi shqiptar”

Kolana e botimit “Mendimi shqiptar” i ka shërbyer një prej qëllimeve kryesore të programit të botimeve të OSFA-s: ballafaqimit të opinionit të intelektualëve me ide të ndryshme mbi zhvillimin e shoqërisë, politikës apo dhe historisë së Shqipërisë. Kjo kolanë ka ndikuar drejtpërsëdrejti në nxitjen e mendimit kritik për probleme të ndryshme të jetës shqiptare duke lehtësuar daljen nga një traditë me prirje konformiste dhe pa frymë kritike.
Kësisoj bibliotekës shqiptare iu shtuan me sukses vepra të rëndësishme në fushën e studimeve historike, kulturologjike dhe filologjike si:  Pjetër Bogdani “Letra dhe dokumente”, Gjergj Fishta “Estetikë dhe kritikë”, Faik Konica “Vepra”, At Anton Harapi ”Vlerë shpirtërore” dhe “Kulla e Babelit”, Branko Merxhani “Formula të Neoshqiptarizmës”, Vangjel Koça “Në udhën e shqiptarizmës”, Lumo Skëndo “Dituria”, Marie Kraja “Vite të humbura”, Tajar Zavalani “Histori e Shqipnis” dhe “Misioni i shekulli të XX”, Hamdi Bushati “Shkodra dhe motet”, Kristo Frashëri “Lidhja shqiptare e Prizrenit”, Roberto Moroco dela Roca “Kombësia dhe feja në Shqipëri” ( 1920-1944), Mark Tirtja “Kundrime në mitologjinë shqiptare”, Jorgo Bulo “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, etj.
Po kështu, në morinë e librave të financuara nga Programi i Rinisë, pas një periudhe dhjetëvjeçare, vihet re se një pjesë e tyre janë të emrave të rëndësishëm sot në botën letrare shqiptare, ndërkohë që aso kohe ishin të panjohur. Kështu mund të përmendim librat e parë të R. Zekthit me “Orët e saldimeve s'të çmendin”, (poezi); L. Durajt me “Muzikë në makinë”, (poezi); Rudi Erebarës me “Fillon pamja”, (poezi); Gerti Pashajt me “Kthim në fëmijëri”, (poezi); Marsela Gucajt me “E marta e hirtë”, (poezi); Albri Brahushës me “Ignorantia”, (tregime); Shpëtim Kelmendit me “Nirvana”, (roman); Lindita Arapit me “Ndodhi në shpirt”, (poezi), etj.  

Libra për një shoqëri të hapur

“Librat për një shoqëri të hapur” kanë qenë pjesa më e çmuar e kolanës së botimeve të mbështetura nga Qendra Rajonale e Botimeve e Institutit të Shoqërisë së Hapur në Budapest, në kuadrin e Projektit të Përkthimit të Universitetit të Europës Qendore. Ato erdhën në një kohë kur lexuesi shqiptar ishte i etur për t’u njohur me mjeshtërit e mëdhenj të mendimit bashkëkohor. Nëpërmjet tyre lexuesit e shumtë nisën të ndërgjegjësoheshin edhe më shumë se diktatura 50 vjeçare kishte promovuar vazhdimisht monologun dhe izolimin kulturor, përgjatë një kërkimi ideologjik në histori. Në këtë mënyrë nevoja për dialog kulturor, pas viteve ’90-të, u bë më e spikatur se kurrë.
Falë kësaj kolane në mendimin dhe debatin publik shqiptar u futën konceptet bashkëkohore të diversitetit kulturor, të pranimin të tjetrit, të bashkëekzitencës multietinke e multikulturore. Shumë prej këtyre librave u kanë mësuar shqiptarëse se një ndër problemet themelore në procesin e integrimit, jo vetëm në Europë, por edhe të një integrimi brenda vlerave të shoqërisë së civilizuar, është emancipimi i brendshëm. Ky është një proces i ndërlikuar, një proces i analizës së vetvetes, i pozicionit shoqëror dhe prirjeve qytetëruese. Lexuesi shqiptar, intelektualët, pedagogët, akademikët, studentët kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë vepra të tilla, si: Jeanne Hersch me “Habia filozofike”, Giovani Sartori me “Çfarë është demokracia”, Ralf Dahrendorf “Konflikti shoqëror modern”, Keneth Clark “Qytetërimi”, Peter Bruke “Kultura popullore në Europë në fillimet e Kohës së Re”, Platoni “Republika”, etj.

Revistat

Shfaqja dhe jetëgjatësia e revistave të ndryshme në një shoqëri tregon shkallën e përcjelljes së informacionit, nivelin e debatit intelektual dhe shkallën e ngritjes kulturore të kësaj shoqërie. Mbi këtë arsyetim lindi edhe iniciativa e hershme e OSFA-s për të financuar gazeta dhe revista. Vëmendje e veçantë iu kushtua revistave të Akademisë së Shkencave. Në kushtet e mungesës së fondeve dhe të vështirësive menaxhuese të tyre, OSFA gjykoi se mbështetja për to nënkuptonte mbështetje të drejtpërdrejtë për prodhimin dhe debatin intelektual e profesional shqiptar.
Revistat e mbështetura ishin të fushës së mendimit, kërkimit dhe shkencës albanologjike në përgjithësi, si: "Iliria", "Kultura popullore", "Studime historike", “Studime filologjike”. Ato u vlerësuan si disa nga tribunat më të çmueshme të mendimit dhe kërkimeve albanologjike. Kjo mbështetje ka siguruar një vashdimësi dhjetëravjeçare.
Pavarësisht se jo pak gazeta të mbështetura nga OSFA pushuan së botuari, më pas, për shkak të kushteve të vështira të tregut mediatik shqiptar, disa prej tyre ia dolën mbanë të jenë të vetmjaftueshme ekonomikisht dhe të botohen për një kohë të gjatë. Kështu ndodhi me gazetat "Bota e sportit", "Muzika dhe spektakli", "Drita", etj.
Por sigurisht që mbështetjet më të suksesshme kanë rezultuar të jenë ato të revistave me karakter divulgativ edhe shkencor. Këtu mund të përmenim revistat: "Hosteni", "Përpjekja", "Hylli i dritës", "Chri-Chri", “Klan”, “Aleph”, "Ballkan", revista e përtremuajshme “Pamorart, revista "Tribuna juridike", revista e përtremuajshme "Shëndet për të gjithë", etj.

Interneti dhe Bibliotekat

Programi i Informacionit, i themeluar në vitin 2000, është rezultat i integrimit në një program të vetëm të programit të Bibliotekave (që nga viti 1993) dhe atij të Internetit (që nga viti 1997). Themelimi i Programit të Internetit gjatë vitit 1997, u shoqërua edhe me vendosjen pikërisht në muajin mars, të antenës së parë të Internetit, në çastet e krizës totale në vend. Në kushtet e dobësimit ekstrem të institucioneve shtetërore dhe atyre demokratike, përfytyrimi i instalimit të linjave dixhitale në Shqipëri u gjykua si mjeti më i shpejtë, demokratik e bashkëkohor për informimim dhe formimim e qytetarëve. Nevojitej një ndërhyrje konkrete për zhvillimin e një rrjeti linjash digjitale shërbimi dhe publikimesh. Mundësia për të konsultuar një numër të madh të publikimeve të pranishme në rrjet nuk është e rëndësishme vetëm për kërkime dhe informim, por edhe për të mësuarit në distancë, procesin e mësimit të pavarur përmes lidhjeve me qendra trajnimi të huaja.
Në këtë periudhë, për herë të parë institucionet akademike dhe OJF-të përfituan falas akses në Internet dhe e-mail, duke i krijuar mundësinë për një komunikim më të shpejtë në marrjen dhe shkëmbimin e informacionit. U krijua rrjetit akademik “ANET”, i cili sillte një mundësi më shumë për stafet akademike të universiteteve shqiptare që të njiheshin me teknologjitë e reja të informacionit e të përfitonin prej tyre. Njëkohësisht qendra e internetit e OSFA mori rolin e një qendre shërbimesh e trajnimesh sidomos për rrjetin akademik e të OJF-ve, duke ofruar kurse, seminare dhe informacion.
Investimet fillestare për ndërtimin dhe modernizimin e institucioneve të ruajtjes së kujtesës, si bibliotekat, arkivat, muzetë dhe galeritë do të merrnin pamjen e një sistemi. Në këtë kuadër, u pa e nevojshme që sistemi bibliotekar të lidhej me internetin, për të mundësuar bashkëpunim midis qendrës (Bibliotekës Kombëtare) dhe terminaleve të tjera. U punua konkretisht në: 
- kopiuterizimin e katalogut dhe transferimin e regjistrimeve bibliografike;
- renditjen e zhvillimeve të reja dhe depozitave të reja (veçanërisht kopjen e detyruar) në Bibliotekën Kombëtare;
- aksesin për përdoruesit e formave të të mësuarit dhe vetëmësuarit në distancë;
- komunikimin e iniciativave për nxitjen dhe mbështetjen e leximit, njëkohësisht për qëllime informimi dhe për të bërë të mundur përfitimin nga eksperienca të tilla.

Strategjia kombëtare e teknologjisë së informacionit

Shoqëria e hapur nuk mund të kuptohet dhe as të realizohet pa informacionin. Në këtë kuadër, Shqipërisë i duhet të shpejtojë për të kapur ritmet e zhvillimit në teknologjinë e informacionit (ICT), e cila po bëhet një mjet i fuqishëm dhe i dobishëm komunikimi në të gjithë botën. Iniciativa për hartimin e një strategjie kombëtare për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit u publikua si aksion i përbashkët i qeverisë shqiptare, PNUD-it dhe fondacionit “Soros” më 3 korrik 2002. Qëllimi i këtij projekti ishte të lehtësonte përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një strategji kombëtare të informacionit. Strategjia identifikoi mekanizmat dhe kuadrin ligjor e fiskal që nevojitet për të zbatuar nismat lidhur me e-qeverisjen, e-edukimin dhe e-biznesin, si dhe me zhvillimin e vazhdueshëm të infrastrukturës së ICT-së.
Bibliotekat publike u bënë ndër perfituesit kryesorë duke synuar shndërrimin e tyre në sisteme informacioni komunitar. U mbështet botimi i manualeve teoriko-praktike për standartet e shërbimit bibliotekar si dhe u punua për trainimin e bibliotekareve, sidomos për shfrytëzimin e teknologjive të informacionit. U ndërgjegjësua publiku për epërsitë e teknologjive të reja të informacionit si interneti, revistat shkencore në version elektronik, etj.
Me kalimin e kohës, Programi i Informacionit u fokusua në veprimtari që synonin shkëmbimin e përvojave, informacioneve dhe rezultateve të para në konkakt me teknologjinë. U organizuan një sërë veprimtarish si konferenca kombëtare @net, tryeza e rrumbullaktë me “ISP” dhe “Telekom” për çështje të politikave të internetit, tavolina e rrumbullaktë “Politikat në fushën e përdorimit të Internetit dhe Teknologjive të Informacionit”, konferenca “Dixhitalizimi i instituteve të ruajtjes së kujtesës”, Klubi Open Source, "CyberLaw", revista e teknologjisë së lartë "Kompiuter", ndërtimi i një baze të dhënash për artistët shqiptarë jashtë vendit, etj.