Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Programi i Reformës Ekonomike filloi në vitin 1998 pas shkatërrimit të shumë bizneseve në periudhën e trazirave sociale të vitit 1997. Qëllimi i këtij programi ishte të mbështeste reformën ekonomike dhe zhvillimin e sektorit privat si sektori më vital i ekonomisë. Kjo ringritje duhej të shoqërohej edhe me një plan politikash ekonomike që do të siguronin një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit, në një mjedis ekonomik që ofron konkurencë të pastër dhe hapësira zhvillimi. Në vija të përgjithshme programi ka synuar: krijimin e një mjedisi favorizues për zhvillimin e biznesit (kuadri ligjor, dialogu biznes- qeveri, vetërregullimi i sektorit privat); forcimin e sipërmarrjes së lirë dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi ekonominë e tregut.
Nga viti në vit OSFA e ka përshtatur programin e reformës ekonomike në përgjigje të zhvillimeve të ekonomisë dhe tregut në Shqipëri duke forcuar përherë e më shumë një qasje sociale. Kështu mund të përmenden ndërhyrjet ose mbështetjet për rritjen e rolit sipërmarrës të grave dhe të rinjve në biznes; zbutjen e pasojave të reformës ekonomike nëpërmjet mbështetjes së inisiativave për kualifikimin e të papunëve për sipërmarrjen dhe zhvillimin e kapaciteteve për lehtësimin e punësimit të personave të kualifikuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë; programi i mikrokredisë për OJF-të dhe zhvillimin e kapaciteteve të shoqatave të biznesit.
Në zbatimin e këtij programi u mbajt parasysh aspekti shumë i rëndësishëm ekonomik i diversifikimit gjeografik të projekteve. Financimet e dhëna nuk kanë favorizuar vetëm sektorin privat dhe OJF-të në Tiranë (ku duket se këto organizata janë më të konsoliduara), por janë shtrirë në shumë qytete të tjera të Shqipërisë duke fuqizuar më tej ekonominë lokale. Projektet e ideuara ose të mbështetura fuqimisht nga Programi i Reformës Ekonomike mund të grupohen në tri planveprime kryesore: krijimi i një mjedisi të favorshëm për biznesin, mbështetje për sipërmarrjen e lirë dhe njohuri e ndërgjegjësim për ekonominë e tregut. Nga projektet më të suksesshme, përmenden:

 

A. Krijimi i një mjedisi favorizues për zhvillimin e biznesit

Promovimi i Kodit Standart të Etikës dhe sjelljes për kompanitë e mesme dhe të mëdha
Qendra shqiptare e biznesit online

           
B. Forcimi i sipërmarrjes së lirë

Themelimi i fondacionit “Besa”
Kurse trajnimi për sipërmarrjen

C. Rritja e ndërgjegjësimit dhe e njohurive mbi ekonominë e tregut

Program formimi pasuniversitar në administrim ndërmarrjesh i Universitetit   Politeknik, Tiranë
Bibiloteka “J. Limprecht” e fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës
Trajnime për mësuesit e ekonomisë
Përmirësimi i kushteve për edukimin e taksapaguesve

 

 

Krijimi i një mjedisi favorizues për zhvillimin e biznesit/Promovimi i Kodit Standart të Etikës dhe sjelljes për kompanitë e mesme dhe të mëdha

Kodi i Etikës është një element i rëndësishëm menaxhimi dhe jo thjesht predikimi. Në kushtet e një ekonomie kapitaliste të tregut të lirë edhe në botën e biznesit shqiptar lindi nevoja e hartimit dhe respektimit të një Kodi Standard të Etikës. Ai ishte tashmë i nevojshëm për krijimin e një kulture të re të respektit ndaj ligjit, moralit dhe partnerëve. Kodi Standart i Etikës u zhvillua në tre dimensione kryesore: respektimin e interesave të kompanisë, respektimin e interesave të të punësuarve si dhe respektimin e interesave të të tretëve (klientëve, furnitorëve, konkurentëve, komunitetit), duke përfshirë edhe zbatimin e ligjit, mbrojtjen e mjedisit, etj. Në hartimin e tij janë përdorur shumë përvoja por, mbi të gjitha, kodi ka qenë një kombinim i logjikës amerikane të biznesit me atë të vendeve në tranzicion. Gjithsesi, referenca kryesore ka qenë logjika dhe psikologjia shqiptare si dhe karakteristikat e zhvillimit të biznesit në vendin tonë.
Prezantimi i këtij kodi për komunitetin e biznesit pati shumë shpejt një ndikim pozitiv. Sot vihet re një rritje e ndjeshme e kërkesës për standarte etike nga ana e biznesit. Gjithashtu përvoja e projektit të hartimit të këtij kodi, i mbështetur financiarisht nga OSFA, ka shërbyer si bazë për një numër projektesh të tjera në fushën e etikës. Disa nga këto projekte janë: nxitja e sjelljes etike në komunitetin shqiptar të biznesit, i financuar nga “USAID”; trajnim trainerësh lidhur me etikën në biznes, i financuar nga “USAID” në kuadër të projektit “EDEM”; mësime me pedagogë të fakulteteve ekonomike, leksione me studentë të fakulteteve ekonomike dhe bashkëbisedime biznese-studentë, të financuara nga OSBE-ja, etj. Kodi i Etikës pati një shpërndarje të gjerë në botën e biznesit dhe pati disa forma botimesh, shpërndarjeje dhe prezantimi. Me mbështetjen e OSFA-s u organizuan seminare prezantuese në disa rrethe të vendit. Kodi i Etikës u botua i plotë në disa numra të gazetës “Biznesi”, organ i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Ai u bë gjithashtu pjesë e botimit: “Etika, ekonomia dhe biznesi”, botim i IDRA-s me mbështetjen e OSBE-së, etj.

Krijimi i një mjedisi favorizues për zhvillimin e biznesit/Qendra Shqiptare e Biznesit online

Në të gjitha studimet mbi biznesin shqiptar apo mbi marrëdhëniet e biznesit me administratën publike, është vënë në fokus mungesa e informacionit si një pengesë për zhvillimin e tij. Për këtë arsye OSFA mbështeti krijimin dhe funksionimin e një qendre shqiptare të biznesit online, me qëllim mbledhjen e përpunimin e një informacioni që do të shërbente për një njohje më të thellë të biznesit shqiptar. “ALBIC”, projekt i ndërmarrë me suksesh ndërmjet OSFA-së dhe IDRA-s, pati një ndikim të madh që në fazat e tij të para. “ALBIC” ka këto produkte kryesore: informacion i përgjithshëm mbi Shqipërinë (ekonomik, demografik dhe institucional), informim të plotë mbi sistemin fiskal në Shqipëri (një guidë e plotë e Tatimeve dhe Taksave 2005 online), informacion mbi sistemin bankar në Shqipëri, një guidë e plotë liçensimeve dhe çertifikimeve në Shqipëri, guidë e marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë me rajonin, një adresar të kompanive shqiptare (ëëë.adresar.albic.net), një pjesë e mirë e legjislacionit të biznesit online, një seksion për njoftime biznesi, si dhe një seksion me informacione në lidhje me prokurimin publik. Të gjitha këto produkte janë përmirësuar dhe rregjistruar vazhdimisht. Sot ky projekt po shkon drejt vetëfinancimit falë efektivitetit dhe përditësimit të tij korrekt edhe me të dhëna e guida mbi sistemin e taksave, të liçensimit të bizneseve etj.

Forcimi i sipërmarrjes së lirë/Themelimi i fondacionit “Besa”

Fondacioni “Besa” është një fondacion lokal shqiptar që u themelua më 1998 bazuar në marëveshjen e kredisë të Zhvillimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për Projektin e Mikrokredisë”. Një ndër bashkëfinancuesit e fuqishëm të tij është dhe fondacioni “Soros”. Themelimi i fondacionit “Besa” synonte krijimin në tregun shqiptar të një institucion lokal privat për të dhënë kredi si dhe shërbime afatgjata e të qendrueshme për mikrokredinë. Ai nisi aktivitetin duke patur si kapital themelues 25.3% nga OSFA, 57.4% nga qeveria shqiptare si dhe 10.8% nga Banka Botërore.
Fondacioni “Besa” kishte si mision nxitjen e sektorit të ndërmarrjeve mikro dhe të vogla në Shqipëri përmes krijimit të një fondacioni mikrokreditimi shqiptar privat që vetëmbahet. Ky fondacion jofitimprurës ka financuar dhe do të vazhdojë të financojë sipërmarrësit mikro dhe të vegjël në baza të qendrueshme. Klientët e fondacionit “Besa” përfshijnë njerëz nga të gjitha grupet socio-ekonomike përfshi të papunët dhe bizneset fillestare. Fondacioni që prej fillimit të aktivitetit të vet jep gjithashtu asistencë teknike për sipërmarrësit përfshi këtu edhe realizimin e trajnimeve si dhe kryerjen e studimeve të nevojshme për të mbështetur aktivitetin e tij. Për të plotësuar misionin e vet Fondacioni “Besa” vepron sipas parimeve të sektorit privat në dhënien e kredive. Kjo ka sjellë që mbas një periudhe trevjeçare aktiviteti, fondacioni nuk mbështetet më në subvencione të qeverisë ose të donatorëve.

Forcimi i sipërmarrjes së lirë/Kurse trajnimi për sipërmarrjen

Papunësia në rradhët e të rinjve në Tiranë është një problem serioz ekonomik e shoqëror. Ky projekt kishte për qëllim të mundësonte përgatitjen profesionale me njohuri e aftësi të administrimit të biznesit të vogël të një grupi prej 100 vajzash e djemsh, të grupmoshës 20 – 30 vjeç, me edukimi të mesmë dhe të papunësuar. Kështu do të lehtësohej dhe mundësohej punësimi i tyre në sektorin privat, apo ngritja e një aktiviteti sipërmarrës. Arritja e këtij qëllimi ndikon gjithashtu edhe në integrimin e tyre në jetën profesionale e shoqërore, pavarësinë e tyre ekonomike.
Në realizimin e projekti pati një bashkëpunim të mirë me disa fondacione e shoqata që nga OSFA, Fondacioni “Integrimi urban” (URBIN) me qendër në Selitë, “Albanian Youthshakers” dhe Këshilli Rinor Shqiptar (KRSH) etj. Gjatë procesit të trajnimit u punua me tema të karaktetit teoriko-praktik si: manaxhimi strategjik, format e organizimit të një biznesi, manaxhimi i marketingut, kontabiliteti dhe raportimi financiar, kontabiliteti i kostos, kontabiliteti i drejtim - planifikimit dhe buxhetimi, përgatitja e një plani të suksesshëm biznesi dhe simulimi i prezantimit të tij para një kreditori apo investitori potencial. Shumica e pjesëmarrësve në fund të projektit ishin në gjendje të punësoheshin ose të ndërmerrnin me iniciativën e tyre aktivitete të biznesit të vogël dhe të financoheshin nga fondacione ose banka. Nga grupi i punës madje u evidentuan rreth 30 nxënës me aftësi shumë të mira sipërmarrëse.  

Ndërgjegjësim dhe njohuri mbi ekonominë e tregut/Program formimi pasuniversitar në administrim ndërmarrjesh                           

Vitet ’90-të në Shqipëri u shoqëruan me reforma të shumta, transformuese, politike, ekonomike dhe shoqërore. Vendi krijoi një perspektivë të gjerë për një shoqëri të hapur drejt ekonomisë së tregut. Administrimi më i mirë i ndërmarrjeve dhe nevoja për një privatizim të suksesshëm nxori në pah nevojat për kuadro administrimi më të kualifikuara. Pikërisht në këtë kontekst duhej parë edhe bashkëpunimi i institucioneve shqiptare të arsimit të lartë me partnerë të huaj. Instituti Francez i Administrimit (IFA) është një ilustrim konkret i këtij bashkëpunimi në nivelin e formimit pasuniversitar, jo vetëm sepse është një program studimi në bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Francës, por edhe sepse pedagogë francezë dhe shqiptarë marrin pjesë në këtë bashkëpunim të mësimdhënies në fushën e administrimit të ndërmarrjeve. Gjatë kësaj periudhe në këtë shkollë kanë dhënë mësim 19 pedagogë francezë dhe 10 pedagogë shqiptarë. Numri i studentëve të pranuar në çdo vit akademik është ndërmjet 25 dhe 35. Kriteret e përzgjedhjes së studentëve janë: njohuri të mjaftueshme në gjuhën franceze; diplomë e studimeve universitare (pa dallim nga fusha) dhe motivim për të kryer studime pasuniversitare.
Ky bashkëpunim ka filluar që prej vitit akademik 1998-1999, periudhë kur erdhi për herë të parë në vendin tonë Fondacioni Kombëtar Francez për Mësimdhënien në Administrim Ndërmarrjesh (FENGE). Mbështetja financiare e këtij bashkëpunimi është dhënë nga tre partnerë: Qeveria Franceze, Fondacioni “Soros” dhe Universiteti Politeknik, Tiranë. Në përfundim të studimeve, që zgjasin 1-2 vjet (në varësi nga ecuria e tyre brenda një viti akademik), studentëve të suksesshëm u jepet një diplomë e lëshuar nga Universiteti i Bordosë IV “Montesquieu”, e titulluar: “Diplomë ndërkombëtare në fushën e menaxhimit”, e tipit MBA. Në bashkëpunimin për këtë projekt Fondacioni “Soros” ka financuar pajisjet dhe administrimin e projektit. Gjithashtu, OSFA ka financuar edhe stazhin e pedagogëve shqiptarë, përmes një vizite 2-3 mujore që ata kanë bërë çdo vit në Francë si edhe stazhet 2-3 mujore, që 5 studentët më të mirë për çdo vit akademik kanë kryer pranë një ndërmarrjeje në Francë. Ky bashkëpunim tripalësh ka vazhduar deri në vitin 2002 dhe mbas kësaj periudhe kjo shkollë po vazhdon aktivitetin e saj me vetëfinancim.  Deri më sot numërohen 108 kuadro shqiptarë dhe të huaj, të diplomuar në IFA.

Ndërgjegjësim dhe njohuri mbi ekonominë e tregut/Bibiloteka “J. Limprecht” e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës

Ndryshimet politike në fillim të viteve 1990 patën ndikimin e tyre edhe në sistemin arsimor universitar. Mbi të gjitha, si rrjedhojë e numrit gjithnjë në rritje të studentëve, cilësisë së mësimdhënies dhe kurrikulave, lindi nevoja e përmirësimit të mjediseve të studimit për studentët dhe stafin pedagogjik të fakultetit si dhe pasurimi i mëtejshëm i fondit, që në rreth 80% të tij përbëhej nga libra e periodikë në gjuhën ruse. Biblioteka e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranë, e përuruar më 4 Korrik 2004, është një ndër projektet më frytdhënëse të mbështetura prej Fondacionit “Soros”. Kjo bibliotekë mori emrin e ish-ambasadorit amerikan të akredituar në Tiranë, z. Joseph Limprecht dhe u realizua si fryt i një bashkëpunimi midis “USAID” dhe OSFA-s.
Përgjatë viteve biblioteka ka përfituar nga donacione të vazhdueshme librash e periodikësh, kryesisht nga OSFA, “USAID” dhe nga universitete perëndimore. Por, investimi më i rëndësishëm i kryer në këtë institucion ka qënë projekt-bashkëpunimi i OSFA-s dhe “USAID”-it për rinovimin e mjediseve dhe literaturës së bibliotekës, si dhe përmirësimin e forcimin e kapaciteteve funksionuese. Kështu, me një sipërfaqe prej rreth 300 m2, me kapacitet prej rreth 150 vendesh studimi dhe kapacitet arkivor prej 30,000 librash, një sistem tërësisht të kompjuterizuar shërbimi ndaj anëtarëve të saj, kjo bibliotekë mund të konsiderohet si një nga bibliotekat publike më moderne në Shqipëri. Sot ajo ka 300 anëtarë të rregjistruar dhe çdo ditë sallat e saj të leximit shfrytëzohen nga rreth 100 studentë. Pavarësisht kohës së shkurtër të hapjes, biblioteka “J. Limprecht” ka krijuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe shumë të frytshëm me institucione të ndryshme, biblioteka, etj.

Ndërgjegjësim dhe njohuri mbi ekonominë e tregut/Trajnime për mësuesit e ekonomisë

Përditësimi dhe thellimi i njohurive të nxënësve ndaj koncepteve të ekonomisë së tregut dhe biznesit ndikojnë drejtpërsëdrejti në përfshirje e brezit të ri në botën e biznesit dhe sfidat e saj. Për këtë duheshin rinovuar dhe thelluar vetë njohuritë e mësuesve të lëndëve të ekononisë veçanërisht në arsimin e mesëm. Në përgjigje të kësaj nevoje, u konceptuar dhe u zhvillua me sukses nga Fondacioni për Edukimin Ekonomik të të Rinjve, me mbështetje të OSFA-s, një projekt për trajnimin e tyre. Projekti kishte si aktivitet bazë një seminar njëjavor me mësuesit e ekonomisë të shkollave të mesme. Materialet e përdorura ishin bazuar në tekste të hartuara nga organizata ndërkombëtare “Junior Achievement International”, të përkthyer dhe të përshtatura për kushtet e Shqipërisë. Këto materiale sillnin mendimin më të përparuar ekonomik që aplikohet sot në botë dhe informuan mësuesit e ekonomisë edhe për disa forma të përparuara mësimdhënieje të koncepteve ekonomike si përdorimi i simulimeve, lojës me role, etj. Përvoja pozitive ka shërbyer për një seri trajnimesh në të gjithë vendin dhe me tematikë të larmishme. Në çdo trajnim mësuesit marrin materiale si për të punuar vetë edhe për punë të veçanta për nxënësit.

Ndërgjegjësim dhe njohuri mbi ekonominë e tregut/Përmirësimi i kushteve për edukimin e taksapaguesve

Ideja e këtij projekti u kristalizua në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bazuar në konceptin se edukimi i taksapaguesve dhe ndërgjegjësimi i tyre luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e punës dhe të rezultateve të kësaj strukture. Për të realizuar këtë projekt, në vitin 2002, kjo drejtori bashkëpunoi me kompaninë e konsulencës ndërkombëtare “PriceWaterHouse&Cooper”, (PWC). Mbështetja fianciare e dhënë nga OSFA shërbeu për të ndërtuar dhe përmirësuar funksionimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve në degët më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe për prodhimin e disa elementëve publicitarë. Për të realizuar këtë projekt u zgjodhën si pilot 6 degë të Tatim-Taksave në rrethet Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lushnjë dhe Vlorë. Në bashkëpunim me “PWC”-në, përmes financimit të dhënë nga OSFA, u përzgjodh dhe u financua qendrimi i një specialisti të huaj në Shqipëri (rreth 100 ditë), i cili do të trajnonte stafin ekzistues dhe do të ideonte disa fletëpalosjeve promovuese në ndihmë të përmirësimit të mardhënieve midis Drejtorisë së Tatimeve dhe Tatimpaguesve. Temat kryesore të trajtuara në këto fletëpalosje ishin Shërbimi për Tatimpaguesin: “Të shpërndash mjergullën”, “Çfarë është tatimi mbi të ardhurat”, “Çfarë është TVSH-ja”, “A duhet të regjistrohem në TVSH”, “Vlerësimi Tatimor”, “Të paguash tatimet”, “Si mund të apeloj” etj.
Një aktivitet mjaft i rëndësishëm i projektit ishte dhe disenjimi dhe prodhimi i Formularit të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve. U prodhuan rreth 200 blloqe me Formularë të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve. Këto formularë përdoren në zyrat e shërbimit nga stafi në kontaktet e vazhdueshme me tatimpaguesit. Gjithashtu, ky projekt shërbeu edhe si nxitje dhe mbështetje për pjesëmarrjen e Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve në një panair. Në periudhën 25.11.2002 deri më 30.11.2002 në pallatin e Kongreseve u zhvillua panairi “Klik Expo Klik 2002”. Në këtë panair administrata tatimore mori pjesë me një stendë në të cilën u ekspozuan materiale të përgatitura nga Sektori i Shërbim të Tatimpaguesve.