Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Mbështetja e OSFA-s për krijimin dhe fuqizimin e shoqërisë civile shqiptare ka nisur që me hapjen e zyrave të fondacionit “Soros” në Shqipëri në vitin 1992. Në kushtet e mungesës së plotë të organizimit të shoqërisë në struktura joqeveritare për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të qytetarit, mbështetja e OSFA-s ka qenë e gjithanshme. Kështu u ndihmua në krijimin, financimin, rritjen e kapaciteve dhe specializimin e OJF-ve të para shqiptare. Ndërsa, pas krizës së vitit 1997, duke dalë në pah edhe më mirë domosdoshmëria e shoqërisë civile, Programi i Shoqërisë Civile u strukturua në përshtatje me kushtet e reja. Pas vitit 1999, asistenca u bë më afatgjatë, më e strukturuar dhe jo aq me qasje emergjence si dikur. Qëllimi kryesor i Programit të Shoqërisë Civile është institucionalizimi i rregullave themelore të shoqërisë civile si: të drejtat e njeriut, vendosja e ligjit, liria e shprehjes, mbështetja e mekanizmave të ndikimit publik dhe kontrolli mbi shtetin dhe institucionet e tij.
Programi ndikoi dhe mbështeti në rritjen e kapaciteteve të vetë shoqërisë civile, në mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, në përhapjen e ideve liberale dhe vlerave demokratike, si dhe nxiti pjesëmarrjen aktive qytetare në proçesin e vendimmarrjes. Një nga arritjet më të mëdha në Programin e Shoqërisë Civile është ndërtimi i një koalicioni të gjerë midis OJF-ve, donatorëve, agjencive ndërkombëtare, në mënyrë që të ndikonin në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale.
Në kuadrin e Programit të Shoqërisë Civile është synuar aftësimi i punonjësve të OJF-të të vendit për të menaxhuar dhe ndërtuar projekte ose për të thithur fonde. U është dhënë përparësi projekteve që drejtoheshin ndaj grupeve të pambrojtura të shoqërisë apo ndaj çështjeve që lidheshin në mënyrë të ngushtë me të drejtat e njeriut, minoritetet dhe grupet e margjinalizuara. Programi i Shoqërisë Civile ndërmori edhe aktivitete ndërvepruese edukimi për të ndërgjegjsuar publikun e gjerë për kultivimin e vlerave demokratike dhe liberale ndër brezat e rinj dhe të rritur. Aktualisht shoqëria civile vazhdon të jetë një nga përparësitë e OSFA-s. Është hartuar tashmë një plan-veprimi për vitet 2006 – 2008, ku po të punohet për zhvillimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të fuqizuar: angazhimin qytetar, përgjegjshmërinë sociale nëpërmjet promovimit të aksionit qytetar, marrëdhëniet efektive me shtetin dhe politikën. Këtë synim OSFA po i realizon në bashkëpunim me partnerë të saj nga NOSA si lëvizja “Mjaft”, “Partnerët-Shqipëri”, etj.
Disa nga objektivat që synohen gjatë kësaj periudhe janë:
- Forcimi i kapaciteteve të brendshme në nivel organizativ, advokues, monitorues dhe lobues që ndikojnë në hartimin e politikave me synim përmirësimin e cilësisë së jetës;   
- Rritja e pavarësisë nga politika dhe forcimi i integritetit dhe besueshmërisë në publik;
- Zhvillimi i standarteve vetërregulluese të organizatave jo qeveritare e jofitimprurese me një efekt pozitiv në imazhin e tyre publik.
Fushat e veprimit të Programit të Shoqërisë Civile deri në vitin 2005 grupohen në tri objektiva kryesore me larminë e projekteve përkatëse:

A. Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile

Për objektivin e parë spikasin projektet:
Përmirësimi i kuadrit ligjor për sektorin jofitimprurës
Ndërtimi i bazës së të dhënave për ekspertë dhe ekspertizë në fushën e shoqërisë civile
Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile
Informacioni dhe shoqëria civile në zonat rurale     
Projekti “Finiks”
Projekti “Albania Think Again”
Fletë të verdha të OJF-ve shqiptare

B. Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara

Për objektivin e dytë përmenden projektet:
Projekti për përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Evropën Juglindore
Përfaqësimi si instrument integrimi

Qendra arsimore dhe kulturore për fëmijët romë
Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes fëmijëve romë, egjiptianë dhe fëmijëve të tjerë
Integrimi i romëve nëpërmjet vlerave të veta
Ndërgjegjësimi i komunitetit rom nëpërmjet audios
Shoqëria civile në zbatimin e strategjisë kombëtare për aftësinë e kufizuar
Organizimi i një rrjeti personash të trajnuar në ndihmë të prindërve të personave me aftësi të kufizuara mendore
Analizë sociologjike mbi familjet me një prind
Lehtësim punësimit për gratë dhe vajzat
Mundësi të integrimit të zonave satelite në qytetin e Tiranës
Qendra shlodhëse, argëtuese dhe kulturore
Qendra komunitare për të rinjtë dhe fëmijët romë

C. Edukimi qytetar

Për objektivin e tretë projektet më të realizuara janë:
Programi i arsimit parauniversitar
Ngritja e bordeve të edukimit
Projekti “HESP”
Nxitja e debatit publik
Pjesëmarrja përmes aksioneve në komunitetet lokale
Ekzaminimi i rolit të medias në mbulimin e krimit të organizuar
Fushata për mbrojtjen e qytetarëve
Të lëvizësh përtej kufijve
Sëbashku në rrugën e bashkëpunimit
Kultura demokratike dhe respektimi i Kodit Etik gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 2005
Projekti “Këtu vendos unë”
Cikli i debateve “Bashkimi Europian dhe Shqipëria”
Ndërgjegjësimi i publikut shqiptar mbi BE-në dhe integrimin

 

 

 

 


Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Përmirësimi i kuadrit ligjor për sektorin jofitimprurës

Duke e kuptuar rëndësinë e një kuadri modern dhe lehtësues legjislativ, Programi i Shoqërisë Civile ndërmori një varg aktivitetesh në mbështetje të kësaj problematike. Kështu OSFA mbështeti një grup ekspertësh që morën përsipër të zhvillonin projektin “Përmirësimi i kuadrit ligjor për sektorin jofitimprurës”. Qëllimi kryesor i projektit ishte të ndihmonte në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile në Shqipëri, duke siguruar krijimin e një mjedisi ligjor dhe financiar të përshtatshëm. Kjo gjë do të lehtësonte krijimin dhe funksionimin e organizatave joqeveritare, grupeve të lobimit, shoqatave profesionale dhe krijimin e mekanizmave që nxisnin dhe siguronin rritjen e transparencës, përmirësimin e imazhit publik të sektorit. Grupi i ekspertëve mbajti parasysh të gjitha konkluzionet e nxjerra nga një studim i Bankës Botërore dhe punoi për të identifikuar nenet e ligjit ose aktet nënligjore që kishin nevojë për amendime, saktësime apo formulime të plota. Drejtimet kryesore ku grupi e fokusoi punën ishin:
- Shqyrtimi i atyre neneve të ligjit që lidhet me proçedurat e regjistrimit. Rishikimi i proçedurave të liçensimit dhe kontraktimit të OJF-ve që jepnin shërbime dhe harmonizimi i tyre me proçedurat e regjistrimit;
- Rishikimi i sistemit ligjor për të mobilizuar burime (apo reforma tatimore);
- Rregullimet e nevojshme ligjore që do të promovonin një menaxhim më të mirë, përgjegjshmëri dhe transparencë.
Një varg takimesh pune u zhvilluan mes ekpertëve dhe përfaqësuesve të OJF-ve në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë. Pas draftimit të dokumenteve u punua për të ushtruar trysni në organet vendimmarrëse për miratimin e ndryshimeve të propozuara. Këtu përfshihen negociata me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, me Ministrinë e Financave, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me grupet parlamentare të Çështjeve Sociale dhe Ekonomisë, etj. Një nga rezultatet kryesore që u arrit nga zbatimi i këtij projekti ishte ndihmesa në krijimin e një sistemi ligjor të qëndrueshëm për funksionimin e organizatave të sektorit jofitimprurës. Gjithashtu projekti nxiti futjen e mekanizmave të brendshëm të qeverisjes së OJF-ve, metoda të unifikuara në mbajtjen e llogarive, etj, duke rritur transparencën e sektorit joqeveritar dhe duke përmirësuar imazhin e tij.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Ngritja e bazës së të dhënave dhe ekspertiza e OJF-ve

Në kuadrin e rritjes së kapaciteteve të organizatave në shoqërisë civile u pa i domosdoshëm edhe identifikimi i ekspertëve që bashkëpunonin në këtë sektor. Për këtë qëllim u zbatua projekti “Ndërtimi i bazës së të dhënave për ekspertë dhe ekspertizë në fushën e shoqërisë civile”, nismë e cila u ndërmor në vitin 2003. Kjo bazë të dhënash do të shërbente për të njohur, promovuar dhe nxitur pjesëmarrjen e ekspertëve lokalë në projekte të financuara nga agjenci ndërkombëtare e lokale, nga qeveria si dhe në projekte ndërkufitare. Informacioni i mbledhur u strukturua sipas disa niveleve:
- Kërkimi sipas fushës së shoqërisë civile;
- Kërkimi sipas nënfushës që përcaktojnë ekzaktësisht ekspertizën specifike të individëve;
- Kërkimi sipas rajonit gjeografik, në nivel kombëtar, rajonal ose lokal.
Rezultatet e projektit janë të shumta: ai ndihmoi në identifikimin e ekspertizës lokale, përdorimin me sa më efektivitet të potencialeve njerëzore që kishte Shqipëria, informim më të mirë të donatorëve, integrimin e informacionit në rrjetin global. Në të u përfshinë rreth 300 ekspertë dhe organizata. Dobishmëria e projektit “Ndërtimi i bazës së të dhënave për ekspertë dhe ekspertizë në fushën e shoqërisë civile”, pasqyrohet edhe tek numri i madh i vizitorëve në faqen zyrtare të projektit në internet ku qendron e vendosur baza e të dhënave.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Forcimi i kapaciteteve të OJF-ve

Rritja e kapaciteteve të OJF-ve në Shqipëri u gjykua si një bashkëveprim i shumëanshëm dhe proces informimi i vazhdueshëm. Programi i Shoqërisë Civile parashikoi një varg trajnimesh për anëtarët e tyre, në drejtime të ndryshme si: menaxhim financiar dhe burimesh njerëzore, menaxhim projektesh dhe advokaci e lobing. Për këtë qëllim u ndërtua edhe një program trajnimi me titull “Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile”, që ishte një projekt operacional i OSFA-s. Ai bazohej në një cikël trajnimesh, në të cilin u përfshinë disa rajone të vendit. Përmbajtja e kurseve u përcaktua nga OSFA, kurse materialet e trajnimit hartoheshin nga shoqatat që u ngarkohej detyra e zbatimit të projektit. Projekti synoi të ngrinte njohuritë dhe aftësitë e menaxherëve të OJF-ve, të koordinatorëve të projekteve, të administratorëve dhe anëtarëve të bordeve, me qëllim që të ishin efektivë në menaxhimin e burimeve, që kishin në dispozicion për të përmbushur misionin e tyre.
Në këtë kuadër u bashkëpunua me “Partnerët–Shqipëri”, një organizatë e specializuar në trajnime për rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile. “Partnerët-Shqipëri” është një organizatë joqeveritare që ka si mision të saj zhvillimin e shoqërisë civile dhe kulturës për ndryshim dhe manaxhim konflikti në Shqipëri. Ky bashkëpunim përbënte edhe një nga shembujt e shumtë të një partneriteti të suksesshëm në fushën e rritjes së kapaciteteve të shoqërisë civile. Një prej projekteve që vlen të veçohet është dhe “Rritja e kapaciteteve të OJF-ve në fushën e menaxhimit financiar, të menaxhimit të projekteve, advokacisë dhe lobimit”, i cili filloi në mars të 2005. Përmes këtij projekti “Partnerët – Shqipëri” ofroi 9 programe trajnimi 3-ditore në fushën e menaxhimit të financave, menaxhimit të projektit dhe lobimit dhe advokacisë për sektorin e organizatave joqeveritare, si përgjigje ndaj nevojave të deklaruara nga OJF të ndryshme. Pjesëmarrësit, rreth 10-15 persona për çdo organizatë jofititimprurëse, ishin përfaqësues nga rrethet Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Dibër, Durrës, Elbasan dhe Lezhë.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Informacioni dhe shoqëria civile në zonat rurale         

Në ndryshim nga shumë programe të tjera donatorësh, në Programin e Shoqërisë Civile është punuar edhe me organizata të vogla nga zona të largëta të vendit. Gjithashtu janë ndihmuar në rritjen e kapaciteteve edhe organizata nga minoritetet apo grupet e margjinalizuara. Pikërisht ato organizma që kanë mbetur jashtë vëmendjes të donatorëve të tjerë, janë bërë pjesë e projekteve të OSFA-s për rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile.
Ky ishte synimi i projekteve “Informacioni, faktor i zhvillimit të strukturave të shoqërisë civile në zonat rurale”, zbatuar në periudhën shtator 2000 – mars 2001, zhvilluar nga Qendra Kërkimore për Zhvillim Rural, mjeti kryesor i ndikimit të të cilit ishte botimi i revistës “Shqipëria rurale”, si dhe projekti “Rritja e kapaciteteve të organizatave me bazë komunitare në zonat rurale të Shkodrës dhe Lushnjes”. Sipas studimeve të ndërmarra nga OSFA vihej re që OJF-të lokale ishin të pakta në numër dhe me aktivitet të kufizuar. Gjithashtu ato ishin pak të informuara për aktivitetet e organizatave që ushtronin veprimtari të ngjashme, kishin kapacitete të kufizuara, etj. Përgjithësisht u konstantua që shoqatat apo grupet komunitare në zonat rurale apo urbane kishin mangësi në menaxhimin e projekteve dhe pothuajse nuk kishin njohuritë e duhura të menaxhimit financiar. Shkalla e pavarësisë së këtyre organizatave ishte shumë e ulët dhe puna me anëtarët dhe komunitetin ishte fare e pakët.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti ishte të nxiste zhvillimin e shoqërisë civile në disa rrethe si Shkodra, Lushnja, Kruja dhe në zonat rurale, duke rritur rolin e organizatave me bazë komunitare. Për këtë synim u identifikuan 10 grupe, që, për një periudhë një vjeçare, u trajnuan dhe u asistuan në rritjen e kapaciteteve menaxhuese, në zhvillimin e mëtejshëm dhe të shpejtë të organizateve të tyre, në zhvillimin e zonave rurale, në uljen e varfërisë dhe për rritjen e transparencës në sektor. Rezultate të drejtpërdrejta të zbatimit të këtij projekti ishin: forcimi i kapaciteteve të organizatave me bazë komunitare, rritja e përfitimit të fondeve nga ky sektor, menaxhimi i fondeve nga donatorë të huaj dhe nga burime të brendshme, ndihma në zhvillimin e zonave rurale dhe uljen e varfërisë, ndikimi në rritjen e transparencës brenda sektorit, etj.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Projekti “Finiks”

Një sërë projektesh të Programit të Shoqërisë Civile kanë synuar rritjen dhe forcimin edhe të grupeve të margjinalizuara si romët apo homoseksualët. Madje për homoseksualët mungon edhe një legjislacion për rregullimin e pozicionit të tyre në shoqërinë shqiptare. Për këtë arsye një rëndësi të veçantë iu kushtua mbështetjes dhe rritjes së kapaciteteve të organizatave që mbrojnë të drejtat e tyre. Një grup i tillë, të cilit i mungon përkrahja jo vetëm e shtetit por edhe e shoqërisë, u bë pjesë e një projekti të quajtur “Finiks”, të financuar nga OSFA. Me zbatimin e këtij projekti u zhvilluan disa aktiviteteve nga shoqata “Gay Albania”, ndërmjet të cilëve dalja e gazetës “Enigma” dhe anëtarësimi në shoqatë të personave të tjerë që më përpara e ndjenin veten të refuzuar nga shteti dhe shoqëria.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Projekti “Albania Think Again”

Programi i OSFA-s për rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile shqiptare ka nxitur edhe debate të një natyre akademike siç ishte projekti “Albania Think Again”. Ky projekt përbëhej nga një seri ëorking papers, duke zgjuar interesin e studentëve shqiptarë që ndiqnin programe pasuniversitare jashtë vendit për gradat master dhe doktoraturë. Interes shfaqën edhe profesorët shqiptarë që punonin jashtë vendit. Ky projekt u realizua nga OSFA në bashkëpunim me dy qendra: Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare dhe Qendrën për Kërkime Ekonomike dhe Sociale dhe përfshinte dy faza: a) ëorking papers – gjatë së cilës u botuan 3 – 4 ese në vit dhe b) discussion papers – ku do të përmbaheshin punime më të shpeshta, një herë në dy muaj, më të shkurtra, që mund të përfshinin një audiencë shqiptare.
Gjatë fushatës së kërkimeve u vu re se një numër i mirë studentësh shqiptarë, në programin e doktoraturës apo masterit, trajtonin një sërë çështjesh, të cilat shfaqnin interes për shoqërinë shqiptare. Pas një shqyrtimi të hollësishëm të studimeve të dërguara, të plota si dhe abstrakteve, u zgjodhën dy punime për këtë seri. Punimi i parë ishte punimi i z. Albert Doja, profesor në universitetin e Hall, Departamenti i Antropologjisë Sociale, me titull “Politika fetare në rindërtimin e identitetit, rasti i Shqipërisë”. Punimi i dytë që Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare vendosi të botojë është studimi i z. Aldo Bumçi, i titulluar “Maqedonia dhe shqiptarët”.
Në tërësinë e botimeve në fjalë projekti shërbeu për të rritur nivelin shkencor të prodhimtarisë lokale të shoqërisë civile. Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti u bë identifikimi i burimeve njerëzore që munden dhe duan të kontribuojnë në debatin lokal si pjesë e sektorit të shoqërisë civile. Gjithashtu u vendos një komunikim me forca të kualifikuara, studentë dhe profesorë jashtë vendit; u vendos një bashkëpunim me ekspertë shqiptarë që punonin në Shqipëri në institucionet publike apo në qendrat kërkimore të pavarura brenda vendit; u ngrit një debat rreth problematikës shqiptare për çështjet e demokracisë dhe tranzicionit, reformave ekonomike, marrëdhënieve me vendet e tjera jashtë Shqipërisë, çështjeve të integrimit evropian dhe marrëdhënieve me NATO-n. Punimet që u publikuan u vunë në ndihmë të institucioneve shtetërore, parlamentit, ministrive përgjegjëse, qendrave kërkimore në vend, bibliotekave e të tjera, etj.

Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile/Fletë të verdha të OJF-ve shqiptare
  
Ky site interneti, i emërtuar Fletë të Verdha të OJF-ve shqiptare, lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet shoqatave jofitimprurëse të niveleve të ndryshme në Shqipëri. Ai krijon mundësinë për të vendosur lidhje ndërmjet OJF-ve shqiptare dhe atyre të rajonit e më gjerë; lehtëson ndërtimin e rrjeteve, shkëmbimin e informacioneve, duke nxitur hartuar projekte të përbashkëta. Fletë të Verdha të OJF-ve shqiptare pritet të rrisë ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin ndërmjet shoqatave jofitmprurëse në qarqe të ndryshme të Shqipërisë për një pjesëmarrje sa më aktive qytetare në politikat zhvilluese.
OSFA e konceptoi projektin si databaze e tipit “Fletë të Verdha” dhe mbështeti për realizimin e tij Fondacionin Shqiptar të Shoqërisë Civile, i specializuar në përpunimin e të dhënave të tilla dhe me një rrjet pertnerësh edhe në rrethe të tjera të vendit. Baza e të dhënave krijoi mundësi në fushat ku nevojitet ekspertizë vendore, duke mbajtur parasysh përparësitë që ka në raport me ekspertizën e huaj, (kushton më pak, ka njohje më të mirë të problemeve në vend, etj). Ekspertiza e huaj mund të kërkohet/përdoret më shumë në fushat ku mungon ekspertiza vendore/ose kur ajo nuk ka cilësinë që nevojitet. Adresa elektronike e këtij siti është www. albanianngo.org.

 

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Përmirësimi i marrëdhënieve etnike në Europën Juglindore

Ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare dhe i autoriteteve shtetërore ndaj gjendjes së vështirë të bashkësisë rome nuk ka qenë në nivelin e duhur të një shoqërie demokratike. Shpesh, kushtet e vështira social–ekonomike të komunitetit rom shpjegohen si rezultat i “kulturës” apo i “mentalitetit” të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë paragjykohet kultura dhe vetë ky komunitet në përgjithësi dhe anashkalohet dukuria e diskriminimit social, përgjegjësia e organeve shtetërore, etj. Pikërisht për këtë arsye, në Programin e Shoqërisë Civile i është kushtuar një hapësirë e veçantë këtij komuniteti. Kështu deri në vitin 1999 ka ekzistuar Programi “Roma” që përqendrohej ekskluzivisht në çështjet e këtij komuniteti.
Më pas ky program i është bashkëngjitur Programit të Shoqërisë Civile, në kuadër të një marrëveshje bashkëpunimi më Fondacionin “King Badouin” të Belgjikës. Ky bashkëpunim u materializua tek projekti “Për përmirësimin e marrëdhënieve etnike në Europën Juglindore” që është zbatuar nga Qendra për Promovimin e Zhvillimit Njerëzor. Qëllimi i këtij programi ishte që të nxiste zhvillimin e marrëdhënieve më të mira midis etnive dhe komuniteteve të ndryshme brenda dhe midis 7 vendeve në Europën Juglindore. Për t’ia arritur këtij qëllimi programi ndërthurte dhënien e granteve për zhvillimin e këtyre komuniteteve dhe rritjen e kapaciteteve të komuniteteve dhe organizatave shoqërore në to. Ai përmbante në vetvete tre nivele: lokal, kombëtar dhe rajonal. Në nivelin lokal programi u përqendrua në zhvillimin e dialogut midis komuniteteve të ndryshme rreth çështjeve që përbënin një shqetësim të përbashkët. Për këtë qëllim u dhanë një sërë grantesh të vogla me synim zhvillimin lokal si dhe u afrua asistencë në rritjen e kapaciteteve në bazë për nxitjen e dialogut midis komuniteteve të ndryshme.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Përfaqësimi si instrument integrimi

Në ndihmesën, programet dhe projektet që u zbatuan me komunitetin rom ka pasur një përqendrim të veçantë tek grupet më të rrezikuara, të margjinalizuara dhe problematike të këtij komuniteti, siç janë gratë dhe fëmijët. Një vëmendje e veçantë iu kushtua fëmijëve jo vetëm si pasojë e situatës në të cilën ata ndodhen në të tashmen, por edhe për potencialin që ata përbëjnë për të ardhmen. Do të jenë fëmijët e sotëm të komunitetit rom që, me ndihmën e Programit të Shoqërisë Civile të OSFA-s, do ta nxjerrin nesër këtë komunitet nga situata problematike në të cilën ndodhet. Kështu Programi i Shoqërisë Civile investoi para së gjithash tek e ardhmja e komunitetit rom, duke iu përgjigjur në të njëjtën kohë sfidave dhe problemeve të së tashmes.
Në këtë aspekt një rëndësi e veçantë iu kushtua luftës kundër analfabetizmit dhe integrimit të fëmijëve romë në shoqërinë shqiptare. Një sërë projektesh u ndërmorën në këtë drejtim të zbatuara si nga shoqatat rome ashtu dhe nga shoqata të tjera. Kështu një nga projektet që u ndërmor titullohej “Përfaqësimi si instrument integrimi” dhe u zbatua nga shoqata “Rilindja e Apollonisë” në Fier. Një nga synimet kryesore të projektit ishte regjistrimi i fëmijëve romë për vitin 2004 – 2005. Në këtë kuadër u krijua një grup përfaqësimi i komunitetit rom në Drizë të Fierit, të cilët u morën me regjistrimin dhe nxitjen e shkollimit të fëmijëve të këtij komuniteti, si një kusht i domosdoshëm për emancipimin dhe integrimin e këtij komuniteti. Rreth 60 nxënës romë u regjistruan dhe filluan të ndiqnin shkollën. Në dispozicion të tyre u vu edhe një furgon për të lehtësuar vajtjen në shkollë. Përtej synimit parësor për regjistrimin në shkollë të fëmijëve romë, ky projekt arriti dhe rritjen e organizimit të komunitetit rom në Drizë të Fierit.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Qendra arsimore dhe kulturore për fëmijët romë

Edhe projekte të tjera kanë synuar uljen e analfabetizmit ndër fëmijët romë si dhe integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Në fshatin Moravë të rrethit Berat, shoqata “Gruaja beratase në zhvillim” ngriti “Qendrën arsimore dhe kulturore për fëmijët romë” gjatë vitit 2003. Kjo qendër shërbeu kryesisht për fëmijët jetimë romë. Këta fëmijë morën pjesë në një sërë kursesh, duke përfshirë vizatimin, pikturën dhe zbavitjen. Gjithashtu në këtë qendër fëmijët u familjarizuan me kompjuterin, si një instrument i domosdoshëm i teknologjisë moderne. Kështu fëmijët jo vetëm largoheshin nga një sërë aktivitetesh problematike në mungesë të mbikqyrjes, por ndjenin përkujdesjen për të cilën kanë shumë nevojë. Përtej shërbimit që i ofronte fëmijëve, kjo qendër shërbente edhe për të ndërgjegjësuar komunitetin në lidhje me problemin e grupeve të tilla shoqërore.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Veprimtari të përbashkëta mes fëmijëve romë, egjiptianë dhe fëmijëve të tjerë

Krahas rritjes së nivelit arsimor të fëmijëve romë, Programi i Shoqërisë Civile synoi edhe integrimin e fëmijëve romë ose egjiptianë me fëmijë të tjerë. Kështu shoqata “Mendime dhe inisiativa të lira”, me mbështetjen e Programit të Shoqërisë Civile ndërmori projektin “Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes fëmijëve romë, egjiptianë dhe fëmijëve të tjerë” që në vitin 2002 në Lushnje. Një sërë aktivitetesh u organizuan për rreth 300 nxënës, nga të cilët 100 ishin të komunitetit rom. Fëmijët, të ndarë në grupe ku ishin bashkuar fëmijët romë dhe jo romë, ndoqën së bashku kurse të ndryshme, si kursi i letërsisë, kursi i leximit, kursi i matematikës, kursi i muzikës, kursi i vizatimit, kursi i historisë dhe kursi i fiskulturës. Në këtë mënyrë fëmijët u miqësuan me njëri –tjetrin, pavarësisht përkatësisë etniko – kulturore dhe duke tejkaluar paragjykimet shoqërore. Në të njëtën kohë kurse të tilla shërbyen për të rritur nivelin arsimor të fëmijëve romë. Në mbyllje të këtyre kurseve, të gjithë fëmijët sëbashku organizuan edhe një spektakël të madh ku u ftuan dhe morën pjesë edhe prindërit e tyre.
Për të njëjtin qëllim shoqata “Klubi social”, Korçë, gjatë periudhës prill - qershor 2002 ndërmori projektin “Integrimi i fëmijëve egjiptianë”, i cili u përqendrua tek 30 nxënësit më të mirë të klasave të teta dhe 60 nxënësit më problematikë të klasave të gjashta dhe të shtata të komunitetit egjiptian. Projekti synonte që nxënësit më të mirë të nxiteshin për të vazhduar shkollën e mesme, ndërsa nxënësit problematik të inkurajoheshin për të mos lënë shkollën nëntëvjeçare. Për këtë qëllim u ofruan konsultime shtesë nga mësuesit në lëndë të ndryshme si lexim, matematikë, fizikë, kimi dhe biologji. Gjithashtu u ofrua edhe nxitje dhe këshillim për të siguruar ndjekjen e shkollës në mënyrë të rregullt tek ata nxënës që e kishin neglizhuar atë. Në përfundim të kësaj iniciative u organizua edhe një konkurs poezie me titull “Fëmijët egjiptianë” ku u dhanë çmime për poezitë më të mira, si dhe u organizua një piknik me fëmijët që morën pjesë në projekt.
Integrimi midis fëmijëve romë dhe jo romë është bërë edhe nëpërmjet aktiviteteve sportive. I tillë ishte projekti që u ndërmor nga “Amaro Dive” titulluar “Mini-spartakiada”. Në këtë aktivitetet morën pjesë 136 fëmijë nga komunitete të ndryshme, kryesisht romë, të cilët konkuruan me njëri – tjetrin në disa fusha sportive, si futboll, tërheqje litari, atletikë dhe hipizëm. Nëpërmjet këtij aktiviteti u nxit shpirti sportiv midis të rinjve dhe fëmijëve romë, duke i tërhequr ata larg aktiviteteve problematike. Gjithashtu u lehtësua edhe ndërveprimi midis fëmijëve që i përkasin komuniteteve të ndryshëm, duke shërbyer në njohjen midis fëmijëve të komunitetit rom dhe atij jo rom. Gjithashtu Programi i Shoqërisë Civile ka mbështetur zhvillimin e ndeshjeve të futbollit me pjesëmarrjen e skuadrave rome, duke promovuar kështu edhe futbollin rom në rajon. Kështu janë promovuar ndeshje futbolli në Ulqin, Mal të Zi, ku ka marrë pjesë futboll klub “Roma”.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Integrimi i romëve nëpërmjet vlerave të veta

Integrimi i romëve në shoqërinë shqiptare nuk është thjesht pasojë e nivelit të ulët arsimor. Para së gjithash diskriminimi dhe margjinalizimi i këtij komuniteti vjen si pasojë e paragjykimeve që shoqëria shqiptare ka për këtë komunitet. Për këtë qëllim Programi i Shoqërisë Civile i OSFA-s është përpjekur që të nxisë integrimin e komunitetit rom duke theksuar jo thjesht problemet, por së pari vlerat që mbart ky komunitet. Për këtë qëllim janë mbështetur iniciativa që nxjerrin në pah vlerat kulturore të këtij komuniteti. Në kuadrin e iniciativave të tilla janë hulumtuar këngë të vjetra të folklorit rom si në zona urbane ashtu dhe në ato rurale. Nëpërmjet intervistave me instrumentistë dhe këngëtarë të rinj e të vjetër romë, nëpërmjet bisedave dhe kërkimeve në disa qendra të populluara nga romët, janë identifikuar këngë të vjetra të folklorit rom që sot nuk janë aspak të njohura.
Një përpjekje e ngjashme ishte edhe projekti “Integrimi i romëve nëpërmjet vlerave të veta”, i ndërmarrë nga shoqata rome “Diutni-Albania” në periudhën shkurt – mars 2003. Në kuadrin e këtij projekti u formua një orkestër muzikore me muzikantë romë. Gjithashtu u formua një grup valltarësh ku pjesëmarrësit ishin si romë ashtu dhe jo romë. Më pas grupi organizoi postera me anëtarët e grupit dhe me titullin “Edhe melodia tërheq dhe integron”, si dhe fletëpalosje ku jepej informacion për kulturën, historinë dhe situatën në komunitetin rom sot. Këto fletëpalosje u shpërndanë në koncertet që u organizuan nga grupi ku u luajt si muzikë tradicionale rome, ashtu dhe muzikë shqiptare dhe moderne. Këto shfaqje u ndoqën nga një audiencë e gjerë shqiptare dhe joshqiptare. Në këtë mënyrë nëpërmjet muzikës dhe zbavitjes u lehtësua komunikimi midis grupeve etno – kulturore dhe u promovuan vlerat kulturore të komunitetit rom.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Ndërgjegjësimi i komunitetit rom nëpërmjet audios

Programi i Shoqërisë Civile është përqendruar edhe në procesin e ndërgjegjësimit të vetë komunitetit rom në lidhje me dukuri negative që e kanë prekur atë ashtu sikurse edhe shumë komunitete të tjera në Shqipëri, siç janë prostitucioni, trafikimi apo droga. Në këtë aspekt synimi ka qenë i dyfishtë. Nga njëra anë komuniteti rom dhe grupe të caktuara brenda këtij komuniteti, veçanërisht rinia janë sensibilizuar për rreziqe të dukurive të tilla. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e këtyre projekteve janë zbatuar nga organizata apo individë romë, gjë që ka shërbyer në rritjen e kapaciteteve të OJF-ve rome, duke nxitur kështu aftësinë e këtij komuniteti për vetë organizim. I tillë ishte projekti “Ndërgjegjësimi i komunitetit rom nëpërmjet audios” që u zbatua nga shoqata rome “Romani Baxt”. Ky projekt synonte që nëpërmjet këngëve dhe një albumi me këngë të ndërgjegjësonte rininë dhe fëmijët romë, por edhe të gjithë komunitetin rom, për probleme si droga, trafikimi, prostituimi apo lypja. Për këtë qëllim u përzgjodhën këngëtarë të njohur romë dhe u kënduan në gjuhën rome këngë, të cilat nxjerrin në pah këto dukuri dhe problematikën e tyre. Këngët u orkestruan në studio dhe u hodhën në një album që më pas u shpërndanë në komunitetin rom. Disa prej këngëve u shoqëruan me ilustrime. 

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Shoqëria civile në zbatimin e strategjisë kombëtare për aftësinë e kufizuar
           
Një vëmendje e veçantë në Programin e Shoqërisë Civile i është kushtuar personave me aftësi të kufizuar mendore. Ndonëse ekziston një Strategji Kombëtare për Aftësinë e Kufizuar, miratuar nga Qeveria Shqiptare më 7 janar 2005, është bërë ende pak për përmirësimin e kushteve të tyre. Në këtë kuadër është mbështetur projekti “Për një rol më aktiv të shoqërisë civile në zbatimin e strategjisë kombëtare për aftësinë e kufizuar”, (SKAK). Përmes tij është realizuar një fushatë e gjerë ndërgjegjësuese dhe informuese për njohjen e kësaj strategjie të veprimit dhe afateve kohore për zbatimin e saj në të gjitha nivelet. Në ditën ndërkombëtare të aftësisë së kufizuar u organizua një ditë informacioni në Tiranë, Pogradec, Elbasan dhe Shkodër. Në këtë ditë u shpërndanë materiale informative si fletëpalosje, postera dhe fletëinformacioni.
OSFA ka mbështetur disa trajnime për fuqizimin e kapaciteteve të organizatave që punojnë në nivel lokal në mënyrë që ato të luajnë një rol aktiv në procesin e avokatisë dhe lobimit, organizimin e fushatave ndërgjegjësuese, si dhe monitorimin e zbatimit të strategjisë së aftësisë së kufizuar. Fushat kryesore të monitorimit janë shërbimet për personat me aftësi të kufizuar (shërbimet shëndetësore, shërbimet sociale), arsimimi, formimi profesional dhe punësimi, pjesëmarrja në procesin e vendimmarrjes. OSFA ka bashkëpunuar dhe me organizata të tjera që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut në mënyrë që të institucionalizojë një bashkëpunim më të gjerë dhe të qëndrueshëm për aspekte të ndryshme.
           
Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Organizimi i një rrjeti personash të trajnuar në ndihmë të prindërve të personave me aftësi të kufizuara mendore

Prindërit dhe familjarët janë elementë kyç në përmirësimin e situatës të fëmijëve me aftësi të kufizuara mendore. Projekte të veçanta të mbështetura nga OSFA janë përqendruar tek familjet e këtyre fëmijëve, që shpesh janë të papërgatitur për t’u përballur me situatën e fëmijëve të tyre. Një projekt i tillë ka qenë “Organizimi i një rrjeti personash të trajnuar në ndihmë të prindërve të personave me aftësi të kufizuara mendore”, zbatuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar Mendore, (MEDPAK) në vitin 2001. Ky projekt u shtri në 2 bashki, 9 komuna dhe 49 fshatra duke trajnuar dhe aftësuar 60 anëtarë të shoqatës si dhe 12 punonjës të pushtetit vendor. Në mënyrë të ngjashme janë mbështetur një sërë iniciativash për fëmijët dhe personat e verbër. Kjo është një tjetër shtresë e margjinalizuar, e cila nuk gjen përkrahje as tek shoqëria dhe as tek autoritetet shtetërore shqiptare. Disa nga projektet kanë synuar integrimin e këtyre fëmijëve në shoqërinë shqiptare për t’i bërë ata pjesëtarë të barabartë dhe të denjë të kësaj shoqërie. Ky ishte synimi i projektit “Integrimi i fëmijëve të verbër të mitur”, zbatuar nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, Dega Tiranë, në vitin 2003. U organizuan një sërë tryezash të rrumbullakëta me prindërit e këtyre fëmijëve në lidhje me problemet të cilat ato hasin dhe mënyrën sesi këto probleme mund të përballohen me sukses. Në këto tryeza morën pjesë edhe fëmijë nga instituti i nxënësve që nuk shikojnë, mësues dhe anëtarë të shoqatës. Gjithashtu u prodhuan edhe fletëpalosje dhe video për të sensibilizuar shoqërinë në lidhje me problemet e këtyre fëmijëve.
E njëjta shoqatë është mbështetur nga Programi i Shoqërisë Civile në projektin “Aktivizimi i të rinjve dhe fëmijëve 7 – 20 vjeç, një mënyrë integrimi”. Në këtë projekt 6 të rinj të paarsimuar mësuan të përdorin shkrimin “Brail” për të verbërit. Gjithashtu shumë fëmijë dhe të rinj si nga Instituti i Nxënësve me Probleme në Shikim ashtu dhe jashtë tij morën pjesë në diskutime mbi problemet sociale që i shqetësojnë ata. Me këta fëmijë u organizuan edhe eskursione në një sërë vendesh turistike dhe arkeologjike. E njëta iniciativë është mbështetur edhe për Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë, dega e Shkodrës, e cila ka zhvilluar kurse mësimore ku fëmijë dhe të rinj të verbër kanë mësuar shkrimin “Brail”. Kjo degë me projektin e saj “Dritë për të verbërit” siguroi bazën materiale për shkrimin dhe leximin e shkrimit “Brail” për 12 pjesëmarrës me probleme shikimi në vitin 2004. Të gjithë këta pjesëmarrës u aftësuan në këtë drejtim.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Analizë sociologjike mbi familjet me një prind

Përveç fëmijëve me aftësi të kufizuar, në Programin e Shoqërisë Civile kanë zënë një vend të veçantë edhe fëmijët dhe të rinjtë pa përkrahje apo të përfshirë në probleme sociale si gjakmarrja. Në këtë drejtim janë mbështetur si projekte studimore ashtu dhe ndërhyrje konkrete në ndihmë të këtyre fëmijëve. U zhvilluan një seri anketash me fëmijë jetimë dhe u krijuan grupe ku u diskutuan dhe u identifikuan disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen ata. Iniciativa studimore për identifikimin e problematikës së fëmijëve pa përkrahje janë marrë edhe për familjet me një prind, të cilat hasin në një sërë problemesh sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Kjo problematikë u identifikua në nëpërmjet projektit “Analiza sociologjike mbi familjet me një prind”, zbatuar nga shoqata “Zëri i fëmijëve na thërret”, në Fushë-Krujë, Laç dhe Milot, gjatë periudhës shtator – mars 2005. Studimi bëri identifikimin dhe analizimin e statutit të fëmijëve me prindër të divorcuar, të larguar në emigracion, të dënuar apo të rimartuar. Në kuadrin e projektit u prodhuan dhe fletëpalosje si dhe u organizuan tryeza të rrumbullakëta për ta njohur dhe sensibilizuar komunitetin mbi problemet e kësaj kategorie sociale. Ndërsa iniciativa të tjera që janë mbështetur nga Programi i Shoqërisë Civile kanë pasur si qëllim ndërhyrje konkrete dhe të drejtpërdrejta në përmirësimin e kushteve të fëmijëve me probleme sociale. I tillë ishte projekti “Integrimi dhe edukimi i fëmijëve dhe i familjeve me probleme gjakmarrje me pjesën tjetër të komunitetit” që u zbatua nga shoqata “Ejani fëmijë”, në Shkodër në vitin 2003. Në qendër të kësaj iniciative ishin fëmijët që për shkak të gjakmarrjes ishin të izoluar dhe të shkëputur si nga pjesa tjetër e komunitetit ashtu dhe nga procesi mësimor. Për këtë arsye nëpërmjet kryerjes së këtij projekti, fëmijëve iu ofrua mësimdhënie në shtëpi si dhe baza mësimore e domosdoshme në mënyrë që ata të ecnin në një hap me bashkëmoshatarët e tyre. Po kështu u organizuan edhe në sërë aktivitetesh si vizatime dhe argëtim për t’i bërë këta fëmijë të ndihen të integruar dhe me përkujdesje.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Lehtësimi i punësimit për gratë dhe vajzat

Një tjetër grup shoqëror që ka qenë në vëmendjen e Programit të Shoqërisë Civile ka qenë dhe femra, e cila përballet me një situatë mjaft të vështirë në shoqëri tipike patriarkale siç është shoqëria shqiptare. Për të identifikuar problemet dhe për të ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare janë mbështetur konferenca kombëtare, seminare dhe tryeza të rrumbullakta mbi gruan. Programi i Shoqërisë Civile mbështeti me përparësi ato projekte që synonin konkretisht integrimin e grave në tregun e punës, duke përmirësuar kështu statusin e tyre social dhe finaciar. Papunësia, ndonëse mjaft e përhapur në Shqipëri, është edhe më e përhapur tek femrat, duke shkaktuar varësi ekonomike ndaj meshkujve. Për këtë arsye, janë mbështetur iniciativa që kanë synuar përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe punësimit të grave dhe vajzave. I tillë ishte projekti “Lehtësimi i punësimit për gratë dhe vajzat” zbatuar nga shoqata në Dobi të Gruas Shqiptare në vitin 2005. Nëpërmjet këtij projekti u punësuan 13 gra në 19 familje të ndryshme si punëtore shtëpie, kujdestare për fëmijët apo infermiere. Për këtë qëllim u ngrit një agjenci punësimi që bënte përzgjedhjen e grave dhe vajzave, trajnimin e tyre si dhe i lidhte ato me familje në nevojë për shërbimet që ato ofronin.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Mundësitë e integrimit të zonave satelite në qytetin e Tiranës

Në Programin e Shoqërisë Civile të OSFA-s, jo pa qëllim, pjesa më e madhe e projekteve të mbështetura si për gratë ashtu dhe për fëmijët janë përqendruar në zonat rurale apo suburbane. Veçanërisht në zonat suburbane, banorët e ardhur rishtaz dhe të vendosur përreth qyteteve kryesore të vendit përbëjnë një nga grupet më të mëdha të margjinalizuar në Shqipëri. Për t’iu përgjigjur problemeve të kësaj kategorie janë mbështetur nisma studimore që kanë vijuar me rekomandime në lidhje me politikat që duheshin ndjekur për zhvillimin e këtyre zonave, projekte konkrete që kanë synuar integrimin e të ardhurve në qytetet ku ata janë zhvendosur, etj. Një rast i nismave studimore në lidhje me përballimin e problemit të zonave suburbane është studimi “Mundësi të integrimit të zonave satelite në qytetin e Tiranës”, përgatitur nga Instituti i Kërkuesve të Rinj, në vitin 2001. Ky studim u krye në bashkinë e Kamzës dhe u bazua në një sondazh të gjerë me banorët, në mbledhje të dhënash sasiore dhe cilësore si dhe në testime të ekspertëve mbi problematikën e bashkisë së Kamzës, një nga zonat ku janë përqendruar të ardhurit. Ky studim solli me dhjetëra rekomandime në lidhje me politikat afatshkurtra dhe afatgjata që duhen ndjekur nga autoritetet shtetërore dhe donatorët për të integruar këtë zonë suburbane me qytetin e Tiranës. Më pas studimi është ndjekur nga nisma konkrete për integrimin e këtyre komuniteteve në qytetet ku ata janë vendosur. Më pas u ofruan një sërë trajnimesh, si për shembull për dhunën brenda familjes. Gjithashtu u organizuan edhe mjaft aktivitete argëtuese dhe eskursione për fëmijët e këtij komuniteti. Kështu u organizua një ekspozitë me vizatimet e tyre si dhe një kampionat sportiv mes shkollave të kësaj zone. Të gjitha këto aktivitete u kryen në bashkëpunim të ngushtë me pushtetet vendore.
           
Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Qendra shlodhëse, argëtuese dhe kulturore

Programi i Shoqërisë Civile, veç mbështetjes së grave dhe të bashkësive suburbane, ka përkrahur edhe nisma për një numër grupesh të tjera të margjinalizuar, si pensonistët, ushtarakët e papunë si pasojë e reformës në ushtri, apo të burgosurit politikë. Kështu për pensionistët janë mbështetur nisma studimore që synonin identifikimin e problemeve të moshës së tretë dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë në lidhje me këto probleme. Ka pasur edhe nisma konkrete siç ka qenë “Qendra shlodhëse, argëtuese dhe kulturore”, nga Shoqata e Përgjithshme e Pensionistëve në Tiranë, në vitin 2002, e cila ngriti një qendër për pensionistët ku ata mund të shoqërizoheshin, të argëtoheshin, të lexonin shtypin e ditës dhe të shpenzonin kohën sëbashku. Dy grupe të tjera që janë mbështetur kanë qenë të burgosurit politikë dhe ushtarakët e dalë në pension. Kështu në kuadrin e Programit të Shoqërisë Civile është mbështetur ekspozita “Burgjet e diktaturës komuniste” organizuar nga shoqata e të përndjekurve politikë “Musine Kokalari”. Në të janë ekspozuar fotografi dhe dokumenta nga jeta në burgjet e diktaturës, një pjesë e mirë prej tyre të panjohura për publikun e gjerë që në këtë mënyrë sensibilizohej edhe për vuajtjet e kësaj shtrese.

Minoritetet dhe grupet e margjinalizuara/Qendra komunitare për të rinjtë dhe fëmijët romë
           
“Qendra komunitare për të rinjtë dhe fëmijët romë” është një nga rastet më tipike dhe të suksesshme të kontributit të Programit të Shoqërisë Civile në përmirësimin e kushteve për komunitetet minoritare dhe për grupet e margjinalizuara. Në qytetin e Elbasanit, në maj të vitit 2004, u mbështet ngritja e një qendre që do të ndihmonte në edukimin dhe integrimin e fëmijëve dhe të rinjve romë në shoqëri. Një nga objektivat e këtoj projekti ishte krijimi i mjedisit të përshtatshëm dhe familjar për fëmijët, ku ata të ndiheshin të mirëpritur dhe të stimuluar për të marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara.
Fillimisht u përzgjodhën rreth 30 fëmijë romë. Puna me ta filloi që nga elemetët fillestarë të rregullave të mirësjelljes dhe rregullave të qendrës. Një nga problemet më të përhapura dhe më shqetësuese lidhur me komunitetin rom është analfabetizmi. Në këtë këndvështrim në objektivat e qendrës u pa si një synim themelor mësimi i shkrimit dhe i leximit të fëmijëve romë. Shumë nga fëmijët kanë mësuar shkronjat e para në qendër edhe pse mund të ishin në moshë për të shkuar në klasë të pestë apo të gjashtë. Gjithashtu mosfrekuentimit të shkollës nga këta fëmijë i është kushtuar një vëmendje e veçantë. Janë organizuar takime të ndryshme me prindërit për t’i bindur ata t’i regjistrojnë fëmijët në klasë të parë dhe për t’ju krijuar atyre kushtet për të ndjekur shkollën normalisht.
Shumë prej fëmijëve që kanë ndjekur kurset e gjuhës në qendër, janë regjistruar më pas në klasë të parë, ndërkohë që të tjerë i janë nënshtruar një testi të hartuar nga mësuesit e shkollës dhe janë regjistruar direkt në klasë të dytë ose të tretë. Ndër kurset e ndryshme të zhvilluara që nga hapja fillimisht e qendrës janë: mësimi i gjuhës shqipe, kursi i gjuhës rome, kursi i artizanantit dhe ai i muzikës. Hapja e kursit të muzikës rome ishte një hap i rëndësishëm për respektin ndaj vlerave kulturore të minoritetit rom dhe ruajtjes së gjuhës së tij.  Qendra ka organizuar herë pas here takime të ndryshme ku kanë qenë të ftuar prindërit, të afërmit e fëmijëve dhe anëtarë të ndryshëm të komunitetit. Në këto takime i është kushtuar rëndësi theksimit të të drejtave të fëmijëve dhe mjedisit të ngrohtë familjar që ndihmon në mirërritjen dhe mirëqenien e tyre. Qendra ka shërbyer gjithashtu në rolin e një negociatori që vendos lidhjet midis një institucioni shtetëror dhe një pjese të popullsisë të lënë në harresë.

Edukimi qytetar/Programi i arsimit parauniversitar

Aftësitë e qytetarisë nuk mund të trashëgohen nga njëri brez tek tjetri por përcillen me anë të programeve të ndryshme që nxisin pjesëmarrjen, dialogun, edukimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpër shkolla me rregullat demokratike, si dhe me debatin në komunitet mbi politika të caktuara publike. OSFA e ka konsideruar jetike mbështetjen për programe me karakter edukues qytetar për të rinjtë. Një prej këtyre programeve fokusoi arsimin e përgjithshëm, duke trajtuar kryesisht përmirësimin e kushteve të mësimdhënies në shkolla dhe futjen e metodave te reja të të mësuarit. Ai mbështeti për këtë një varg  trajnimesh mësuesish, përgatitjen e disa manualeve dhe botimeve të përdorshme gjatë proçesit mësimor. Në këtë kontekst, Programi i Arsimit Parauniversitar parashtroi disa objektiva që lidhen me ndërgjegjësimin e publikut, i cili duhet ta shohë arsimin si të mirë publike në shërbim të shoqërisë dhe rritjes së mirëqenies. Objektivat më të rëndësishme ishin:
- Mobilizimi i shoqërise civile për rishikimin e politikave arsimore dhe përmirësimin e sistemit;
- Forcimi i shoqatave të prindërve dhe mësuesve;
- Forcim i organizatave të nxënësve;
- Demokratizi i jetës së shkollës, duke luftuar diskriminimin.

Edukimi qytetar/Ngritja e bordeve të edukimit

Një nga nismat më të rëndësishme të ndërmarra nga OSFA për zgjerimin e bazës së vendimmarrjes në shkolla është projekti për “Ngritjen e bordeve”, realizuar nga Specialistët Shqiptarë të Edukimit,  në vitin 2002. Ky projekt u realizua në një kohë ku shkolla po ndiente nevojën e zgjerimit të hapësirave demokratike dhe bordi i shkollës sipas këtij projekti ishte krijuar për të funksionuar si organ ndihmës konsultativ, që ndihmonte në drejtimin demokratik të problemeve kryesore të shkollës dhe menaxhimit të saj. Bordi i shkollës u krijua edhe me qëllimin për të ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me komunitetin, me partnerët e tjerë socialë dhe me shoqërinë civile. Deri në atë kohë misioni i shkollës nuk pasqyronte nevojat dhe qëllimet e një shoqërie në tranzicion. Sipas një studimi të ndërmarrë nga Specialistët Shqiptarë të Edukimit, në vitin 2000 rezultonte se shkolla ishte ende e mbyllur dhe institucion konservator përkundrejt shoqërisë, mungonte një bashkëpunim i rregullt me komunitetin dhe ende drejtohej me prirje centralizuese.
Bordet e shkollës u ngritën mbi bazën e traditës së qeverive të nxënësve, duke qenë fillimisht të brishta dhe këshilluese por që gradualisht po rrisin rolin e tyre dhe ndikimin në jetën e shkollës dhe që kryejnë disa funksione të rëndësishme si: koordinimin e punës me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, bëjnë lidhjen midis shkollës dhe komunitetit, ndihmojnë dhe sugjerojnë zgjidhje efikase, sigurojnë një informacion me bazë sa më të gjerë dhe ndërgjegjësojnë një masë sa më të madhe njerëzish për pjesëmarrje në vendimmarrje. Më konkretisht si pasojë e projektit për “Ngritjen e bordeve”:
- U rrit autoriteti i shkollës dhe i aktorëve të tjerë;
- Ndryshoi mentaliteti për rritjen e pjesëmarrësve në vendimmarrje;
- Shkolla filloi të ruhet dhe mirëmbahet më mirë;
- Eshtë rritur frekuentimi dhe zbatimi i ligjit në shkollë;
- Ka rezultate më të mira në përparimin e nxënësve;
- Ka më pak thyerje disipline në shkollë.

Edukimi qytetar/Programi “HESP”

HESP (Higher Education Support Program) është një nga programet më të hershme të OSFA-s, në mbështetje të Arsimit të Lartë. Ai synonte të ndikonte në procesin e reformimit të sistemit universitar shqiptar. Objektivat e programit kanë ndryshuar në përputhje me nevojat thelbësore që sistemi universitar shqiptar ka patur në kohë të ndryshme. Kështu, pasi iu përgjigj për disa vjet kërkesave për kualifikim të pedagogëve dhe studentëve si dhe botimit të disa teksteve mësimore bazë, pas vitit 2000, programi është fokusuar ne realizimin e objektivave e mëposhtëm:
- Forcimi i autonomisë universitare sidomos atë financiare;
- Rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të Arsimit Lartë;
- Konsolidimi i mekanizmave për vlerësimin dhe sigurimin e cilësisë së mësimdhënies;
- Demokratizimi i jetës universitare, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes së studentëve në të;
- Bashkëpunimi afatgjatë midis universiteteve në rajon;
Në këtë program vend të rëndësishë zënë edhe botimet të cilat kane dhënë ndihmesë të çmuar në disa fakultete të Universitetit të Tiranës, në cikle të tjera të shkollimit, etj.

Edukimi qytetar/Nxitja e debatit publik

Procesi i edukimit qytetar nuk përfshin vetëm fëmijët dhe të rinjtë por edhe të rriturit. Cilësia e demokracisë së një vendi varet edhe nga shkalla në të cilën edukimi qytetar ndihmon qytetarët e rritur për një pjesëmarrje të gjerë në çështjet publike. Dhe kjo nënkupton të kesh njohuri për komunitetin, për shtetin dhe njohuritë e nevojshme për një problem apo një çështje të veçantë. Në të njëjtën kohë ajo kërkon aftësitë e nevojshme për të funksionuar suksesshëm në grupe dhe për të kontribuar efektivisht në punën e tyre. Një projekt që ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejt në edukimin qytetar të të rriturve ishte projekti “Nxitja e debatit publik”, në nëntor të 2004, i cili kishte si qëllim kryesor informimin mbi kompetencat dhe veçoritë e pushtetit vendor në rrethet Kukës dhe Lushnjë. Ai përbën një nga shembujt më të mirë të tipologjisë së projekteve të mbështetura në kuadrin e Programit të Shoqërisë Civile që synojnë të nxisin edukimin qytetar në lidhje me proçeset demokratike.
Projekti u organizua në dy faza. Faza e parë ishte organizimi i tryezave të rrumbullakëta, ndërsa faza e dytë ishte forumi me qytetarët dhe transmetimi në TV i këtij forumi. Tryezat e rrumbullakëta u organizuan në rrethet e Kukësit dhe Lushnjes dhe në këto tryeza u përcaktuan temat e mëposhtme që më pas do të diskutoheshin në forume:
- Rivlerësimi nga pushteti vendor i personave dhe familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe përkrahje sociale;
- Puna për realizimin e detyrimeve fiskale nga subjektet private në territorin e bashkisë dhe niveli i bashkëpunimit dhe mbështetjes nga Drejtoria Rajonale e Taksave dhe Tatimeve;
- Përmirësimi urbanistik i qyteteve Kukës dhe Lushnjë.
Më pas, në përputhje me përcaktimin e çështjeve nga tryezat e rrumbullakëta, u realizuan forumet respektive në dy rrethet. Në to morën pjesë përfaqësues nga pushteti vendor, kategori të ndryshme të komunitetit vendor, sindikatat, shoqëria civile, specialistë të fushave përkatëse, media vendore.
Natyrë të ngjashme pati edhe projekti “Edukimi dhe përfshirja e komunitetit të lagjes “Stalla”, Përmet në vendimmarrjet e këshillit bashkiak në dobi të tyre”, zhvilluar në maj – korrik 2001. Në kuadrin e këtij projekti u shpërndanë fletëpalosje dhe u zhvilluan takime të ngushta me përfaqësuesit e lagjes. Paralelisht me këto takime u zhvilluan edhe takime me drejtues të stafit të bashkisë për të parë nëse bashkia kishte planifikuar ndërhyrje në këtë lagje. Nga takimi midis kryetarit të lagjes dhe përfaqësisë të këshillit bashkiak u shqyrtuan disa probleme si për shembull problemi i rrugës, i ujit të pijshëm, i kanaleve të bardha dhe të zeza, ndriçimi si dhe ndërtimet pa leje. Projekti u zhvillua me mjaft sukses dhe u prit mjaft mirë nga komuniteti, pasi nxiti përfshirjen e elementëve të rinj në procesin e vendimmarrjes në këshillin bashkiak, si dhe për faktin se prodhoi përfitime konkrete për komunitetin.

Edukimi qytetar/Pjesëmarrja përmes aksioneve në komunitetet lokale

Në mënyrë që edukimi qytetar të jetë sa më produktiv janë organizuar edhe projekte që përmbushin edukimin qytetar nëpërmjet aksionit dhe pjesëmarrjes. Në këto projekte është punuar për të nxitur bashkëpunimin në nivel lokal për realizimin e veprave në dobi të komunitetit. Një shembull tipik i kësaj veprimtarie ka qenë projekti “Edukim qytetar përmes aksioneve në komunitetet lokale”, realizuar nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, në muajt shtator – maj 2005. Në kuadër të këtij projekti u realizuan aksione lokale në shtatë qytete të vendit: Elbasan, Gjirokastër, Peshkopi, Berat, Shkodër, Tiranë dhe Pogradec. Falë kësaj ndërhyrjeje u sigurua një përfshirje e gjerë e komunitetit. Media u përfshi jo vetëm me rolin e saj informues dhe edukues, por edhe si përfituese e aktivitetit për të nxitur një reagim pozitiv dhe mbështetës. Gjithashtu u arrit bashkëpunimi me partnerët lokalë, OJF-të që punojnë në zonat e ndërhyrjes, kontaktet me target-grupin si dhe krijimin e urave lidhëse me iniciativat lokale ekzistuese.
Projekti synonte përfshirjen e sa më shumë prefekturave dhe të një numri sa më të madh përfituesish. Përfituesit ishin komunitetet lokale në nëntë rrethe të vendit: Tiranë – Bathore; Shkodër, Peshkopi, Berat, Pogradec, Lushnjë, Elbasan, Gjirokastër e Sarandë.

Edukimi qytetar/Ekzaminimi i rolit të medias në mbulimin e krimit të organizuar

Në procesin e edukimit qytetar i është kushtuar një rëndësi e veçantë bashkëpunimit të ngushtë me mediat. Në këtë kuadër, janë mbështetur dhe organizuar projekte konkrete në lidhje me to. Kështu projekti “Ekzaminimi i rolit të medias në mbulimin e krimit të organizuar”, i shërbeu akoma më shumë qëllimit të OSFA-s për sensibilizimin e komunitetit ndaj të drejtës për transparencë dhe për informim. Tema e përzgjedhur shërbeu për të testuar lirinë e shtypit në Shqipëri, se sa të informuar ishin qytetarët shqiptarë dhe sa akses kishte media në të, si kanali kryesor i informimit dhe formësimit të opinionit publik. U monitoruan 7 gazeta të përditshme shqiptare në bazë të influencës dhe popullaritetit të tyre tek publiku (“Shekulli”, “Panorama”, “Korrieri”, “Tema”, “Koha Jonë”, “Metropol”, “Gazeta Shqiptare”) për periudhën janar – mars 2005. Gjatë kësaj periudhe të vëzhgimit u monitoruan gjithsej 633 artikuj të botuar në gazetat e mësipërme në lidhje me krimin e organizuar. Projekti përbëhej nga dy komponentë bazë: monitorimi i shtypit të përditshëm në lidhje me pasqyrimin e krimit të organizuar; intervistimi i gazetarëve që mbulojnë krimin e organizuar.
Në rekomandimet përmbyllëse të vëzhgimit kërkohej që:
- Të ruhej qartë kufiri mes dhënies së informacionit dhe dhënies së gjykimit;
- Kur ishte e mundur të shkohej përtej lajmit dhe të bëheshin raportime më të thellësishme;
- Të bëhej kujdes me identifikimin dhe trajtimin e të miturve dhe viktimave;
- Të zbutej identifikimi etnik i krimit, në mënyrë që të mos hiqej vëmendja nga karakteri ndërkombëtar i tij si dhe të mos krijohej mundësi për forcimin e stereotipeve.
Gjithashtu u rekomandua që të botoheshin përgënjeshtrime apo korrigjime në rast se kërkohen nga palët e dëmtuara apo me vetë vullnetin e gazetës. Rekomandime u bënë edhe për autoritetet zyrtare ku kërkohej që të respektohej dhe zbatohej gjithnjë e drejta për informacion sipas ligjit në fuqi, sidomos me gazetarët, dhe të shmangej dhënia e informacionit aty kur nuk mund të citohej burimi.

Edukimi qytetar/Fushata për mbrojtjen e qytetarëve

Përtej veprimtarive informuese dhe ndërgjegjësuese, Programi i Shoqërisë Civile në kuadrin edukimit qytetar ka mbështetur edhe nisma që mbrojnë drejtpërsëdrejeti të drejtat e qytetarëve. Në këtë mënyrë qytetarët janë informuar në lidhje me të drejtat e tyre dhe kanë përfituar ndihmesë konkrete për t’i realizuar ato në praktikë. OSFA mbështeti projektin e “CAO”-s “Fushata për mbrojtjen e qytetarëve”, i cili u zhvillua gjatë muajve dhjetor 2003 – shkurt 2004 në disa qytete (Tiranë, Shkodër, Burrel, Berat, Lushnjë, Durrës, Vlorë, Pogradec, Elbasan, Gjirokastër) duke e shndërruar këtë projekt në një maratonë për mbrojtjen e qytetarëve.
Ideja e maratonës u shndërrua në simbolin e fushatës me një vazhdimësi veprimesh, të cilat zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Në të gjitha qytetet ku u shtri projekti, grupi i lëvizshëm i punës kontaktoi me institucionet më të rëndësishme: Zyrat e Bashkisë, Rajonet e Policisë, shkollat e mesme dhe të larta, vendet publike, etj. Gjithashtu “CAO” bashkëpunoi me televizionin “Teuta TV” duke organizuar programin televiziv “Thyeni heshtjen” ku u fol për probleme me të cilat qytetarët përballen çdo ditë. Ndërkohë, në bashkëpunim me gazetën e përditshme “Albania” dhe me grupin e grave të medias, “CAO” publikoi 2 – 3 artikuj çdo javë dhe një reklamë për shërbimet dhe numrin e ndihmës. Pas zbatimit të këtij projekti dhe pas zhvillimit të bisedave televizive me qytetarët, intelektualët, përfaqësuesit e qeverisjes vendore, policinë dhe prokurorinë, universitetin, OJF-të etj, rezultoi se shërbimet në lidhje me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin ishin më të kërkuara nga vetë qytetarët.

Edukimi qytetar/Të lëvizësh përtej kufijve

Edukimi qytetar i të rriturve përfshin edhe projekte që kanë të bëjnë me edukimin e qytetarëve ndaj grupeve më të pambrojtura të shoqërisë. I tillë ishte projekti “Të lëvizësh përtej kufijve”. Ky projekt u realizua gjatë periudhës maj – korrik 2005 nga “Fountain House”, “Shtëpia psikiatrike në komunitet” dhe të financuar nga OSFA. “Fountain House Tirana”, në kuadër të projektit, ka përgatitur materiale informuese dhe ndërgjegjësuese për shkeljen e të drejtave të njeriut në personat me paaftësi mendore. Materialet u përgatitën nga një grup i përzgjedhur profesionistësh të cilët operojnë në fushën e shëndetit mendor dhe të drejtave të njeriut. U zhvillua një fushatë e gjatë informative me anë të fletëpalosjeve dhe posterave duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës në mbrojtje të personave me sëmundje mendore. Publikimet iu shpërndanë falas klientëve, familjarëve, OJF-ve të ndryshme, profesionistëve të shëndetit mendor, të të drejtave të njeriut, etj.
Qendra “Fountain House” gjatë periudhës maj – korrik 2005 është frekuentuar nga 30 – 35 anëtarë çdo ditë. Anëtarët e kësaj qendre psikiatrike janë persona me probleme kronike të shëndetit mendor që jetojnë në komunitet pranë familjeve dhe të afërmëve të tyre. Duke kryer shërbime të ndryshme shoqërore dhe vetjake në këtë shtëpi të përbashkët synohet që ata të riaftësohen dhe të kenë mundësi të rehabilitohen dhe integrohen në jetën e tyre të përditshme. Zbatimi i këtij projekti i ka dhënë mundësi “Fountain House” të rrisë cilësinë në shërbime kundrejt personave me probleme të shëndetit mendor, të rrisë interesin e vetë anëtarëve për të frekuentuar këtë qendër rehabilitimi dhe veçanërisht mundëisnë për të integruar personat me probleme kronike të shëndetit mendor në shoqëri si dhe të ndërgjegjësojë komunitetin në përgjithësi për përgjegjësitë që ata duhet të kenë ndaj këtij grupi.

Edukimi qytetar/Sëbashku në rrugën e bashkëpunimit

Një nga veprimet kryesore në çdo sistem demokratik është votimi në zgjedhjet elektorale. Karakteristikë e shoqërive në tranzicion është fakti se shfaqet një pjesëmarrje e madhe në votime, por qytetarët kanë pak njohuri për sistemin e tyre politik si dhe politikat publike për të cilat votojnë. Një ngërç të tillë u përpoq të zgjidhte projekti “Sëbashku në rrugën e bashkëpunimit”. Ai përfshinte qytetet e Beratit, Lezhës, Shkodrës dhe Fierit, në prill të 2005, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, prefekturës, qarkut, administratës publike, shoqërisë civile, lidershipit politik dhe komuniteteve fetare. Tema rreth së cilës u përqendrua diskutimi dhe prononcimet e të pranishmëve ishte bashkëpunimi i faktorëve kryesorë në qytetet e Beratit, Lezhës, Shkodrës dhe Fierit duke iu referuar standarteve të kërkuara në kaudër të procesit të integrimit europian të vendit. Gjithashtu u vlerësua se bashkëpunimi i faktorëve kryesorë në qytetet e Beratit, Lezhës, Shkodrës dhe Fierit dhe më gjerë do t’i shërbente më mirë rritjes së investimeve, ruajtjes së ambientit dhe vlerave muzeale e të urbanistikës, zhvillimit të turizimit bregdetar dhe historik, qetësisë publike dhe normalitetit.

Edukimi qytetar/Kultura demokratike gjatë fushatës parlamentare të 2005

Një nga projektet që synonte të rriste vëmendjen e qytetarëve ndaj zgjedhjeve elektorale ishte dhe projekti “Shpalosja e kulturës demokratike dhe respektimi i kodit etik gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 2005”, zhvilluar nga shoqata rajonale “Gazetarët profesionistë”. Zbatimi i këtij projekti kishte të bënte me shpalosjen e kulturës demokratike dhe respektimin e kodit etik gjatë fushatës zgjedhore parlamentare 2005, nëpërmjet dy tryezave në radiot lokale. Dy tryezat telefonike u zhvilluan në radio “Gjirokastra”dhe në to morën pjesë intelektualë, mësues, psikologë, përfaqësues të OJF-ve, të policisë dhe mbi 6 të ftuar. Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan klimën e fushatës zgjedhore, klimë kjo fillimisht paqësore, por që ditë pas dite erdhi duke u ndezur. Si elementë negativë të fushatës qenë fenomene të tilla si grisja e posterave, mosruajtja e etikës nga ana e disa kandidatëve gjatë deklaratave dhe kundërdeklaratave në media. Gjithashtu në këto tryeza u përmend edhe puna e mirë e organeve vendore për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore të mëparshme që kanë qenë të qeta në raport me zonat e tijera të vendit tonëë. Pjesëmarrësit evidentuan raste të shkeljes së etikës nga politikanët dhe shprehën nevojën e një atmosfere paqësore gjatë kësaj fushate zgjedhore.

Edukimi qytetar/Projekti “Këtu vendos unë”

Një nga projektet më të sukseshme të mbështetura nga OSFA për fushatën zgjedhore 2005, ka qenë projekti “Këtu vendos unë”, i realizuar nga lëvizja “Mjaft”. Ai kishte disa qëllime kryesore:
- Gjenerimi i debateve konkrete dhe domethënëse mes qytetarëve shqiptarë dhe autoriteteve lokale mbi çështje të rëndësishme të qeverisjes lokale (buxheti, taksat, probleme lokale, këshilli bashkiak etj.
- Inkurajimi i autoriteteve lokale në zbatimin e platformave konkrete të cilat adresojnë problemet reale komunitare;
- Rritja e përgjegjshmërisë nga ana e autoriteteve lokale dhe rritja e pjesëmarrjes publike në vendimmmarrje;
-Inkurajimi i zbatimit të politikave që kanë në bazë struktura qeverisëse të cilat lehtësojnë pjesëmarrjen e qytetare.
Gjatë zbatimit të projektit u shpërndanë materiale informative ndërgjegjësuese mbi funksionet e qeverisjes vendore dhe rolin e pjesëmarrjes qytetare në to. U organizuan debate publike mes Kryetarëve të Bashkive. Në të gjitha qytetet, që u bënë pjesë e projektit, u publikuan qindra postera ndërgjegjësues me mesazhin “Këtu vendos unë!”. Për ta bërë sa më interesante dhe tërheqëse atmosferën në shpërndarjen e këtij informacioni dhe për të nxitur pjesëmarrjen në debatet publike u përdor një kamion me muzikë, i shoqëruar me pjesë të shkurtra humoristike teatrale me tema të ndryshme që lidhen me dukuritë e sotme si korrupsioni, apatia, shërbimet e dobëta publike dhe burokracia. Një ndër rezultatet kryesore të arritura ishte nxitja e qytetarëve dhe promovimi i mjeteve demokratike në kërkimin e një qeverisje më të mirë dhe inkurajimi i përgjegjësisë sociale. Gjithashtu u pa edhe një rritje e debatit publik mbi çështje të interesit komunitar edhe publik dhe një rritje e pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen lokale. Kjo krijoi edhe një presion pozitiv mbi kandidatët për zgjedhjet lokale dhe mbi partitë politike që si pasojë u bënë më të qartë dhe konkret në platformat premtimet e tyre elektorale. Ky projekt futi një kulturë të re dhe të dobishme debati, diskutimi dhe analize në fushatën elektorale lokale duke e sjellë atë më pranë qytetarëve. Për këtë arsye ai shërbeu si model për projekte të ngjashme ndonëse të përmasave dhe shtrirjeve më të vogla.

Edukimi qytetar/Cikli i debateve “Bashkimi Europian dhe Shqipëria”

Në kuadrin e informimit, edukimit dhe përfshirjes të të rinjve në procesin e integrimit europian, Programi i Shoqërisë Civile vendosi në qendër të vëmendjes projekte me bazë kulturën e debatit dhe promovimit. Një prej projekteve të tilla nisi në shkurt të vitit 2002, me moton “Bashkimi Europian dhe Shqipëria”. Në të përkonin përparësitë e OSFA-s për të rinjtë dhe përparësitë për proçeset e integrimit. Kjo është edhe arsyeja pse më vonë ky projekt u quajt “Rinia dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Ai u realizua nga Organizata Kombëtare e Debatit dhe kishte në themel të tij realizimin e debateve masive me të rinjtë e shkollave të mesme dhe universiteteve të vendit. Temat e debateve ishin kryesisht të fushës sociale, por jo pak u debatuan edhe tema të fushës politike, juridike dhe ekonomike. Organizata Kombëtare e Debatit, organizoi edhe një seri konkursesh me nxënës të shkollave të mesme të Shqipërisë, në të cilën diskutoheshin temat mbi Bashkimin Europian. Projekti rezultoi shumë i suksesshëm sidomos në shkundjen ndaj apatisë së përgjithshme ndaj këtij procesi te të rinjtë. Në njërin prej konkurseve të rinjtë konkuruan me ese të ndryshme me temë: “Shqipëria dhe e ardhmja e saj në Europë”, ku theksohej se Shqipëria për nga ana gjeografike, kulturore dhe historike i përkiste Europës. Gjithashtu këto ese përmbanin dhe abstragime futuriste për atë që e priste kulturën, ekonominë dhe politikën e Shqipërisë pas pranimit në familjen evropiane. Ky cikël debatësh aktualisht po zhvillohet më shumë sukses edhe për tema të tjera të demokracisë shqiptare nga të rinjtë e lëvizjes “Mjaft” dhe tashmë ka shtrirje në pjesën më të madhe të vendit.

Edukimi qytetar/Ndërgjegjësimi i publikut shqiptar mbi BE-në dhe integrimin

Një përparësi i përhershme në programet e OSFA-s është informimi dhe edukim i publikut shqiptar mbi proceset integruese ku është përfshirë vendi. Pjesë e rëndësishme në proçesin e integrimit në Bashkimin Europian nuk janë vetëm marrëveshjet, vendimet dhe zbatimet e tyre por edhe ndërgjegjsimi i vazhdueshëm për vlerat dhe efektet e tyre. Në këtë kuadër, duhen studiuar edhe rrugët që ndiqen për përcjelljen e këtij informacioni si perceptimi i procesit integrues nga publiku shqiptar. Për këtë, OSFA financoi në vitin 2002 një projekt që lidhej me “Ndërgjegjësimin e publikut shqiptar mbi Bashkimin Europian dhe integrimin në Bashkimin Europian”. Ky projekt nuk u fokusua vetëm në administratën publike, biznesin dhe OJF-të, të cilat janë të përfshira drejtpërdrejt në proçesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe tek media, si kanali kryesor i përcjelljes së informacionit mbi BE-në. Projekti parashikonte një vëzhgim mbi njohuritë rreth Bashkimit Europian dhe publikimin e të dhënave, të cilat do të shërbenin në përgatitjen e fushatës së ndërgjegjësimit dhe edukimit të kategorive të vëzhguara për integrimin në BE të Shqipërisë. Gjithashtu do të evidentohej niveli i njohurive dhe perceptimeve në shoqërinë shqiptare mbi procesin integrues.
Pas përpunimit të të dhënave u organizua konferenca kombëtare me titull: “Shqipëria dhe Bashkimi Europian, përfytyrime dhe realitete”. Nga vëzhgimi rezultoi se dy kategoritë që ishin më mirë të informuara në lidhje me proçesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ishin Administrata Publike dhe Media, të ndjekura OJF-të vendase dhe në fund, bizneset private. 97.8 % e të pyeturve kishin dëgjuar për përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian dhe ndoshta kjo i dedikohet mbulimit të përditshëm dhe të hollësishëm që i bën media proçesit të integrimit. Ndonëse studimi u krye vetëm brenda Tiranës, kategoritë e përzgjedhura ishin përfaqësuese të qytetarit të mesëm shqiptar. Zbatimi i këtij projekti dhe sidomos mbledhja e këtyre të dhënave, sëbashku me arritjet e konferencës, i dhanë një hov të ri informacionit të akumuluar në Shqipëri mbi Bashkimin Europian.