Programi i artit dhe i kulturës

Programi i librit dhe informacionit

Programi i shoqërisë civile

Programi fellowship

Programi i administratës publike

Programi i drejtësisë

Programi i gruas

Programi i reformës ekonomike

Programi i shëndetit publik

Programi AEDP

 
 
 
 
 
   
 

Programi i Artit dhe i Kulturës i fondacionit “Soros” nisi në 1993. Ndryshimet social - politike të shoqërisë dhe institucioneve shqiptare përfshinë edhe botën kulturore dhe komunitetin e artistëve shqiptarë. Tashmë arti dhe kultura ishin gjendur në qerthullin e lirisë së plotë të shprehjes, pas gati gjysëm shekulli ideologjizimi ekstrem në emër të një metode të vetme zyrtare e artistike, të quajtur "realizëm socialist".
Bashkë më këtë liri lindën edhe sfida të reja që prekën drejtpërsëdrejti zhvillimin e artit e të kulturës: më shumë liri krijuese, por shumë më pak mundësi financiare. Vështirësitë e viteve të para të tranzicionit prekën së pari institucionet artistike e kulturore. Përpjekjet për t'u reformuar nga pikëpamja institucionale e ligjore, u bënë më të vështira edhe "nga braktisja e artistëve", një pjesë e konsiderueshme e të cilëve iu drejtua emigracionit si pasojë e pamundësisë eknomike për t'u marrë me art, por edhe si pasojë e trazirave të përsëritura politike. Aktivitetet kulturore filluan të përqendroheshin vetëm në kryeqytet dhe dy-tri rrethe të tjera, duke varfëruar jetën e deriatëhershme kulturore e artistike në pjesën tjetër të vendit.
Përballë këtyre vështirësive dhe një vargu mundësish që shfaqeshin përpara artit e kulturës shqiptare, Programi i Artit dhe Kulturës së OSFA-s, e nisi punën duke përcaktuar drejtimet kryesore të ndërhyrjes së tij. U synua mbështetja e artistëve krijues, krijimi dhe mbështetja e ngjarjeve artistike kulturore nga institucione jo publike të artit e të kulturës, ngritja e kapaciteve institucionale dhe forcimi i rolit e OJF-ve në fushën e artit e të kulturës, mbështetja e arteve alternative dhe përkrahja e artistëve të rinj, futja e elementeve të menaxhimit dhe marketingut të artit e kulturës. Kjo veprimtari e shumanshme ndihmoi tranzicionin e vështirë të botës kulturore e artistike dhe krijoi struktura e institucione të cilat veprojnë ende sot e kësaj dite. Le të përmendim më të realizuarit mes tyre:

Revista “Përpjekja”
Revista “Aleph”
Salla “Black- Box”
Konkursi ndërkombëtar “Onufri”
“Bienalja e Tiranës”
Festivali teatror “Butrinti 2000”
Festivali “Vjeshta e Tiranës”
Qendra e dokumentimit dhe komunikimit për muzikën rajonale

 

 

Revista “Përpjekja”

“Përpjekja” mund të përshkruhet si një revistë intelektuale-debatuese, që mban prej fillimit vulën e krijuesit dhe botuesit të saj, Fatos Lubonjës. Numri i parë i revistës “Përpjekja” doli në Tiranë në nëntor të vitit 1994. Është një revistë tipike autori, sikurse kishte pasur shpesh edhe në shtypin shqiptar të para komunizmit, si “Albania” e Konicës, ose vetë “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, e cila i shërbeu Lubonjës jo vetëm si model për emrin, por edhe për frymën e iluminuar, perëndimore e vetëkritike që mbartte dikur kjo revistë.
Programi i OSFA-s e ndihmoi këtë revistë të re, të drejtuar nga një shkrimtar që kishte vuajtur gjatë në qelitë e burgjeve të diktaturës si i burgosur politik. Motoja lëvizëse e kësaj reviste fokusonte pikërisht hapjen e shoqërisë shqiptare ndaj botës, ndaj pjesës së saj më të emancipuar.
OSFA mbështeti botimin e numrave të parë të “Përpjekje”-s, një përmbledhje e shkrimeve më të mira në anglisht (1997) dhe disa nga numrat më të fundit. Në faqet e “Përpjekje”-s botuan disa nga emrat më të njohur të jetës letrare e kulturore shqiptare që kërkonin të rrëzonin mitet nacionaliste e provinciale të së shkuarës, një rishikim e ridimensionim të historisë, të letërsisë dhe kulturës sonë në tërësi. Veç shkrimeve origjinale u përkthyen një sërë autorësh që hidhnin dritë të paanshme mbi fakte të historisë, gjuhës ose edhe zhvillimeve më të reja të shoqërisë shqiptare sikurse qenë ngjarjet e viteve 1996-1997. Nga ana tjetër, “Përpjekja” futi në faqet e saj edhe pjesë nga debatet bashkëkohëse prej filozofësh të një kalibri si Habermas ose George Steiner, apo intelektualësh me emër si Adam Miçnik.
Autorët shqiptarë që botuan më shumë ishin të një brezi të mesëm deri të ri; një numër syresh kishin qenë edhe bashkëvuajtës të botuesit, e këta sollën krijime letrare të shënuara, të cilat shpesh qenë shkruar në kushtet më të rënda të jetesës dhe mbijetesës. Bashkëpunuan rregullisht disa emra të njohur të publicistikës dhe kulturës shqiptare si B. Shehu, A. Klosi, E. Rama, F. Kati, A. Vehbiu etj. 

Revista “Aleph”

“Aleph” është një revistë letraro-kulturore nga më të specializuarat në qarkullimin e dukurive letrare bashkëkohore. Numri i parë doli në vitin 1996 dhe pati për botues poetin dhe përkthyesin e ri Gentian Çoçoli. Ai vinte nga Gjirokastra, madje, sikurse thotë vetë, erdhi enkas në Tiranë për të hapur një revistë të re letrare, i bindur se ndërkohë po krijohej një grup i ri shkrimtarësh e përkthyesish, i cili kishte nevojë për forumin e vet. Dhe me të vërtetë, rreth “Aleph”-it u mblodhën menjëherë një numër autorësh të rinj, poetë e prozatorë, një pjesë e mirë të apasionuar edhe pas përkthimit. Kështu u bënë dalëngadalë të njohur përmes faqeve të revistës emra si I. Belliu, R. Zekthi, A. Tufa, L. Arapi, E. Hatibi, R. Erebara, R. Çollaku, L. Dushi etj.
Gjithsej u botuan 15 numra të revistës dhe pjesa më madhe e tyre falë financimit nga OSFA. Ajo që e dallon “Aleph”-in, veç fizionomisë thjesht letrare-kulturore, është edhe cilësia e mirë e formatimit dhe shtypit. Ashtu si “Përpjekja” edhe “Aleph”-i është një revistë autori, pra mban në çdo numër vulën e krijuesit të vet dhe rreth saj grumbullohen autorë që në një pikëpamje ose në një tjetër kanë pika takimi me individualitetin e editorit.
Ajo që të bën përshtypje kur merr në dorë çfarëdo numri të “Aleph”-it është gjithashtu përzierja gati çuditëse e autorëve shqiptarë me emra të mëdhenj të huaj. Ky qëndrim i veçantë ndaj dukurive letrare i jepte “Aleph”-it mundësinë të nxiste te lexuesi i saj një qasje të re ndaj letërsisë, e cila “çlirohej” befas nga kufijtë hapësinorë e kohorë dhe bëhej një bibliotekë universale duke iu gjegjur kështu natyrshëm vetë konceptit borgezian të Aleph-it. 

Salla teatrore “Black Box”

Salla “Black Box” është njëkohësisht një salle pune dhe shfaqjesh në Akademinë e Arteve, ideja e së cilës pati lindur në vitet 1993-94. Studentë të artit dramatik punojnë tashmë si në një teatër të vërtetë e të përshtatur për mundësitë e tyre profesionale dhe menaxhuese. Drama, inskenime por edhe koncerte, ekpsozita dhe takime pune zhvillohen tashmë natyrshëm në këtë mjedis të ri të Akademisë së Arteve. Shumë pedagogë, artistë të akademisë e patën mbështetur dhe nxitur këtë ide, që gjeti më së fundi mbështetjen e duhur financiare nga fondacioni “Soros”. U bashkëpunua ngushtë me “Royal Academy of Dramatic Art” të Londrës dhe në vitin 1999, pas financimit për foninë, ndriçimin dhe ajrimin, salla “Black Box” filloi nga puna.
Rezultati është i shumëfishtë: u krijua mundësia për të realizuar projekte më të plota artistike nga studentët e dramës, studentëve u janë krijuar mundësi ta menaxhojnë vetë teknikisht shfaqjen; duke qenë një mjedis më i mbledhur se sa salla e madhe, “Black Box” krijon mundësi për krijues të ndryshëm, edhe të muzikës, koreografisë, që të realizojnë projektet e tyre. Ajo është me plot kuptimin e fjalës një teatër eksperimental.
Podiumet në skenë janë të lëvizshme dhe krijojnë mundësi të mëdha për eksperimentim nga studentët. Salla ofron parametra teknike të kënaqshme për nevojat e fakultetit skenik të Akademisë së Arteve. Por ajo është gjithashtu e hapur për projekte të studentëve dhe të komunitetit skenik jashtë këtij insitucioni.

Konkursi ndërkombëtar “Onufri”

“Onufri”, për paradoks ishte transformimi i ekspozitës së Nëntorit në një format konkursi, ku gjithkush vinte e varte një punë. Madje edhe koha u ruajt e njëjta – vjeshtë, dhjetor - vetëm emri u ndryshua. Kishte një komision që jepte çmimet, por nuk kishte ndonjë platformë. Ky status u ndryshua në vitin 1998. Me vendim të Këshillit të Ministrave është quajtur konkurs i përvitshëm ndërkombëtar, i organizuar me përzgjedhje dhe me një juri ndërkombëtare.
Rezultatet dhe jehona e këtij formati qenë të menjëhershme, sidomos jashtë Shqipërisë. Kjo veprimtari ndihmoi në hapjen e disa dimensioneve të reja të shprehjes vizuale, që bënë të mundur ngjizjen e një skene të re të artit shqiptar. Emra si: Anri Sala, Adrian Paci, Sisley Xhafa, Erzen Shkolovi, tashmë mjaft të njohur në skenën ndërkombëtare, kanë dalë nga kjo platformë e re. Çdo vit synohet të ftohen personalitete të reja.
Galeria e Arteve ka fituar një koleksion të paçmueshm të artit bashkëkohor, të mbledhur nga njëri prej organizatorëve të “Onufrit”, hollandezi Ian Dibbets, i cli u kërkoi rreth 45 artistëve bashkëkohës të dhuronin nga një punim për GA-në. Është një koleksion i shumë i vlefshëm. Ndihma e fondacionit “Soros” jo vetëm ka mundësuar për vite me rradhë zhvillimin e këtij konkursi, por shërbeu edhe si model financimi për institucionet shqiptare që vijuan financimin e tij.

“Bienalja e Tiranës”

“Bienalja e Tiranës” (edicioni i parë 2001), në artet pamore përbën ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare në vend. Për herë të parë vjen në Shqipëri në mënyrë të rregullt një copëz e rëndësishme e artit pamor europian e botëror. Që në lindjen e idesë për të, Programi për Artin dhe Kulturën i fondacionit “Soros” e gjykoi si një sipërmarrje të vlefshme dhe me perspektivë për jetën kulturore shqiptare.
Aktualisht, në rajonin e Europës Juglindore, “Bienalja e Tiranës” zë vendin e dytë (më e madhja është ajo e Stambollit). Nëse në vitet e saj të para ajo karakterizohej nga pjesëmarrja e gjerë e artistëve të çfarëdollojshëm, tashmë është përvijuar qartë përzgjedhja cilësore e pjesëmarrjes.
Veçanërisht pas edicionit të saj të tretë “Bienalja e Tiranës” u konfirmua si një ngjarje e rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Arsyet e këtij prezantimi dinjitoz janë niveli i lartë i punëve të artistëve shqiptarë në vitet e fundit, bashkëpunimi me disa nga kuratorët dhe artistët bashkëkohorë më të njohur në botë dhe strukturimi i një ngjarjeje me kërkesa dhe standarte tepër të larta të nivelit ndërkombëtar në Tiranë.
Të gjitha këto elementë ndihmojnë jo vetëm në pasqyrimin e zhvillimeve të artit bashkëkohor në Shqipëri, por vetë bienalja funksionon si një “ambasador” i përkryer, që përcjell një imazh të ri e bashkëkohor të jetës kulturore e shpirtërore shqiptare.

Festivali teatror “Butrinti 2000”

Festivali i Butrintit solli në Shqipërinë e vitit 2000, komunikimin ballkanik në fushën e skenës dhe që nga ky vit ai vazhdon pandërprerë edicionet e tij të përvitshme. Deri atëherë Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk kishte festivale ndërkombëtare teatrore, ndërsa sot ai është bërë një nga referencat e jetës kulturore shqiptare. Në të shfaqen pjesë që vijnë nga dramaturgjia antike, në radhë të parë, por me po aq sukses edhe pjesë nga Mesjeta dhe Rilindja. Madje, shpesh edhe pjesët moderne që realizohen në Butrint marrin njëfarë shtyse nga temat klasike.
Pavarësisht pranisë së ndonjë trupe teatri nga Europa Veriore si psh teatri mbretëror i Suedisë, shumica e pjesëmarrësve mbeten nga skenat e vendeve fqinje. Kjo ndodh kryesisht për dy arsye themelore, të cilat i japin edhe tiparet karakterizuese Butrintit 2000: a) ndodhemi në një prej djepeve të teatrit botëror, që zuri fill pikërisht në anët e gadishullit tonë, në një skenë ku luhen në radhë të parë pjesë të antikitetit e të repertorit klasik – qofshin këto edhe në përpunim eksperimantal postmodern; b) ky festival lindi pas maktheve që sollën luftrat etnike e fetare në ish-Jugosllavi, si një urë e mundësi e re komunikimi mes artistëve ballkanikë. 
Ndër trupat e teatrit që kanë marrë pjesë përmendim: “Atis” e Greqisë, teatri “Toursky” i Marsejës, teatri kombëtar “Ivan Vazov” i Bullgarisë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë, etj. Po kështu mund të përmendim disa regjisorë me emër si Aleksandër Morfov, Richard Martin, Terzopulos ose Tsakiris.
Fondacioni “Soros” ka ndihmuar për një kohë të gjatë për rritjen e kontakteve dhe shkëmbimeve individuale ose kolektive mes artistësh. Një numër specialistësh janë ftuar falë tij për të rritur cilësinë teknike dhe profesionale të këtij festivali. Tashmë “Butrinti 2000” është një festival i konsoliduar i cili sot ka si donator kryesor shtetin shqiptar dhe mbështetet e përkrahet nga opinioni, brenda e jashtë vendit. Aktualisht po punohet për futjen e zhanreve të tjera në edicionet e tij, si: koncerte, muzikë dhome etj, duke marrë si pikënisje përvojat e festivale të ngjashme si Avinjoni, Monpelie, Budva e Ohri.

Festivali “Vjeshta e Tiranës”

Edicioni i parë i “Vjeshtës së Tiranës” u zhvillua në vjeshtën e vitit 1994. Ishte e vetmja ngjarje kulturore e atij viti dhe u financua në pjesën më të madhe nga fondacion “Soros”, i cili mbeti për vite me rradhë financuesi kryesor i saj. Në edicionin e parë pati vetëm koncerte muzikore. Më 1996 ky festival u pasurua me ekspozita pikture, më 1997 u shfaqën edhe filma eksperimentalë. Ndërkohë konkursi “Onufri”, “Bienalja e Tiranës” dhe festivali i filmit nuk ekzistonin. “Vjeshta e Tiranës” ia doli mbanë që për tre vjet të shfaqte rreth 100 filma eksperimentalë.
Më pas, dalëngadalë, aktivitetet e gjinive të tjera gjetën veten, ndërsa festivali vetë ndërroi strukturën dhe pas 1997 nuk ishte më një festival, por një sezon: çdo të shtunë një koncert, çdo 15 ditë një ekspozitë. Ndërkohë gjatë vitit 1999 filloi “Allegreto Albania” dhe më 2000 Teatri i Operas dhe Baletit rimori jetën e tij të rregullt artistike. Në këto kushte, “Vjeshta e Tiranës” iu rikthye sërisht natyrës së vet koncertore. Ajo është përgjithësisht sot një festival i muzikës së re, pa e ndërruar më karakterin e vet. Pavarësisht pranisë së ndonjë vepre klasike e romantike, ajo përcjell për publikun shqiptar një muzikë kryesisht të re e bashkëkohore, frut i kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Muzika e re ka gjetur kështu publikun e saj edhe në Shqipëri.

Qendra e Dokumentimit dhe e Komunikimit për Muzikën Rajonale

Qendra e Dokumentimit dhe e Komunikimit për Muzikën Rajonale është një strukturë që synon të dokumentojë, të ruajë dhe të përcjellë pasurinë muzikore shqiptare. Ajo ka nisur nga puna që në vitin 2000 por u përurua me arritjet e saj të para në qershor të vitin 2002. Brenda saj janë disa programe që i japin qendrës një karakter shumëfunksional. Ajo ka natyre informative, duke ofruar një database që është aktualisht më i ploti në Ballkan, me adresa muzikore të të gjitha vendeve të Ballkanit; mban të rregjistruara kurrikulumet e të gjithë kompozitorëve të gadishullit dhe po boton edhe leksikonin e tyre. Ky informacion dukej se nuk mungonte vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin.
Falë ndihmës së fondacionit “Soros” në mjediset e qendrës u ndërtua një studio regjistrimi e nivelit të lartë. Janë financuar gjithashtu disa nga botimet e qendrës si psh: “Art Music in the Balkans”, botuar nga prof. Sokol Shupo, ku 8 muzikologë nga 8 vende të Ballkanit, në 20-25 faqe secili, tregojnë për historinë e zhvillimit të muzikës në vendet e tyre.
Gjatë punës për të mbledhur e ruajtur të dhëna mbi prodhimin muzikor shqiptar lindi edhe enciklopedia e kompozitorëve shqiptarë, që tani po ribotohet e plotësuar. Nëse në fillim qendra kufizohej në  informacione mbi muzikën artistike, tani përfshin edhe muzikën folklorike. I gjithë aktiviteti i qendrës shoqërohet me një sërë botimesh në shtyp dhe elektronike. Njëkohësisht zhvillohen trajnime për muzikën e re, muzikën elektronike dhe teknikat e kompozicionit.